Më 28 shtator kalendari Kishtar përkujton Shën Vençeslaun, martir.
(28.09.2010 RV)Më 28 shtator kalendari Kishtar përkujton Shën Vençeslaun, mbret i
Bohemisë e pajtor qiellor i kombit Çek. Kjo festë i fton katolikët çekë ta ruajnë
trashëgiminë e tyre shpirtërore dhe t’ua përcjellin të pacenuar breznive të reja. Kujtojmë
se Vençeslau, princ i Bohemisë, jetoi në shekullin X. U rrit dhe u edukua nga e gjyshja,
Shën Ludmilla, e cila u vra për shkak të fesë së saj nga e reja, Drahomira, nëna e
Vençeslaut. Ishte tepër i ri e megjithatë tepër i kulturuar, kur zuri vendin e të
atit në fron, pas një periudhe kundërshtimesh nga ana së ëmës, që donte t’ia dorëzonte
principatën djalit të dytë, Boleslaut. E ajo vijoi ta nxiste aq shumë urrejtjen e
Boleslaut, sa ta bënte si kainin. Ndërkaq Shenjti, i rritur në oborrin mbretëror
të vendlindjes e edhe vetë mbret, ëndërronte gjithnjë të bëhej murg. E jetoi si murg,
edhe pse i ulur mbi një fron mbretëror. Bëri shumë për ungjillëzimin e vendit, duke
thirrur për këtë qëllim edhe misionarë gjermanë e duke u përpjekur ta afronte sa më
shumë Boheminë me Evropën perëndimore e me kulturën e saj, ndonëse nuk qenë të pakta
vështirësitë që hasi në këtë rrugë. U bë kështu model i guximit fisnik. Gjatë luftës
me një nga dukët e Bohemisë, Vençeslau i propozoi t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet me
duel ndërmjet tyre, në mënyrë që të mos rrezikonin jetën e ushtarëve. Armiku u pajtua
me të e mosmarrëveshja u zgjidh bujarisht. Mosha e re e stili i sundimit e bënë Vençeslaun
model për shumicën e nënshtetasve, të cilët nisën ta nderonin e ta përkrahnin, sepse
qe mjeshtër në ushtrimin e drejtësisë. Nën sundimin e tij çdo njeri, sado i varfër
e i pambrojtur të ishte, gjente dikënd që ta dëgjonte e t’ia zgjidhte problemet. Ishte
aq i mirë, sa për t’u dashur fort, por edhe për t’u urryer fort nga njerëzit e këqij,
të cilët i tërbon mirësia. Pikërisht popullariteti i madh bëri të ngrihej kundra tij
– për shkaqe feje e sundimi – një pjesë e fisnikërisë, që ndoqi vëllain e dytë, Boleslaun,
i cili vijonte të ëndërronte fronin mbretëror. Më 28 shtator të vitit 929, në sa ishte
gjunjëzuar për të thënë uratët e mëngjesit në kështjellën Starà Boleslav, u sulmua
nga të përbetuarit e mbledhur rreth Boleslaut. Iu desh të mbrohej nga shpata e të
vëllait, të cilin do ta kishte vrarë, po t’ia lejonte shpirti i tij thellësisht i
krishterë. Ndërsa ia falte jetën e fajin, ra vetë nën teh të shpatës të të përbetuarve.
E ky qe akti i fundit i madhështisë së tij shpirtërore. Trupi i Vençeslaut, që
filloi të nderohej menjëherë si shenjt, u mbart në Pragë dhe u varros në Kishën e
Shën Vitos, ndërtuar prej vetë Princit. Shembulli i jetës së tij të krishterë, që
përfundoi me martirizim, i dha një shtytje të re ungjillëzimit të nënshtetasve e ai
vetë u bë simbol i shtetit bohem.