2010-09-27 13:18:16

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: Zoti i do të varfrit e kërkon prej nesh t'i duam të tjerët e t’u shërbejmë atyre.


“Zoti i do të varfrit” e “fati i amshuar”, si dhe lumturia e çdo njeriut varët nga vullneti i tij për të ndjekur udhën e dashurisë e për të vepruar mirë në përkim me vullnetin e Hyjit, duke qenë solidarë më varfrit e nevojtarët gjatë jetës tokësore. Me këto fjalë thënë në lutjen e fundit të Engjëllit të Tënzot në Kastelgandolfo, pasi që të enjten e ardhshme Papa do të kthehet në Vatikan, Benedikti XVI vuri në pah sjelljen tipike të besimtarit të krishterë, të frymëzuar nga Ungjilli i së dielës, që paraqiti shëmbëlltyrën e Lazrit të varfër e të pasanikut. E si shembuj të dashurisë dhe të bamirësisë për jetën e përditshme Papa para lutjes mariane, foli për shën Vinçencin Paoli, festën e të cilit Kisha e kremton sot, që përkon edhe me 350 vjetorin e vdekjes së tij, e për Kjara Badano, vajza e re piemonteze, e cila u shpall dje e lume në Romë.
Egoizmi e thanë shpirtin deri në humbje. Dashuria – jo në kuptimin e ndjenjës sipërfaqësore, por dashuria bamirëse që shndërrohet në shërbim të të varfërve – na bënë të jetojmë më të vërtet e të fitojmë pavdekshmërinë. Mesazhi i qartë që vjen nga shëmbëlltyra e famshme, Lazri që ushqehet me teprica të tryezës së pasanikut e pandjeshmëria e Pasanikut ndaj të varfit, na transmeton jehonën e mesazhit që nuk le hapësirë kompromisi e dyshimi. Mesazhi ungjillor i kësaj shëmbëlltyre, pohoi Benedikti XVI, nuk flet vetëm për përdorimin e drejt apo të gabuar që mund të bëhet me pasurinë, por nënvizon faktin që “Zoti na flet përmes Shkrimeve të Shenjta” e se duhet “të jetojmë sipas vullnetit të tij hyjnor, përndryshe pas vdekjes, do të jetë tepër votë për t’u penduar e përmirësuar gjendjen”:
“Prandaj, kjo shëmbëlltyrë na thotë dy gjëra: e para është kjo se Zoti i do të varfri dhe i ngrit nga përulja e përbuzja e tyre; e dyta është se fati jonë i amshuar kushtëzohet nga qëndrimi dhe sjellja jonë, e na takon pikërisht neve ta ndjekim udhën që Zoti na ka treguar, për të arritur në jetën e plotë e të vërtet, e kjo udhë është dashuria, jo në kuptimin e ndjenjës, por si shërbim ndaj tjerëve, në dashuri të Krishtit”.
Prej dymijë vjetësh, shembulli i njerëzve që kanë jetuar plotësisht në përkim me këtë ideal të dashurisë e të bamirësisë e ndriçon historinë e Kishës. E këtu Papa citoi dy shembuj, një nga lashtësia e një nga koha jonë. Figura e parë që Ati i Shenjtë përmendi është ajo e shën Vinçencit Paoli, që kremtohet sot nga liturgjia Kishtare, e që sivjet përkon me 350 vjetorin e vdekjes së tij. Shën Vinçenci, kujtoi Papa, themeloi “Bijat e Dashurisë”, kongregata e parë femërore që jetonte përkushtimin e shugurimin “në botë”, në mesin e njerëzve, me të sëmurë e nevojtarë dhe është pajtori qiellor i organizatave bamirëse katolike:
“Në Francën e 1600, ai e preku personalisht me dorë kundërshtinë e fortë që ekzistonte ndërmjet më të pasurve e më të varfërve. Në të vërtet, si meshtar, shën Vinçenc de’ Paoli pati rastin të frekuentonte si ambientet aristokratike, po kështu edhe fshatrat, si dhe shtresat më të varfra e të mënjanuara të Parisit”. “I shtyrë nga dashuria e Krishtit, Vinçenci de’ Paoli diti të organizonte forma të qëndrueshme të shërbimit për njerëzit e përbuzur e të mënjanuar, duke krijuar të ashtuquajturat ‘Charit’es’, ‘Bamirësitë’, që do të thotë grupet e grave që ofronin kohën dhe të mirat e tyre duke i vënë në dispozicion të të varfërve e të mënjanuarve”.
Shembulli i dytë, është Kjara Badano që u lartuar dje në nderimet e elterit si shembull dashurie e bamirësie. Kjo vajzë e re italiane që vdiq në moshën 19 vjeçare më 1990 pas një sëmundje të rëndë e të pashërueshme. Kjara Badani ishte e dashuruar në Krishtin e në Kishë, edhe pse pati një jetë të shkurt, ajo “qe për gjithë – tha Papa – një rreze drite, siç thotë edhe emri me të cilin e thërrisnin: “Kjara Dritë”:
“Famullia e saj kishtare, dioqeza e Acqui Terme dhe Lëvizja e Fokolarinëve, së cilës i përkiste, janë në festë – dhe është festa e të gjithë të rinjve, që mund të gjejnë në të shembullin e koherencës së krishterë. Fjalë e saj e fundit, plotë aderim ndaj vullnetit të Zotit, kanë qenë:”Nënë, ciao. Të jesh e lumtur sepse edhe unë jam”. Ta lëvdojmë Zotin, sepse dashuria e tij është më e fortë se e keqja dhe vdekja; ta falënderojmë Virgjërës Mari që t’u prij të rinjve, edhe ndër vështirësi e vuajtje, që të dashurohen në Jezusin e të zbulojnë bukurinë e jetës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.