Papa kthehet të enjten nga Kastel Gandolfo. Sot përshëndeti autoritetet e qytezës.
(27.09.2010 RV)Një qytezë e këndshme për të kaluar pushime të qeta e të frytshme:
kështu e quajti Benedikti XVI sot paradite Kastel Gandolfon, në takimin me autoritetet
civile e me bashkësinë kishtare lokale. Papa do të kthehet në Vatikan nga rezidenca
e tij verore, të enjten më 30 shtator. Në fjalimin e tij, Benedikti XVI shprehu mirënjohjen
e thellë për ata që u kujdesën të plotësojnë kërkesat e tij e ato të shtegtarëve,
që vinin për ta takuar në qytezën laciale. Në veçanti, falenderoi ipeshkvin e Albanos,
imzot Marçelo Semeraro. Duke kujtuar se sot kremtohet festa liturgjike e Shën Vinçenc
de Paolit, shpallur nga Leoni XIII “pajtor universal i të gjitha veprave të bamirësisë
kudo në botë”, Papa tha: “Më veprën e tij të palodhur apostolike, ai arriti
ta bënte Ungjillin gjithnjë e më shumë fanar ndriçues të shpresës dhe dashurisë për
njeriun e kohës së tij, e në veçanti, për më të varfërit në trup e në shpirt. Shembulli
i tij virtuoz e ndërhyrja e tij përtërifshin në bashkësitë tuaja e në secilin prej
jush impenjimin e solidaritetit, që përpjekjet e secilit të kontribuojnë në të mirën
e përbashkët”.