Në Stubëll mbahet manifestimi fetar e kulturor "Takimet e Dom Mikelit"
Manifestimi i përvitshëm fetar e kulturor “Takimet e dom Mikelit” që u mbajt të shtunën
e kaluar në fshatin Stubëll të Kosoves, është një ndër ngjarjet më të rëndësishme
që organizohen në komunën e Vitisë dhe një ndër ngjarjet më të rëndësishme edhe për
ipeshkvinë e Kosovës, në shenjë të nderimit dhe respektimit të fillimit të punës së
shkollës së parë shqipe në Kosovë, hapur në objektin e Kishës së vjetër katolike të
Stubllës më 1584 dhe mësuesit të parë të kësaj shkolle Dom Mikel Tarabulluzit. Qe
prifti kosovar don Rrok Gjonlleshaj, ideatori e nismëtari i kësaj ngjarje shpirtërore
e fetare,ai i cili më 28 shtator 1991 për herë të parë organizoi “Takimet e Dom Mikelit”,
si famullitar i atëhershëm i bashkësisë Kishtare të Shën Jozefit në Stubllë. E
të shtunën e kaluar, manifestimi tradicional fetar e kulturor “Takimet e Dom Mikelit”,
shënoi 20 vjetorin e organizimit. Ngjarja e parë e këtij manifestimi qe Meshës e
Shenjtë kremtuar në orën 10:00 nga don Lush Gjergji, Vikar gjeneral i Ipeshkvisë së
Kosovës. Pas Meshe programi i manifestimit vijoi me tribunën kulturore, me kumtesën
e paraqitur të don Lush Gjergjit mbi Jubileun e 100 vjetorit të lindjes së të Lumes
Nënës Terezë. Risia e manifestimit të sivjetmë qe edhe zbulimi i Memorialit
të Martirëve të Karadakut si dhe shpallja zyrtare e Muzeut Kombëtarë të Shkollës së
Parë shqipe në Kosovë. Ministri kosovar i kulturës, rinisë e sportit, z. Lutfi
Haziri, bëri shpalljen e Muzeut Kombëtar të Shkollës së Parë shqipe në Kosovë. Në
bazë të njohurive tona, mbështetur në të dhëna të studiuesve të shumtë, vendorë e
të huaj, Ipeshkvia e Kosovës konfirmon si Shkollë të Parë Shqipe, shkollën në fshatin
Stubëll të Epërme. Funksionimi i kësaj shkolle, me ndërprerje të herëpashershme,
për shkak të rrethanave historike në të cilat u gjend populli shqiptar, përcillet
që nga viti 1584, i njohur si Kolegji i Shën Lukës, themelet e të cilit deri vonë
janë ruajtur nga banorët vend për të vazhduar deri më 1905 kur Stublla pavarësohet
si famulli. Ky vit ndërkaq shënon edhe mbështetjen financiare të shkollës nga ana
e Austro-Hungarisë, së këndejmi dhe njohjen ndërkombëtare të saj. Po kështu u bë
zbulimi i Memorialit të Martirëve, nga znj. Nurije Hoxha, përfaqësuese e Ambasadës
së Francës në Prishtinë. Më pas siç është bërë traditë u zhvillua edhe “Ora e
madhe letrare”, ndarja e çmimit “Agim Ramadani” për tri poezitë më të mira si dhe
çmimi i kompozitorit Akil Koci. nga Prishtina njofton don Albert Jakaj