2010-09-26 13:05:04

Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot: Zoti i do të varfrit e kërkon prej nesh ti duam të tjerët përmes bamirësisë e solidaritetit


Duke kujtuar shëmbëlltyrën e Ungjillit të kësaj së diele, atë të njeriut të pasur e Lazrit të varfër, Papa Benedikti XVI, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot kremtuar në mesditë në Kastelgandolfo, shpjegoi se ky tekst i Ungjillit na mëson që “Zoti i do të varfrit dhe i larton nga përulja e përbuzja e tyre”. “Në Ungjillin e kësaj së diele – u tha Papa besimtarëve e shtegtarëve të mbledhur në oborrin e Pallatit apostolik në Kastelgandolfo – Jezusi na tregon shëmbëlltyrën e pasanikut e të Lazrit të varfër. I pari jeton në luks e në egoizëm, e kur vdes, përfundon në ferr (skëterrë). Ndërsa i varfri, që ushqehej me teprica të sofrës së pasanikut, më vdekjen e tij bartet prej engjëjsh në banesën e amshuar të Zotit e të shenjtorëve”.
Këndej Papa citoi pjesën e Ungjillit: “Të lumtë ju të varfër sepse e juaj është mbretëria e Zotit”. “Mirëpo mesazhi i shëmbëlltyrës ungjillore të kësaj së diele – shtoi Ati i Shenjtë Racinger – shkon më tej: na kujton, qe derisa jemi në këtë botës, që duhet ta dëgjojmë Zotin që na flet përmes Shkrimeve të Shenjta e të jetojmë sipas vullnetit të tij, përndryshe, pas vdekjes, do të jetë tepër vonë të pendohemi e të rishikojmë veprimet e sjelljet”.
“Prandaj – shtoi Benedikti XVI – kjo shëmbëlltyrë na thotë dy gjëra: e para është kjo se Zoti i do të varfri dhe i ngre nga përulja e përbuzja e tyre; e dyta është se fati jonë i përjetshëm kushtëzohet nga qëndrimi e sjellja sonë, e na takon neve ta ndjekim udhën që Zoti na ka treguar për të arritur në jetën e plotë e të vërtet, e kjo udhë është dashuria, jo në kuptimin e ndjenjës, por si shërbim ndaj tjerëve, në dashuri të Krishtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.