2010-09-25 15:30:23

U shpall e lume laikja italiane, Kiara Badano


Në Shenjtëroren romake të Zojës së Dashurisë Hyjnore, u shpall e lume laikja italiane, Kiara Badano. Mesha u kremtua nga prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, imzot Anxhelo Amato.
Lindur në lokalitetin ligur të Saselos, më 29 tetor 1971, e Lumja e re u dallua që e vogël për dashurinë e saj për të moshuarit, të varfërit dhe të harruarit e shoqërisë, të cilëve u kushtonte shumë nga koha e vet. Në moshën 9 vjeçare hyn në levizjen “Gjen”, “gjenerata e re” e Lëvizjes së Fokolarinëve dhe miqësohet me themeluesen, Kiara Lubih. Në moshën 16 vjeçare u sëmur me tumor në kocka e pas një sërë ndërhyrjesh, u paralizua. Gjatë tri vjetëve të sëmundjes dha dëshmi të shkëlqyer të virtyteve teologale, duke pranuar vullnetin e Zotit, duke jetuar me qetësi vuajtjet e duke lehtësuar edhe dhimbjen e të afërmve, që i qëndronin pranë. U shua në agimin e 7 tetorit 1990, në ditën e festës liturgjike të Zojës së Rruzares. Dëshira e saj për t’u bërë mjeke në Afrikë u plotësua nga shokët e shoqet e nga të gjithë ata që ndoqën përshpirtërinë e Kiarës.







All the contents on this site are copyrighted ©.