2010-09-25 15:30:07

Editoriali javor i atë Lombardit: “Tepër të mëdhenj për të falimentuar”(Too big to fail)


Globalizimi i ka afruar njerëzit me njëri-tjetrin, por nuk i ka kthyer në familje. Kjo pabarazi është një plagë, që duhet shëruar për të arritur zhdukjen e çdo lloj varfërie në botë. Ky është një nga mendimet e shprehura javës së kaluar në Nju Jork nga kryetari i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, kardinali Peter Turkson në Mbledhjen e OKB-së mbi objektivat e Mijëvjeçarit. Pikërisht këtij argumenti ia kushton editorialin e kësaj jave, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi.
“Tepër të mëdhenj për të falimentuar”. Në fjalimin tashmë të famshëm në Uestminster Holl të Londrës, Papa kujtoi një shprehje, që u bë e zakonshme gjatë krizës së fundit ekonomike, kur qeveritë ndërhynë masivisht e në kohë për të shpëtuar institucionet financiare më të rëndësishme nga falimentimi. U konsiderua e nevojshme të ndërhyhej me shuma jashtëzakonisht të mëdha – tha Papa – sepse këto institucione ishin “tepër të mëdha për të falimentuar”. Ekonomia e vendeve përkatëse do të kishte pësuar dëme të jashtëzakonshme. Por, Papa rrihte diku tjetër: nëse u bënë ndërhyrje kaq të mëdha për të shpëtuar institucionet financiare, përse nuk bëhen kur duhen zhvilluar popujt e botës, e duhen nxjerrë nga uria e varfëria? Ky po, është vërtet një objektiv tepër i madh, për ta lënë të dështojë!
Në këtë dritë duhet parë mbledhja e fundit e Nju Jorkut mbi “Objektivat e Mijëvjeçarit”. Natyrisht, do të jepen vlerësime të ndryshme. Ndërmarrja është qiklopike e kërkon bashkëpunimin jo vetëm të qeverive, por edhe të të gjitha forcave aktive të shoqërisë, si në botën e zhvilluar, ashtu edhe në atë në zhvillim. Nga ana e saj, edhe Kisha Katolike impenjohet me organizatat e saj, në dritën e një perspektive shpirtërore e morale, e vetëdijshme dhe e kujdesshme ndaj vlerave themelore, të përcaktuara mirë në enciklikën “Caritas in Veritate”. Siç ripohoi në Nju Jork kardinali Turkson, kryetar i Këshillit për Drejtësinë e Paqen: njeriu duhet të jetë në qendër të zhvillimit, nuk duhet parë si barrë e rëndë, por si pjesë aktive e zgjidhjes së problemeve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.