2010-09-24 19:22:16

Papa mbi takimin botëror të familjeve në Milano, në vitin 2012: puna dhe festat të mos shkatërrojnë familjet


(24.09.2010 RV)Të rimendohet raporti ndërmjet kohës së punës dhe kohës së festave, sepse sot, e para e mbyt të dytën, duke e zhveshur nga kuptimi sidomos të dielën e, duke sjellë si pasojë shkatërrimin e familjeve. Kështu i shkruan Benedikti XVI kardinalit Enio Antoneli, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen, në një mesazh, në të cilin Papa flet për temat e Takimit të ardhshëm Botëror të Familjeve, që do të mbahet në Milano të Italisë, nga data 30 maj deri më 3 qershor 2012.
Kur çasti i “evazionit” bëhet sinonim i festës e, kur festa është në të vërtetë vetëm një parantezë për t’u kaluar shpejt, para e pas punës, është e qartë se qytetërimi i ndërtuar mbi këtë arkitekturë shoqërore e ka humbur kuptimin e njeriut dhe të familjes. Benedikti XVI reagon ndaj kësaj gjendjeje, duke nxitur reflektimin dhe impenjimin për të përputhur kërkesat e punës me ato të familjes, për të rizbuluar kuptimin e vërtetë të festës, sidomos të së dielës, Pashkë e javës, ditë e Zotit e ditë e njeriut, ditë e familjes, e bashkësisë dhe e solidaritetit. Kjo, sepse – thekson Papa – puna e festa janë të lidhura ngushtë me jetën familjare: kushtëzojnë vendimet, ndikojnë në marrëdhëniet ndërmjet bashkëshortëve e ndërmjet prindërve e bijve, ndikojnë në marrëdhëniet e familjes me shoqërinë dhe me Kishën.
Sot, vazhdon Ati i Shenjtë, kushtëzimi i jetës vjen pikërisht nga organizimi i punës, i menduar dhe i zbatuar në funksion të konkurrencës së tregut dhe të fitimit maksimal. Edhe festa kuptohet thjesht, si rast largimi nga e përditshmja e si rast konsumi. Kjo e shkatërron familjen e përhap një stil jete individualist.
Shkrimi Shenjt, kujton Benedikti XVI, na thotë se familja, puna e festa janë dhurata e bekime të Zotit, për të na ndihmuar të jetojmë më mirë, ndërsa përvoja e përditshme na tregon se zhvillimi i vërtetë i njeriut përfshin si përmasën individuale, familjare e komunitare, ashtu edhe aktivitetet e marrëdhëniet funksionale, si edhe hapjen e zemrës për shpresën e për të Mirën pa kufi.
Në këtë këndvështrim, Takimi i ardhshëm botëror i familjeve në Milano, në vitin 2012, përbën një rast të mirë për ta rimenduar punën e festën në perspektivën e një familjeje të bashkuar e të hapur ndaj jetës, të integruar mirë në shoqëri e në Kishë, të kujdesshme për cilësinë e marrëdhënieve e jo vetëm për ekonominë e bërthamës familjare, përfundon Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.