Më 24 shtator kalendari Kishtar kremton të Lumen Mari, Virgjër e Mercedes
(24.09.2010 RV) E lumja Mari Virgjër e ‘Merced’ – që në spanjisht do të thotë ‘e mëshirës’,
njihet si frymëzuese për themelimin e Urdhrit të lashtë të Mercedarëve, prandaj titulli
me të cilin nderohet, lidhet ngushtë me këtë Urdhër, themeluar nga Shën Pjetër Nolasko
(1180-1245). Pjetri lindi në Tuluzë të Francës rreth vitit 1180 e që në moshë të njomë
u vendos, së bashku me familjen, në Barcelonë të Spanjës. Lajmi i parë mbi praninë
e tij në Barcelonë është ai i viti 1203, kur thellësisht i hidhëruar për fatin e të
krishterëve të kthyer në skllevër nga maurët, asokohe zotë të një pjese të mirë të
Spanjës, nisi të paraqitej si tregtar, për të hyrë më lirisht ndërmjet muhamedanëve.
I veshur kështu, mundi të hyjë në Valencia, ku çliroi me para më se 300 skllevër.
Si shpenzoi gjithë pasurinë, mblodhi rreth vetes të rinj të tjerë bujarë, me të
cilët nisi të lypte lëmoshë për vijimin e çlirimit të skllevërve të krishterë, duke
paguar një shumë në para ose në sende të tjera, në përkim me moshën, kushtet shoqërore,
ekonomike e fizike të robërve. I frymëzuar nga Virgjëra Mari, më 2 gusht 1218 themeloi
Urdhrin e ri rregulltar, që do t’i kushtohej veprave të mëshirës e sidomos, çlirimit
të skllevërve, edhe me flijimin e vetë jetës, duke zënë vendin e skllavit, kur nuk
mund të paguhej për çlirimin e tij. Kështu rregulltarët, që nisën të njihen me emrin
mercedarët, mundën të çlirojnë më se 52 mijë skllevër. Urdhri, të cilit iu shtua
edhe dega femërore e murgeshave mercedare, u miratua nga papa Gregori IX më 17 janar
1235. Kujtojmë se mercedarët ishin të pranishëm, si kapelanë, në shtegtimin e Kristofor
Kolombit, kur u zbulua kontinenti i ri amerikan, ku themeluan kuvendin e tyre të parë
në Santo Domingo.