2010-09-24 15:33:06

Martin Camajn, në 85- vjetorin e lindjes.


Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit më 21 korrik 1925. Mori edukatë klasike në Kolegjin Saverian të Shkodrës, të drejtuar nga etërit jezuitë. Kur komunistët e mbyllën kolegjin, u arratis në Jugosllavi, ku vijoi Universitetin e Beogradit. Studioi italianistikë, romanistikë, teori letërsie, gjuhë klasike dhe sllavistikë. Në verën e vitit 1956 shkoi në Romë, ku vijoi studimet, u doktorua, u lidh me botën arbëreshe dhe, nën kujdesin e Ernest Koliqit, u bët kryeredaktor i revistës “Shejzat” (1957-1975). Më 1961 u transferua në Mynih, ku iu kushtua përfundimisht gjuhësisë shqipe, pa u shkëputur nga letërsia. U emërua profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në Universitetin e Mynihut dhe mbeti atje gjithë jetën, deri sa vdiq, më 1992.
Nga viti 1953 kur boton në Prishtinë veprën e parë të tij, vëllimin me poezi “Një fyell ndër male”, vargu i veprave të tij nuk ka të ndaluar. Përveç disa vëllimeve me poezi si “Legjenda”, botuar në Romë në vitin 1964, “Njeriu më vete e me tjerë”, botuar në Mynih (1967-1978) dhe “Palimpsest”, Camaj ka botuar edhe romanet “Djella” (1964), e “Karpa (1967), madrigalen “Dranja” (1981) e novelën “Shkundullima” (1981) . Camaj është edhe një ndër albanologët më të shquar. Ndër studimet kryesore mund të përmenden: Meshari i Gjon Buzukut, Romë 1960; Tekst mësimor i gjuhës shqipe, Wiesbaden 1969; E folmja shqipe në provincën e Avelinos, Firence 1971; Gramatika shqipe, Wiesbaden 1984; si dhe antologia “Këngë shqiptare”, Düsseldorf 1974.
Camaj vdiq, më 12 mars të vitit 1992, në Lenggries të Bavarisë. Fjalët e fundit të poetit ishin: “Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë…gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron. Batë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt”.
Martin Camaj: “Il compleanno”
Martin Camaj “Ditëlindja”
Kremtuem gjith natën i ri e i vjetër kohën
që vdiq e vrame në mue.
E thanë: askush s'do të lypi gjak
për të.
Ajo nuk ishte festë, por drekë!
Në mëngjes mbas dere qentë
me sy keqardhës e të butë
nuk pritshin eshtna, por mue
me u nisë me ta shtigjeve bri lumit
teposhtë.

Camaj për shqiptarët
"Të dashun miq e vllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë popull shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve. Gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron.

Shqiptarët e dashamirët e huaj për Camajn:
Hans-Joakim Lanksh, një nga studentët, më vonë mik e përkthyes i tij në gjuhën gjermane, në një intervistë dhënë gazetës ‘Shqip’:
“Për herë të parë e pashë Martin Camajn kur isha student i ri, në semestrin e dytë a të tretë, në nji ligjeratë të profesorit Alois Schmaus për filologjinë e gjuhëve ballkanike. Më ra ndër sy nji burrë shtatmadh dhe i pashëm që e fliste gjermanishten me theks të çuditshëm dhe mjaft ekzotik për veshin tim. Doktorantët dhe studentët e tjerë të vjetër silleshin rreth burrit shtatmadh me theks të çuditshëm, burrë ky që rrezatote autoritet dhe dije. Mbas ligjerate, studentët kishin zakon me ndêjtë në nji kafené ballë përballë universitetit, te "Papa Schmidt" ("Baba Shmit") ku, përndryshe, profesori ynë Schmaus (i cili fliste rrjedhshëm rusishten, serbishten, çekishten, bullgarishten, shqipen, rumanishten, greqishten, turqishten dhe arabishten dhe i cili nuk mund të jetote pa kafe dhe cigare) kishte zakon me u takue me studentët e tij për të diskutue problemet e tyne. Mbas ligjeratës së profesorit Schmaus, te "Papa Schmidt", burri shtatmadh dhe me theks të çuditshëm u bâ si nji si qendër e rrethit të studentëve dhe si këshilltar i tyne… Ky qe takimi im i parë me Martin Camajn.
Disa semestra mâ vonë vendosa me mësue gjuhën për të cilën profesori Schmaus na fliste me aq dashuni e pasion, shqipen, ku pedagogun e shqipes e kisha shì burrin shtatmadh e me theks ekzotik. Me kohë, marrëdhania mësues-nxanës dhe mbasandej autor-përkthyes u bâ miqësi. ..
Nji ditë konstatuem që unë përkthejsha poezi të ekspresionistit slloven Sreçko Kosovel, ndërsa profesori shkruete poezi. Kur më tha se do të ma sillte dikur librin e vet, mbeta mjaft skeptik – dihet se, zakonisht, letërsia e profesorave dhe e diplomatëve âsht e dobët... Kur u ballafaqova me poezitë e Martin Camajt, më magjepsi bukuria e tyne, ndërthurja e tingujve, muzika intime e tingujve të gjuhës së tyne, ritmi i mrekullueshëm i kangëve popullore. Mbas shikimit në bukurinë e jashtme të këtyne poezive, më tërhoqi kombinacioni i kompleksitetit të tyne me thjeshtësinë e dukjes së tyne, më fascinoi simbioza e arkaikes me modernën dmth. ato ishin poezi moderne mbi nji substrat arkaik elementesh të letërsisë gojore, më pëlqente trajta e tyne eliptike, lapidare dhe lakonike. Poezitë e Martin Camajt përmbajnë pikërisht aq fjalë sa duhen, asnji mâ tepër dhe as edhe nji mâ pak… Mbeta si i shituem prej bukurisë së jashtme e të mbrendshme të poezisë camajane, isha i bindun se kjo poezi duhet të përkthehet e të njihet përjashta Shqipniet…

Ardian Klosi (Në Gazetën Shekulli, 21 korrik 2010)
Vetë Camaj ishte tejet i përzemërt, me një mirësi të kultivuar, kur bashkohej malësori bujar me europianin erudit. Zëri ishte tejet melodioz, dukej nganjëherë sikur fliste me kantilenë, e nuk e di si këndonte por do çuditesha sikur të mos këndonte bukur me atë zë dhe nuancat e holla që shqiptonte. Sidomos gjermanishten e kishte të kulluar, fjalët të nyjëtuara saktë me një tingëllim Shkodre për të cilin më duket ishte krenar.
Ashtu sikurse Bogdani erdhi në Shkodër për të lëmuar kosovarishten e vet ("m'anshtë dashunë me djersë të mëdha shumë fjalë me ndërequnë ndë dhee të Shkodërsë") edhe Camaj kishte marrë tingëllimet më të bukura të qytetit të tij, ku pat zbritur dikur fëmijë nga Temali i Dukagjinit për t'u shkolluar në kolegjet e jezuitëve.
Ndërsa të tjerët luftonin me pamflete ose teorizime që nuk i dëgjonte njeri, ai e tregoi me vepra të shumta në poezi, në prozë ose dramaturgji se një traditë aq e gjatë letrare nuk mund të vdesë brenda një brezi, edhe pse për këtë qe vendosur më 1972, në kushtet e diktatit nga lart, prej shumicës së përfaqësuesve të asaj që ishte kultura zyrtare e kohës.
Këtë qëndresë ai e zhvilloi edhe në shinat e dijes, me monografi e gramatika të ndryshme, sikurse në Albanian Grammar të tij ku e analizon gjuhën shqipe në tri koinetë kryesore të saj: gegënisht, toskërisht e arbëresh.
Pak për t'u habitur sot, kur Camaj pranohet nga gjithë përfaqësuesit me peshë e me poste të gjuhë-letërsisë shqiptare, kjo anë e personalitetit të tij lihet në heshtje, madje Camaj ngrihet lart më fort nga të gjithë pikërisht prej atyre që nuk duan as t'i dëgjojnë termat gegënishte ose variant letrar geg.
Mark Mark (Spekter mars 2003)
Nëse vepra e Camajt paraqet një univers të tërë që ngelet për t’u eksploruar nga lexuesi shqiptar, jeta e tij përbën një model që i duhet sugjeruar shoqërisë shqiptare.Camaj është intelektuali dhe krijuesi shqiptar që e realizon veprën e tij pavarësisht rrethanave ose që më saktë nuk i përdor kurrë ato si justifikim për mosrealizimin e saj. Nga viti 1953 kur ai boton në Prishtinë veprën e parë të tij, vëllimin me poezi “Një fyell ndër male”, vargu i veprave të tij nuk ka të ndaluar edhe pse e di fare mirë se një pjesë e kësaj vepre do të ngelet larg lexuesit shqiptar për një kohë të gjatë. Përveç disa vëllimeve me poezi ku vlen të përmenden vëllimet “Legjenda” botuar në Romë në vitin 1964, “Lirika mes dy moteve” dhe “Njeriu me vete e me të tjerë”, botuar në Mynih njëri në vitin 1967 e tjetri në vitin 1978, Camaj është autor i romaneve “Djella”, 1964, “Dranja”, 1981, “Shkundullima”, 1981 dhe “Karpa”, 1987 si dhe autor i disa studimeve gjuhësore të rëndësishme.
Komuniteti i vogël i emigrantëve shqiptarë që e ka njohur Camajn e përshkruan atë atë si një intelektual tejet të kulturuar, të qytetëruar, e njerëzor por të patjetërsuar nga të jetuarit e gjatë në Perëndim. Njerëz të afërm të tij tregojnë një detaj që na konkretizon krenarinë e tij për vendin e origjinës dhe racën që përfaqësonte. Ndërsa paraqiste dokumentet për te filluar punë si lektor në Universitetin e Mynihut sekretarja duke kryer formalitetet e rastit e pyet për profesionin e të atit. Bari - i përgjigjet Camaj dhe meqë sekretarja e përsëriste pyetjen duke mos u besuar veshëve Camaj përsëriste përgjigjen i patrazuar: -Bari-zonjë.
Kolegët shkrimtarë shqiptarë dhe institucionet e kulturës shqiptare e denigruan dhe e fyen shpesh herë Camajn, por ai nuk u soll kurrë në të njëjtën mënyrë me ta. Nga faqet e revistës “Shejzat” që ai botonte në Romë bashkë me Koliqin, Camaj i analizon pa mllef dukuritë e letërsisë shqipe.







All the contents on this site are copyrighted ©.