2010-09-24 15:52:21

Liturgjia Hyjnore për mons. Eleuterio Fortinon në Romë


Kujtojmë kremtimet liturgjike, që bëhen në nder të imzot Fortinos, të cilat po i përmendim edhe ne, për të gjithë ata që duan të marrin pjesë. Të shtunën, më 25 shtator në orën 9.30, në kishën e Shën Athanasit, në rrugën Babuino në Romë, do të kremtohet Liturgjia Hyjnore pra Mesha e dritës për shpirtin e imzot Fortinos, ndërsa në orën 16.00, do të kremtohet një trisagion (liturgji bizantine), i kryesuar nga rektori i kishës, atë Manuel Nin. Funerali do të bëhet të dielën më 26 shtator pasdite, në orën 16.00, në Kishën famullitare të San Benedeto Ulanos në Kalabri, ku lindi e ku do të varroset imzot Fortino. Në të dyja kremtimet do të marrë pjesë ipeshkvi Brajën Farrell, sekretar i Këshillit Papnor për nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve, i cili kthehet enkas nga Viena, ku po merr pjesë në mbledhjen e Komisionit të Përzier ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve.
Pikërisht në Vjenë, do të kishte shkuar edhe imzot Fortino, si sekretar i palës katolike të komisionit. Të enjten 23 shtator paradite, në fillim të punimeve, arkimandriti arbëresh u kujtua nga kryeipeshkvi Kurt Koh, i cili që nga 1 korriku është kryetar i dikasterit ekumenik të Vatikanit dhe nga mitropoliti Joanis i Pergamos, përfaqësues i Patriarkatit ekumenik të Kostandinopojës e kryetar i palës ortodokse të Komisionit të Përzier. Lajmi i vdekjes së imzot Fortinos, i mallëngjeu thellë pjesëmarrësit në mbledhjen e Vienës, shkruan gazeta e datës 24 shtator2010 “L’Osservatore Romano” duke e quajtur te dashurin e te nderuarin mons Eleuterio Forino “memoria historike e shpirti i lëvizjes ekumenike”.
Në prag të udhëtimit të Papës në Mbretërinë e Bashkuar, në një intervistë me të përditshmen vatikanase, vetë kryeipeshkvi Koh pati thënë për imzot Fortinon se ishte “njeri i përzemërt, që nuk mund të mos e kesh mik, e që me përvojën e tij ruan traditën e ekumenizmit”.
Këshilli Papnor për nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve ka lajmëruar krejt botën ortodokse për vdekjen e imzot Fortinos, i cili u përkujtua edhe në Poloni, ku Kisha Katolike dhe Këshilli Ekumenik i Kishave po përgatisin javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve për vitin 2012. “Tetëditëshi i lutjes ishte një nga pasionet e tij më të mëdha – shkruan “L’Osservatore Romano” – sepse vinte në dukje vlerën e lutjes e përparësinë e përmasës shpirtërore. Edhe për këtë, imzot Fortino përfaqëson ekumenizmin e vërtetë. Ishte i aftë të thoshte krejt të vërtetën për fenë katolike, në mënyrë të tillë, që nuk fyente, por me argumente të mjaftueshme, nxirrte në pah dallimet.
Përveç kësaj, kishte dashuri të patregueshme për frymëmarrjen me dy mushkëri të Kishës. Mund të thuhet se ka dhuruar vetveten, që në Perëndim të njiheshin e të vlerësoheshin thesaret e përshpirtërisë lindore. Një pasion i jetuar me përvuajtëri: ishte gjithnjë gati të mësonte nga botët shpirtërore e kulturore jo të tijat”. Gazeta e Vatikanit kujton edhe kujdesin e mons. Eleuterio Fortinos për përmasën baritore të shërbimit meshtarak. Kishte bërë studime të larta akademike, por dinte t’ua bënte të kuptueshëm Ungjillin njerëzve të thjeshtë.
Me vetë gazetën “L’Osservatore Romano”, imzot Fortino bashkëpunoi për 45 vjet, duke shkruar 250 artikuj. I pari, mbi “ekumenizmin shpirtëror”, u publikua më 30 janar 1966.
Imzot Eleuterio Fortino ka bashkëpunuar edhe me programin shqip të Radio Vatikanit. Prej nesh është intervistuar disa herë e gjithnjë ka qenë një zë i qartë, i thellë, i bindur, profetik e me autoritet në interpretimin e fenomeneve të Kishës e të shoqërisë shqiptare. Njërën prej këtyre intervistave realizuar nga don David Gjugja, po jua propozojmë sot si homazh për kujtimin e arbëreshit e priftit të madh mons. Eleuterio Fortino, ta dëgjojmë….........................RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.