Konferencë shkencore Martin Camaj shkrimtari e filologu
Qendra e Studimeve Albanologjike organizon sot konferencën shkencore "Martin Camaj
në kulturën shqiptare" me rastin e 85-vjetorit të lindjes së poetit, shkrimtarit,
albanologut (1925-1992). 32 studiues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia,
Italia, Gjermania referojnë nga 10 minuta secili në aktivitetin maratonë. Konferenca
ndahet në dy seksione: studime që fokusohen në letërsinë e Camajt, në tiparet gjuhësore
dhe estetike të veprave "Njeriu më vete e pa të tjerë" (1978), "Rrathë" (1978), "Karpa"
(1987), "Loja mbasdrekës" (1981), "Kandili argjendit" etj.. Në seksionin e dytë,
studiuesit referojnë për kontributin e Camajt në gjuhën shqipe dhe albanologji me
vepra si "Formimi i fjalëve në shqipe" (1969), "E folmja arbëreshe e Greçit në provincën
e Avelinos" (1977) etj.. Me kaq përfundon aktiviteti që Qendra e Studimeve Albanologjike
mban për Martin Camajn. Ky institucion nuk jep asnjë kontribut për botimin e plotë
të veprës e cila po përgatitet këto kohë nga gjuhëtari Bardhyl Demiraj dhe përkthyesi
i letërsisë shqipe në gjuhën gjermane, Hans-Joachim Lanksch. Edhe aktiviteti i
mbajtur me këtë rast tkurret në një ditë të vetme për të kursyer financat. Pak
kohë para organizimit u bë një thirrje për kontribut, me platformën vijuese: Së pari,
“Vepra letrare e Camajt”: çështje të tipologjisë, të ligjërimit, të lidhjes me traditën,
të ligjërimit artistik, të veçorive stilistike, të kontributit për Shêjzat, për botën
arbëreshe, të tekstit dramatik, të receptimit të veprës. Së dyti, kontributi në
fushën e gjuhësisë, duke u nisur nga kontributi për studimin e Mesharit të Buzukut,
për gramatikën, etimologjinë e fonetikën historike të shqipes, dialektologjinë shqipe
e arbëreshe, kritikën gjuhësore. Flitet edhe për veçoritë e gjuhës në veprën e Camajt.
Fenomen i rrallë, ku shkrihen poeti e gjuhëtari. Në përfundim të Konferencës,
që zgjat vetëm një ditë, më 24 shtator 2010, pritet që presidenti i Republikës së
Shqipërisë, zoti Bamir Topi, t’i akordojë Martin Camajt titullin e lartë ‘Nderi i
Kombit”. Në hapje të veprimtarisë promovohet botimi, në 10 vëllime, i veprës së
Martin Camajt, fryt i bashkëpunimit të Katedrës së Albanologjisë të Universitetit
të Munihut me shtëpinë botuese “Onufri”, si dhe botime të tjera studimore për Camajn
dhe veprën e tij. Veprimtaritë e 24 shtatorit do të mbyllen me shfaqjen e një
dramatizimi nga krijimtaria e Camajt, me skenar e regji të Stefan Çapalikut. Pritet
edhe që materialet e Konferencës të botohen nga Qendra e Studimeve Albanologjike,
me drejtues shkencorë Profesor Asistent Ardian Marashi, Akademik Kolec Topalli e Profesor
Enver Muhametaj.