2010-09-24 15:05:37

Don Lush Gjergji: vëllai ynë arbëresh mons. Eleuterio Fortino, njeri i fesë e kulturës shqiptare


In memoriam
KALOI NË AMSHIM
MONS. ELEUTERIO FORTINO
/1938-2010/

Më 22 shtator 2010 kaloi në amshim Mons. Eleuterio FORTINO, i cili vite të tëra ishte në dializë për shkak të sëmundjes së veshkave. Edhe pse i sëmurë, asnjë herë nuk pushoi, gjithnjë ishte në veprim në nder të Zotit, në dobi të Kishës, veçanërisht për dialogun ekumenik mes Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse, si dhe në veprimtaritë baritore në kishën arbëreshe “Shën Atanazi” në Romë.
Ishte një ndër studiuesit dhe ekspertët më të spikatur të Kishës Katolike për ekumenizëm.
Mons. Eleuterio Fortino u lind në San Benedetto Ullano, në Kalabri, më 2 prill 1938 nga prindërit arbëreshë /është vëllai i studiuesit dhe albanologut të njohur prof. Italo Fortino/. Pas seminarit dhe studimeve filozofiko- teologjike në Universitetin e famshëm Papnor të Gregoriana në Romë, më 24 nëntor 1963 qe shuguruar meshtar.
Prej vitit 1965 ka punuar me shumë zell, përkushtim dhe dashuri në Këshillin Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, i ftuar personalisht nga kardinali Johannes Geradus Maria WILLEBRANDS, ku ka dhënë një kontribut tejet të çmueshëm deri në vdekje.
Për Mons. Eleuterio Forino ka çka të thuhet dhe të shkruhet, mbi të gjitha për fenë e tij të fortë, shpresën e tij të qartë dhe dashurinë e tij të zjarrtë ndaj Zotit, Kishës, bashkimit të të krishterëve, dialogut ndërfetar, kulturës së tij vërtet të thellë dhe enciklopedike, për zemrën e tij të hapur për çdo njeri.
Më se 25 vite ishte Nën-sekretari i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, ku është dalluar gjithnjë për të mirë, për nisje dhe studime të shumta burimore, për përzemërsi dhe urti baritore, për kërkim të vazhdueshëm dhe pa kusht të bashkimit të të krishterëve, si thoshte ai “parakusht për të jetuar fenë e krishterë dhe për t’ua dëshmuar atë të gjithë njerëzve vullnetmirë”.
Kohën e fundit qe shpërblyer me disa mirënjohje të rëndësishme, si “Rosa d’argento” /2007/ për marrëdhëniet mes Vatikanit dhe Kishës Ortodokse, si dhe “Shpërblimi Arbëria” /2009/ në San Dimetrio Corone.
Këto ditë në shumë mjete pamoro-dëgjimore bëhet një lloj “bilanci” për jetën dhe veprimtarinë e ti shumëdimensionale, dhe të gjithë, pa dallim nga përkatësia fetare, pikëpamja kulturore, qëndrimet botëkuptimore, janë të njëzëshëm në këtë vlerësim: Mons. Fortino ishte “Shpirti, zemra dhe motori i ekumenizmit të Kishës Katolike në dekadat e fundit”.
Në një ndër intervistat e fundit ai kishte thënë kështu: “Dialogu i dashurisë na ndihmon që në tjetrin ta shohim vëllain tonë dhe në anën tjetër i shkakrok çështjet doktrinore nga ngarkesat e llojllojshme...”.
Mons. Fortino ishte shumë i frytshëm edhe në shkrime dhe botime, duke u nisur prej “L’Osservatore Romano” e përditshmja zyrtare e Selisë së Shenjtë, e deri te revistat apo gazetat më prestigjioze italiane dhe evropiane. Stili i tij i thjeshtë dhe i rrjedhshëm, qartësia e tij në formulimin e mendimeve, shqyrtimeve, këndvështrimeve, shpirti i tij gjithnjë pozitiv dhe konstruktiv, dëshira e madhe për takime, afrime dhe bashkëpunime, janë disa nga veçoritë e botimeve të tija.
Një kapitull i veçantë është veprimtaria e tij për kultivimin dhe promovimin e gjuhës, traditës dhe kulturës shqipe ndër Arbëreshë dhe më gjerë, të cilën vazhdimisht e pat në mend dhe në zemër. Ishte themelues i Qendrës dhe Fletushkës “Besa” në Romë, bashkëpunëtor i rregullt në “Oriente cristiano”. Ka botuar “Liturgjia greke” /1970/, “Kisha bizantine arbëreshe në Kalabri” /2000/, “Dialogu ekumenik”...
Kardinali Kasper ndër të tjera ka thënë për të: “Ishte një njeri i shenjtë, bujar dhe thellësisht i mirë. Dinte të dhuronte gëzim edhe gjatë tri ditëve të javës kur duhet t’i nënshtrohej dializës. Gëzimi i krishterë ishte stili i jetës së tij... Ishte njohës i mirë i teologjisë ortodokse”.
Do ta përfundoj këtë shkrim mbi Mons. Eleuterio Fortino me disa kujtime të mia personale. Së pari e kam takuar në Romë qysh në vitin 1968, në kremtimin e përvjetorit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, dhe prej asaj dite ishte dhe do të mbesë Vëlla-Meshtar shembullor, Njeri i Fesë dhe Kulturës Shqiptare, mikpritës dhe bujar në çdo kuptim dhe drejtim.
Çdo vizitë që e bënte Imzot Nikë Prela në Romë, në Vatikan, pikënisja e këshillimeve ishte Mons. Fortino. Çdo festim fetar, kishtar, liturgjik, por edhe kulturor kombëtar, po ashtu nismëtar dhe organizator ishte ai, si njeri që rrezatonte mirësi, besim, komunikim, që frymëzonte çdo njeri për veprim, apo thënë në terminologjinë e Nënës Terezë, e “jepte dhe e nxjerrte nga çdo njeri pjesën më të mirë të vetvetes”.
Vite të tëra ishte përkrahës dhe bashkëpunëtor i çmuar me revistën tonë fetaro-kulturore “DRITA” si dhe me botimet tona. Më kujtohen recensionet e tija shumë të qëlluara në “L’Osservatore Romano” për librin e Dr. Don Gaspër Gjinit, Ipeshkvia Shkup-Prizren gjatë shekujve, Bibla komplete në gjuhën shqipe, për X vëllimet Kisha dhe historia e saj, “Nëna jonë Terezë”, “Atenagora, Profet i bashkimit”, Nëna e Dashurisë e shumë të tjera.
Atë e patëm derë dhe dritare, për të parë dhe hyrë në qarqet e larta të Vatikanit, të Italisë dhe më gjerë, si për çështje kishtare, po ashtu edhe kombëtare dhe kulturore. Gëzohej me zemër për çdo nisje, hap, sukses tonë, dhe na përkrahte gjithnjë për të mirën e përbashkët.
Për Nënën Terezë ndër të tjera më shkruante kështu: “Nëna Terezë është përfaqësuesja më e mirë e krishterimit tonë shekullor, e traditës dhe kulturës sonë familjare dhe shoqërore, mirësisë dhe dashurisë flijuese për të gjithë... Në të çdo njeri, aq më tepër çdo shqiptar, mund dhe duhet ta gjejë kuptimin e jetës dhe flijimit, domethënien e vuajtjes dhe amshimit...”.
Para dy muajve ia dërgova botimet :Nëna Terezë, Shenjtëresha e Dashurisë, Nëna Terezë, dashuria në veprim dhe Imzot Nikë Prela, Njeriu i Zotit, Kishës dhe Popullit, në gjuhën shqipe dhe italishte. Më falënderoj përzemërsisht dhe vëllazërisht për këto dhurata, si u shpreh ai “shumë të çmuara dhe të qëlluara për ne Shqiptarët, por edhe për të tjerët”. Dhe vazhdoi: “Kisha jonë, populli ynë ka nevojë për paraqitje sa më dinjitoze. Nëna Terezë dhe Imzot Nikë Prela e kanë nderuar dhe begatuar Kishën dhe Popullin Shqiptar...”.
Ja, i tillë ishte Monsinjor Fortino, njeri që nga goja dhe zemra gjithnjë derdhte dhe dhuronte urti, mirësi, mbi të gjitha dashuri.
Pushoftë në paqe dhe ndërmjetësoftë për ne!
Prishtinë, 24 shtator 2010
Don Lush GJERGJI







All the contents on this site are copyrighted ©.