2010-09-23 06:50:05

Më 23 shtator kalendari kishtar përkujton Shën Piun nga Pietrelçina, meshtar rregulltar kapuçin.


Sot kalendari kishtar përkujton festën liturgjike të Shën Piut nga Pietralçina, meshtar rregulltar kapuçinë. Shën Piu lindi më 25 maj 1881 në Pietralçina, në provincë të Beneventos. Vetëm 16 vjeç, hyn në kuvendin e Etërve rregulltarë kapuçinë më 22 janar 1903 duke marrë emrin si rregulltar, fra Piu nga Pietralçina. Shtatë vjet më vonë bëhet meshtar, më 10 gusht 1910.
Në vitin 1916 eprorët e transferojnë në San Giovanni Rotondo, mbi Garganë, në Pulje, e këtu në kuvendin e Shën Marisë së Hireve, nis historia e tij prej traumaturgu e apostulli të Sakramentit të Rrëfimit. Më 20 shtator 1918 Atë Piu kapuçin fiton varrët e Mundimeve të Krishtit që do të mbesin të hapura, me dhimbje e gjakderdhje për 50 vjet më radhë. Vdes më 23 shtator 1968, 81 vjeç. Shpallet i lumë më 1999, kanonizohet më 16 qershor 2002 nga Papa Gjon Pali II.
Shën Piu nga Pietralçina, meshtar i Urdhrit të Fretërve të Vegjël Kapuçinë, u impenjua shumë në udhëheqjen shpirtërore të besimtarëve e në pajtimin e mëkatarëve me Zotin përmes Sakramentit të Rrëfimit. Pati një kujdes të posaçëm ndaj nevojtarëve e të varfërve, për të cilët dhuroi gjithçka e ndërtoi edhe një shtëpi-spital “Lehtësimi i vuajtjeve”. Shtegtimi tij tokësor qe plotësisht në shëmbëllim të Krishtit të kryqëzuar.
Duke përshkruar figurën e Shën Pios, duhet të nënvizojmë dy aspekte themelore të fratit nga Pietralçina: besnikërinë e tij ndaj Ungjillit dhe orientimin e vazhdueshëm drejt mbretërisë së qiellit. Atë Piu, që vazhdon të jetojë në misterin e Jezusit të vdekur e të ngjallur, ishte dishepull i Krishtit që nuk deshi tjetër veçse të donte e të vuante për Të. Ishte meshtar që nuk kërkoi gjë tjetër veçse të shkrihej në dashurinë për Zotin e për vëllezërit.
Ishte bir i sinqertë i Kishës, i cili edhe në rastet më të dhimbshme preferoi të mos mbrohej, duke e mohuar vetveten, i varrosur nën heshtjen e butë të bindjes së mundimshme, por të frytshme.
Me shfaqjen e plagëve të Krishtit në trupin e tij, Atë Piu “riprodhonte dukshëm figurën e të Kryqëzuarit” dhe fizikisht, sa herë që jepte Sakramentin e faljes, dëshmonte për çmimin e gjakut të shenjtë, që i është dashur të paguajë Krishtit për shpëtimin e njerëzimit. Plagët e Krishtit u kujtonin të gjithë atyre, që kërkonin ndërhyrje e mrekulli përmes Shën Piut, se sa kushtonin ato “hire”, që Zoti shpërndante me bujari e përdëllim.
Thelbi i jetës së Atë Piut përmblidhet në Meshën e Shenjtë, në kremtimin e përditshëm të Eukaristisë. Frati i Pietralçinës i këshillonte të gjithë besimtarët e të gjithë njerëzit, t’i afroheshin Jezusit, në një takim pa rezerva, siç mund të kuptohet edhe nga një regjistrim i zërit të shenjtit, ku pohonte:
“Të duam pa asnjë rezervë, pavarësisht nga shpërblimi, që Zoti ka në mend për ne – ajo është rrjedhojë – duke e bërë tonin moton e Shën Palit Apostull kur thotë: nuk dua të di gjë tjetër, veçse për Jezusin e për Jezusin e kryqëzuar”.

Papa: përngjani Atë Pios, ai na fton të gjithë t’ia hapim zemrën mëshirës së Zotit
Gjatë vizitës së tij në San Gjovani Rotondo më 2009 Benediktit XVI u takua me meshtarë, rregulltarë e të rinjtë, në Kishën e Shën Pios nga Pietrelçina. Papa Racinger me këtë rast ripohoi me forcë vlerën e Eukaristisë, të lutjes e të rrëfimit e tha:
“Atë Pio na fton të gjithë t’ia hapim zemrën mëshirës së Zotit, na nxit të jemi shenjtorë, dmth njerëz të sinqertë, miq të Jezusit”. Këtë theksoi Benedikti XVI, në kornizën sugjestive të Kishës kushtuar Shenjtit të Pietrelçinës. E fjala e tij, drejtuar klerit e të rinjve, u ndërpre disa herë nga duartrokitje të stuhishme. Papa e lidhi figurën e Atë Pios “fratit të përvujtë e meshtarit të zellshëm”, me atë të famullitarit të Arsit, Shën Gjon Vianejt, të cilit i kushtohet Viti Meshtarak, që sapo filloi:
“Ashtu si famullitari i Arsit, edhe Atë Pio na kujton dinjitetin dhe përgjegjësinë e shërbimit meshtarak. E kush nuk prekej thellë nga afshi me të cilin ai i rijetonte Mundimet e Krishtit në çdo kremtim eukaristik? Nga dashuria për Eukaristinë, në shpirtin e tij, ashtu si në atë të Famullitarit të Arsit, buronte gatishmëria e plotë për t’i mirëpritur besimtarët, në mënyrë të posaçme, mëkatarët”.
Edhe Atë Pio, si Shën Gjon Maria Vianej – vijoi Papa – u zbuloi besimtarëve të famullisë kuptimin e bukurinë e pendesës sakramentore. Frati shenjt i Garganos – vërejti Benedikti XVI – shkriu gjithë jetën, deri në vdekje, duke u kujdesur për shpirtrat e për kthimin e mëkatarëve në rrugën e Zotit. Kalonte orë e orë në rrëfyestore e, falë shërbimit të tij durimtar meshtarak, shumë njerëz gjetën rrugën e drejtë të jetës. Titulli më i lavdishëm që mund t’i japim Shenjtit Kapuçin është pikërisht ai i ‘Rrëfyesit’:
“Atëherë si mund të mos e llogarisim vlerën e pjesëmarrjes me devocion në kremtimin eukaristik e të afrimit sa më të shpeshtë tek Sakramenti i Rrëfimit? Posaçërisht Sakramenti i pendesës duhet vlerësuar shumë më tepër; meshtarët nuk duhet të lejojnë kurrë që rrëfyestoret të mbeten bosh e besimtarët ta shikojnë ftohtë këtë burim qetësie e paqeje”.
Njëherësh me vlerën e Sakramentit të Pendesës - shtoi Papa – Atë Pio na mësoi edhe vlerën e nevojën e lutjes. Ai lutej kudo e kurdoherë. E kështu u tregoi të krishterëve, e posaçërisht rregulltarëve, vlerën e pallogaritshme të uratës. Nganjëherë – pranoi Papa – mund edhe të çkurajohesh, kur shikon zbehjen e deri braktisjen e fesë, që vërehet në shoqërinë e shekullarizuar. Por Atë Pio na tregon se një shpirt i lidhur ngushtë me të Kryqëzuarin, arrin gjithnjë t’ua transmetojë pasurinë e Ungjillit edhe atyre që rrinë larg:
“Sigurisht duhen gjetur kanale të reja për t’ua komunikuar të vërtetën ungjillore burrave e grave të kohës sonë, por me që përmbajtja themelore e kumtit të krishterë mbetet përherë e njëjtë, është e nevojshme të kthehemi tek burimi i zanafillës, tek Jezu Krishti, që është ‘i njëjtë dje, sot e përgjithmonë e jetës”.
Ashtu si Atë Pio – tha në përfundim Papa – edhe ju duhet të jeni besnikë të Zotit Jezus, të cilit duhet t’i qëndroni pranë çdo ditë përmes lutjes e dëgjimit të fjalës së tij, duke praktikuar sakramentet e duke i përkitur me gjithë zemër familjes së tij, Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.