Imzot Balestrero në konferencën e përgjithshme të Agjencisë për Energjinë Bërthamore:
“Paqja dhe siguria janë të mundura edhe pa armët bërthamore.”
Ëndrra e një bote të lirë, pa armë bërthamore është çdo ditë e më pranë nesh, falë
kjo edhe veprimtarisë së Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, e cila
i ka themelet tek teknologjia, siguria dhe verifikimi. Sidoqoftë, janë të shumta sfidat
që do t’i duhet të përballojë në të ardhmen siç vuri në dukje në Konferencën 54 të
kësaj organizate mbajtur në Vjenë, Nënsekretari i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet
me Shtetet, Imzot Etore Balestrero.
Inkurajim për përpjekjet që bashkësia ndërkombëtare
po bën për çarmatimin e vazhdueshëm dhe braktisjen e armëve bërthamore, “të cilat
përbëjnë kërcënim për jetën e planetit tonë dhe për procesin e zhvillimit të plotë
të njerëzimit të tashëm e atij të ardhshëm edhe vetëm me praninë e tyre.” Me këto
fjalë të mesazhit të Papës Benedikti XVI për Ditën Botërore të Paqës 2010, imzot Etore
Balestrero lavdëroi veprimtarinë e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore,
mbledhur në Konferencën 54 të përgjithshme në Vjenë. Selia e Shenjtë nënvizon
rëndësinë e Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore, si “i vetmi mjet ligjor
shumëpalësh në përdorim, i cili ka si synim një botë të lirë pa armë bërthamore.”
dhe thekson se duhet t’i jepet përparësi absolute ratifikimit të Protokolleve të traktateve
mbi zonat e lira prej armëve bërthamore, nga ana e të gjitha shteteve.
Në veçanti,
Nënsekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, përmendi Lindjen e Mesme, duke uruar që
kjo zonë të bëhet një zonë e lirë nga armët bërthamore, si “shembulli më i mirë i
besimit, i bindjes dhe i pohimit se paqja dhe siguria janë të mundura edhe pa armët
bërthamore.
” Selia e Shenjtë, shtoi pastaj prelati, kujton se Agjencia Ndërkombëtare
për Energjinë Bërthamore është një pikë referimi e pazëvendësueshme për bashkëpunimin
ndërkombëtar në përdorimin e energjisë bërthamore për qëllime humanitare, për zhvillimin
e plotë të njeriut dhe për përballimin e sfidave të mëdha në botë si uji i pijshëm,
studimi i ushqimit të pamjaftueshëm tek fëmijët, diagnostikimi dhe kurimi i sëmundjeve,
nëpërmjet radioterapisë për kancerin, për shembull. Kjo agjenci, pra, jep ndihmesë
për “paqën, shëndetin dhe përparimin” duke pasur si parim “ekologjinë njerëzore”,
- përfundoi Imzot Balestrere, - kusht paraprak për zhvillimin e mirë, të cilin e
Papa Gjon Pali II e kishte aq për zemër. “ Ndërsa përpiqemi, me të drejtë, të ruajmë
habitatet natyrore, jemi tepër pak të impenjuar në mbrojtjen e kushteve morale të
“ekologjisë së vërtetë njerëzore” shkruante Papa Vojtila në enciklikën “Centesimus
annus”.