2010-09-22 17:42:01

Papa në audiencën e përgjithshme: vizita në Mbretërinë e Bashkuar konfirmon se Evropa e ka shpirtin e krishterë


(22.09.2010 RV)Një udhëtim historik për të ripohuar se Evropa ka shpirt të krishterë: kështu e përshkroi Papa udhëtimin e tij në Mbretërinë e Bashkuar, në audiencën e përgjithshme të paradites, që u mbajt në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Benedikti XVI përshkoi çastet kryesore të vizitës, e cila arriti kulmin me lumnimin e kardinalit Xhon Henri Njuman, të dielën e kaluar në Birmingam. Ati i Shenjtë bëri edhe një thirrje në favor të dialogut ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, me rastin e një takimi të rëndësishëm në Vienë.RealAudioMP3

Papa nënvizoi se vizita në Mbretërinë e Bashkuar shënoi një hap të ri të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet popullit britanik e Selisë së Shenjtë. Zemra e britanikëve dhe jeta e tyre, vërejti Ati i Shenjtë, janë gati të pranojnë Zotin e feja në këtë vend ka mënyra të ndryshme shprehjeje:
“Ky udhëtim apostolik konfirmoi bindjen time të thellë se kombet e lashta të Evropës e kanë shpirtin të krishterë, e ai është një gjë e vetme me “gjeninë” dhe historinë e këtyre popujve. Kisha nuk resht së punuari për ta mbajtur gjallë këtë traditë shpirtërore dhe kulturore”.
Papa theksoi se gjatë udhëtimit në Mbretërinë e Bashkuar, deshi sidomos të inkurajojë bashkësinë katolike, duke i folur zemrës së njerëzve, pa përjashtim, për realitetin e vërtetë të njeriut, për nevojat e tij më të thella, për fatin e tij të fundmë. Benedikti XVI kaloi nëpër etapat kryesore të vizitës, duke filluar nga dita e parë në Skoci për të vazhduar me takimin me mbretëreshën Elizabeta II në Edinburg dhe me Meshën në Belahjuston Park të Glasogut:
“Asaj asambleje liturgjike, të mbledhur në një lutje, që dukej edhe më solemne nga meloditë tradicionale dhe këngët e bukura, i kujtova rëndësinë e ungjillëzimit të kulturës, sidomos në epokën tonë, kur relativizmi kërcënon të errësojë të vërtetën e pandryshueshme mbi natyrën e njeriut”.
Më pas, foli për dy ditët londineze, që filluan me fjalimin drejtuar botës së edukimit katolik, me të cilin i këshilloi të rinjtë të mos ndjekin objektiva të kufizuara, por të shohin lart: lumturia e vërtetë gjendet në Zotin. Papa përmendi edhe takimin me krerët e feve të tjera. Për t’u kujtuar, sidomos fjalimi i Atit të Shenjtë në Uestminster Holl, që i drejtohej shoqërisë britanike:
“Në këtë vend kaq me prestigj nënvizova se feja, për legjislatorët, nuk duhet të përfaqësojë një problem për të zgjidhur, por një faktor, që kontribuon gjallërisht në rrugën historike e në debatin publik të kombit, në veçanti, duke nënvizuar rëndësinë thelbësore të bazave etike për vendimet në sektorë të ndryshëm të jetës shoqërore”.
Papa nuk harroi kremtimin ekumenik në Abacinë e Uestminsterit, çast i rëndësishëm ky për marrëdhëniet ndërmjet Bashkësisë katolike e asaj anglikane. Më pas përmendi veçanërisht të rinjtë e takuar pas meshës në katedralen e Uestminsterit. Me entuziazmin dhe vëmendjen e tyre, ata treguan se duan të jenë protagonistë të epokës së re të dëshmisë së guximshme, të solidaritetit me fakte, të impenjimit bujar në shërbim të Ungjillit, tha Benedikti XVI, që foli më pas për viktimat e abuzimeve seksuale të klerit:
“Pak më vonë, u takova edhe me një grup profesionistësh e vullnetarësh përgjegjës të mbrotjes së të rinjve e fëmijëve në ambiente kishtare, një aspekt veçanërisht i rëndësishëm dhe i pranishëm në impenjimin baritor të Kishës. I falenderova dhe i inkurajova të vazhdojnë punën, që ndërthuret me traditën e Kishës në kujdesin për respektimin, edukimin dhe formimin e brezave të rinj”.
Së fundi, Papa kujtoi kulmin e vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar, lumnimin e kardinalit Njuman në Birmingam, i cili u parapri nga lutja e mbrëmjes në Hajd Park:
“Besimtarëve të shumtë, sidomos të rinjve, desha t’iu propozoj figurën e ndritur të kardinalit Njuman, intelektual e besimtar, mesazhi shpirtëror i të cilit mund të sintetizohet në dëshminë se ndjekja e ndërgjegjes nuk do të thotë të mbyllesh në vetvete, por do të thotë të hapesh, të kthehesh e të dëgjosh Atë, që është Rruga, e Vërteta dhe Jeta”.
Papa uroi që ky shkrimtar e poet i shquar, njeri i ditur i Zotit, të njihet përmes shkrimeve të tij, që e ruajnë aktualitetin edhe sot. Pas katekizmit, Benedikti XVI kujtoi se kësaj jave, zhvillohet në Vienë, mbledhja plenare e Komisionit të Përzier Ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe asaj ortodokse. Takimi ka në qendër rolin e ipeshkvit të Romës në bashkimin e Kishës universale, për të cilin Papa bëri një thirrje të zjarrtë:
“Bindja ndaj vullnetit të Jezu Krishtit, Zotit tonë, dhe konsiderimi i sfidave të mëdha, që paraqiten sot para krishterimit, na detyrojnë të impenjohemi seriozisht në çështjen e rivendosjes së bashkimit të plotë ndërmjet Kishave. I këshilloj të gjithë të luten intensivisht për punimet e Komisionit e për zhvillimin e konsolidimin e vazhdueshëm të paqes e mirëkuptimit ndërmjet të pagëzuarve, në mënyrë që të jemi në gjendje t’i japim botës një dëshmi ungjillore gjithnjë e më të vërtetë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.