2010-09-22 18:20:11

Luftimi i mjerimit e jo lufta ndaj të varfërve. Rezoluta e paraqitur në OKB mbi gratë e fëmijët rrezikon të mbështes përdorimin e abortit.


Samiti i Kombeve të Bashkuara mbi varfërinë.Pas njoftimit bërë nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon për shumën e caktuar prej 40 miliardë dollarësh për përmirësimin e kushteve shëndetësore të grave e fëmijëve në botë, punimet e samitit mbi objektivat e mijëvjeçarit organizuar në Nju Jork në kuadrin e sesionit përurues të Asamblesë së 65-të të përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, po i afrohen përfundimit.
Ban Ki-moon tha se shuma e financave është mbledhur përmes donacioneve të Qeverive, shoqatave e individëve bamirës e shprehi kënaqësinë për rezultatin e arritur. “ E dimë se çka duhet – tha ia – për të shpëtuar jetën e grave e të fëmijëve dhe dimë se sa të vështira janë kushtet e tyre, në krahasim me standardet e objektivave të mijëvjeçarit. Sot jemi dëshmitarë të natyrës së atij lidershipi për çka kemi nevojë”.
Në tekstin e rezolutës që do ti nënshtrohet sot Asamblesë së përgjithshme, pranë angazhimit që synon reduktimin e vdekshmërisë së fëmijëve e atë të grave gjatë lindjes apo për komplikime të shtatzënisë, “nuk mungon as keqinterpretimi e keqpërdorimi i abortit si metodë e planifikimit familjar, çka është kundër ligjit natyror, siç tha kardinali Peter Turkson, president i Këshillit Papnor për Drejtësi e Paqe e kreu i delegacionit të Selisë së Shenjtë në këtë samit.
Kujtojmë se në punime të samitit të Kombeve të Bashkuara mbi varfërinë në Nju Jork marrin pjesë 140 udhëheqës nga Vendet e pasura dhe të varfra për ta rishikuar përparimin e bërë në drejtim të arritjes së Synimeve të Mijëvjeçarit. Në mesin e folësve të sotëm do të jenë presidenti amerikan, Barak Obama dhe kryeministri i Kinës, Ven Xhiabao. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha dje se Vendet duhet të marrin përsipër zhvillimin e tyre dhe të pushojnë së mbështeturi në shtrirjen e dorës.







All the contents on this site are copyrighted ©.