2010-09-21 12:40:02

Sot më 21 shtator Kisha përkujton Shën Mateun, Apostull e Ungjilltar.


Mateu, në Ungjillin e tij, flet vetë për thirrjen që Jezusi i bëri: “Jezusi, si shkoi prej andej, pa një njeri që quhej Maté, ndenjur në doganë e i tha: “Eja mbas meje!”. Ai u ngrit e shkoi pas Tij” (Mt 9,9.)
Shën Marku shton hollësinë se babai i të thirrurit quhej Alfeo, ndërsa Shën Luka rrëfen se pasi la gjithçka për të ndjekur pas Jezusin, Mateu shtroi një gosti të madhe, në të cilën morën pjesë shumë publikanë, duke ngjallur kështu polemika të ashpra nga ana e farisenjve, të cilët u mrekulluan kur panë se Jezusi hante me mëkatarët. Të dy ungjilltarët e quajnë Mateun edhe Levi, ashtu si Simoni quhet edhe Pjetër e Sauli- Pal. Emri i parë është Levi – i dyti, Maté, përdoret pas thirrjes nga Jezusi. Pas Rrëshajëve Mateu shkroi Ungjillin në gjuhën aramaike për të krishterët e kthyer prej hebrenjve, për t’ua plotësuar mungesën e tij, kur u nis për të predikuar Krishtin në vise të tjera. I shkruar në gjuhën aramaike që e kuptonin pak njerëz, Ungjilli i Mateut u bë libër për të gjithë, pasi më vonë u përkthye në gjuhën greke. Ndër katër Ungjijtë, ky i Mateut është më i ploti dhe më mirë i sistemuar. Ungjilli i Mateut është i përqendruar në Personin e Jezu Krishtit: Ai është Krishti - Mesia. Pra dëshmon, mbi të gjitha, se Jezusi është Mesia që realizon premtimet e Besëlidhjes së Vjetër dhe përmban pesë kumtime të rëndësishme të Krishtit mbi Mbretërinë e Hyjit.
Mateu ishte nga Kafarnao, qendër e rëndësishme, ku kalonin masa tregtarësh, nga të cilët mblidhte taksat.
E pikërisht ky njeri, kaq i lidhur me botën e parasë, në Ungjillin e tij do të shkruante fjalët e Jezusit: “Lum të varfërit!”; “Kur jep lëmoshë, të mos e dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë” dhe “Mos grumbulloni thesare mbi tokë… nuk mund t’i shërbehet njëkohësisht edhe Zotit edhe pasurisë… Kërkoni më parë mbretërinë e Zotit, e gjithçka tjetër ka për t’ju dhënë si shtesë”.
Ky është mesazhi që na sjell sot Shën Mateu, Apostull e Ungjilltar, një nga hebrenjtë që u bënë dëshmitarët e ngjalljes së Krishtit dhe i kumtuan botës se Jezusi i Nazaretit është Mesia i premtuar nga Shkrimet e Shenjta.
Ka shumë mundësi që të ketë vdekur nga vdekje natyrore, ndonëse burime pak të besueshme flasin për martirizimin e tij.
*******
Figura e Shën Mateut, nga tagrambledhës në apostull. Kumtimi i Ungjillit i ofron mëkatarit faljen e Zotit.
Emri Maté në hebraisht do të thotë “dhuratë e Zotit”.
Kujtojmë se Benedikti XVI i kushtoi Mateut katekizmin në audiencën e përgjithshme të 30 gushtit 2006. Apostulli e Ungjilltari Maté na mëson se kush e ndjek pas Krishtin nuk mund të jetojë i kapur për pasuri të pandershme!
Mateu apostull, vjelës i taksave i thirrur nga Jezusi, ngrihet dhe e ndjek pas, është shembull i atij që ndahet prej çdo gjëje për të ndjekur Krishtin. Ky është mësimi që Benedikti XVI u ofroi sot besimtarëve të pranishëm në audiencën e përgjithshme, mbajtur paradite në sallën e Palit VI në Vatikan. “Edhe sot – tha Papa – nuk është e pranueshme kapja apo lidhja për ato sende që janë të papajtueshme me udhën e Jezusit, sikur është rasti i pasurive të pandershme”.
Jezusi nuk përjashton askënd nga miqësia e tij dhe kumtimi i mirë i Ungjillit qëndron pikërisht në dhuratën e hirit të Zotit për mëkatarin. Më këto fjalë mund ta përmbledhim katekizmin e Atit të Shenjtë Benediktit XVI, të cilin sot, ia kushtoi figurës së Mateut apostull. Tagrambledhësi që rrinte ndenjur në bankën e doganës e të cilit Jezusi iu drejtua me fjalët të thjeshta “Eja mbas meje!” dhe ai menjëherë u ngrit dhe shkoi pas tij, është shembull, nënvizoi Papa Racinger, i gatishmërisë së përgjigjes së menjëhershme ndaj thirrjes dhe të braktisjes së çdo gjëje për të ecur në gjurmët e Mësuesit Hyjnor. Ajo e Mateut, është një histori, vijoi Papa, që ende sot mëson shumëçka:
“Është e qartë se Mateu e kuptoi se familjariteti me Jezusi nuk i mundësonte të vijonte më në aktivitetin që Zoti nuk e pëlqente, nuk e miratonte. Shumë i lehtë është zbatimi i këtij shembulli për kohën aktuale: akoma sot nuk është e pranueshme kapja e lidhja për sende që janë të papajtueshme me ndjekjen e udhës së Jezusit, sikur është rasti i pasurive të pandershme”.
Në të ecurit të Mateut pas Jezusit, shtoi Benedikti XVI, “është legjitime të lexohet distancimi nga gjendja e mëkatit dhe njëkohësisht aderimi i vetëdijshëm në një jetë të re”. Në figurën e këtij apostulli, pohoi Ati i Shenjtë, “Ungjijtë na propozojnë një paradoks të vërtetë”:
“Kush, në vështrim të parë,duket se është më larg nga shenjtërimi, mund të bëhet madje deri një shembull i pranimit të përdëllimit të Zotit e të lejimit të rrezatimit të fryteve të mrekullueshme në ekzistencën e vet”.
Mateu, që në hebraishte domethënë “dhuratë e Zotit”, tagrambledhës, është një person që sipas botëkuptimit që ishte në fuqi në Izraelin e shekujve të parë, konsiderohej mëkatar publik. “ Ai përdorte paratë që konsideroheshin të papastërta për shkak të prejardhjes së tij prej njerëzve që nuk i përkisnin popullit të Zotit”, shpjegoi Papa, e “bashkëpunonte edhe me autoritetet e huaja, lakmues të urryeshëm, haraçi i të cilëve mund të vendosej edhe në mënyrë arbitrare”. E megjithëkëtë, Jezusi e pranon në rrethin e ngushtë të nxënësve të tij, duke dhënë një mësim të madh:
“Derisa ishte në sofër në shtëpinë e Mateut-Levi, e në përgjigje të vërejtjes së atyre që shkandulloheshin për faktin se Ai (Jezusi) frekuentonte shoqëri jo fortë të rekomandueshme, shqipton deklaratën e rëndësishme:“Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurve. Nuk erdha të grish të drejtët, por mëkatarët.”
Benedikti XVI kujtoi së fundi se Mateu është autori i Ungjillit të parë, apostulli e shkroi në gjuhën hebraike por ne sot e kemi përkthimin e Ungjillit të tij në gjuhën greke. Është një Ungjill, përfundoi Papa, në të cilin nxënësi nxiton të shpall përdëllimin shpëtimprurës të Zotit:
“Ta dëgjojmë këtë porosi të Shën Mateut, ta meditojmë gjithmonë e sërish, për të mësuar edhe ne të ngrihemi e ta ndjekim Jezusin deri në fund e plotësisht”.
Në mbarim të audiencës, Benedikti XVI, pas përshëndetjes në gjuhë të ndryshme të tetë mijë shtegtarëve të pranishëm në audiencë, u drejtoi një përshëndetje të rinjve, të sëmurëve e të posamartuarëve. Atyre, Papa u paraqiti “shembullin heroik të Shën Gjon Pagëzuesit”, martirizimin e të cilit Kisha e përkujtoi dje, si nxitje për të projektuar jetën në besnikëri të plotë ndaj Krishtit, për t’u ballafaquar me vuajtjet me guxim e për të dëshmuar një dashuri të sinqertë për Zotin e ndaj të afërmit.







All the contents on this site are copyrighted ©.