2010-09-21 15:09:05

Samiti OKB-së mbi objektivat e Mijëvjeçarit. Kardinali Turkson: ta luftojmë varfërinë, jo të varfërit


Verifikimi i përparimeve të bëra, analizimi e asaj që nuk është kryer ende dhe përshpejtimi i objektivave që duhen arritur deri në 2015. Ky është qëllimi i mbledhjes plenare të Kombeve të Bashkuara mbi objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, thirrur nga Asamblea e Përgjithëshme e OKB-së që u çel dje në Nju Jork dhe do të mbyllet nesër. Janë më shumë se 100 kryetarë të shteteve që marrin pjesë në këtë samit. Delegacioni i Selisë së Shenjtë kryesohet nga kryetari i Këshillit Papnor për Drejtësinë dhe Paqën, kard. Peter K. A. Turkson.
“Çdo orvatje për të përdorur objektivat e Mijëvjeçarit për të përhapur dhe për të imponuar një stil jete egoist, ose ç’është më keq, politika demografike për të zvogëluar me mjete ekonomike numrin e të varfërve, do të ishte dritëshkurtër dhe keqdashëse.” u shpreh mes tjerash në fjalimin e tij përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë, kard. Turkson.
Këtu prelati e kishte fjalën këtu për pjesën e fundit të dokumentit përfundimtar në të cilën flitet, për “shëndet seksual dhe riprodhues” dhe për frazën tjetër që është “planifikim familjar”, të cilat sipas Selisë së Shenjtë “ngjallin shqetësime të thella”.
“Ka disa terma që zgjojnë kundërshtime, shpjegoi kard. Tukson, e që shpesh interpretohen si përfshirje e abortit dhe e metodave të planifikimit familjar, të cilat nuk përputhen me ligjin natyror.”
Duke theksuar se nuk po flet vetëm si klerik, por edhe si afrikan që rrjedh nga një familje e varfër, kardinali Turkson, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mos ketë frikë nga të varfërit dhe sidomos t’i përdorë objektivat e Mijëvjeçarit për të luftuar varfërinë dhe jo për të zhdukur të varfërit.
Ndër pengesat kryesore për zhvillimin e vendeve të varfëra kardinali nënvizoi, përveç të tjerash, “sjelljen e pandershme dhe të papërgjegjëshme të pjesës më të madhe të operatorëve financiarë, nacionalizmat e tepruara, interesat korporative, ideologjitë e reja e të vjetra, nxitjen e luftrave dhe të konflikteve, trafikun e paligjshëm të njerëzve, lëndët narkotike si edhe operatorët e paskrupullt, ekonomikë dhe shoqërorë, të vendeve më të zhvilluara".







All the contents on this site are copyrighted ©.