2010-09-21 20:06:08

Nënë Tereza përkujtohen nga bashkia e Romës, një shesh i këtij qyteti do të ketë emrin Nënë Tereza.


Përkujtimi i Nënë Terezës, e cila u quajt “dritare e hapur nga e cila Zoti e shikon botën”, “do të thotë të angazhohemi të gjithë, që nga dita e sotme, për të ndezur dritën” e dashurisë e të bamirësisë. Kështu pohoi kardinali Angjelo Komastri, përgjegjës i Bazilikës së Shën Pjetrit e vikar i Papës për Qytetin e Vatikanit, në ceremoninë përkujtimore në bashkinë e Romës mbajtur dje me rastin e 100 vjetorit të lindjes së misionares shqiptare, që lindi në Shkup më 1910, ndërroi jetë më 1997 në Kalkutë, ndërsa u shpall e Lume më 2003 në Vatikan. Në këtë ngjarje, organizuar nga Kampidolio - Bashkia e Romës në Sallën Protomoteka, përveç kardinalit Komastri, morën pjesë kryetari i bashkisë së Romës Alemanno, këshilltarja e përgjithshme e Motrave Misionare të Dashurisë, motër Joanna, imzot Pranhu Peter, nunci i dikurshëm në Zimbabve e personalitete tjera.
Duke folur për veprimtarinë e së Lumes Nënë Terezë, kardinali Komastri mes tjerash shtoi: “Shpesh herë bëhen projekte në tavolinë e në tavolinë edhe mbesin. Ajo përkundrazi ishte konkrete e duke vepruar me dashuri e ndezi në botë flakën e guximshme të dashurisë bamirëse”.
Nga ana e tij kryetari i bashkisë së Romës Alemanno nënvizoi se si për qytetin e Romës është punë “ e drejtë dhe e detyrueshme” të nderon 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës. “Ajo - tha Alemanno - na mëson si ti kapërcejmë ndarjet e përçarjet për të shmangur që të mbyllemi në vetvete, e të luftojmë eliminin e shërimin e tragjedive që ka njerëzimi”. Më tutje, vërejti kryetari i bashkisë së Romës, misionarja shqiptare “në Romë ka lënë shenja e gjurmë që vijojnë të riprodhohen ende sot, siç janë qendrat humanitare e bamirëse të Motrave që veprojnë në emër të saj e këto për ne janë bekim, dhuratë që Nënë Tereza vazhdon t’i bëjë qytetit tonë”.
Alemanno njoftoi se së shpejti një shesh i Romës do të ketë emrin e Nënë Terezës, si qytetare nderi e kryeqytetit shpallur më 1996.







All the contents on this site are copyrighted ©.