L’Osservatore Romano: Papa përmbysi parashikimet e udhëtimit në Mbretërinë e Bashkuar
Udhëtimi i Benediktit XVI në Mbretërinë e Bashkuar pati sukses të plotë, siç kanë
shkruar shumë media, jo vetëm në këtë vend, duke kapërcyer kështu, analizat me paragjykime,
që flisnin për ditë të vështira, për të mos përmendur lajme të rreme e të ndryshuara
për të errësuar rëndësinë e vizitës. Kështu shkruan gazeta e Vatikanit “L’Osservatore
Romano” në editorialin e drejtorit të saj, Xhan Maria Vian, i cili bën një bilanc
të këtij “udhëtimi historik”, siç e quan. “Përmbysja e parashikimeve, mëse e dukshme
nga sa panë e dëgjuan Papën këto ditë – shkruan Vian – i duhet atribuar pikërisht
Benediktit XVI, i cili u paraqit me thjeshtësi e zemërhapur. Ndjenja, që u kuptuan
menjëherë nga shprehja e fytyrës dhe fjalët që tha”. Ndër çastet që vë në dukje
gazeta e Selisë së Shenjtë, përveç lumnimit të kardinalit Xhon Henri Njuman, janë
lutja në Hajd Park me 80 mijë të rinj, fjalët e fuqishme të Papës për abuzimet me
të miturit, takimi me disa viktima të abuzimeve e me një grup të impenjuar në mbrojtjen
e fëmijëve, takimi me të moshuarit, që i trajtoi si të ishte vëllai i tyre, zhvillimi
i marrëdhënieve me anglikanët, edhe për hir të miqësisë me kryeipeshkvin Rouan Uiliams. Gurët
kilometrikë të këtij udhëtimi, qenë pa dyshim vizita tek mbretëresha Elizabeta II,
takimi me autoritetet civile në Uestminster Holl, bisedimet me liderët politikë e
me kryeministrin David Kamerun, i cili nënvizoi para nisjes së Papës, kontributin
pozitiv të fesë në debatin politik.