2010-09-21 15:41:05

Jehona e fjalëve të Papës thënë nga zemra në Mbretërinë e Bashkuar


Udhëtimi i Papës Benedikti XVI në Mbretërinë e Bashkuar vazhdon të ketë jehonë të madhe ndërkombëtare, sidomos në mediat botërore. Katër ditët e takimeve e të kremtimeve, me pjesëmarrje të jashtëzakonshme e të ndjerë, i lanë vendit një mesazh të qartë e të fuqishëm. Por le t’i përshkojmë sëbashku pikat kulmore të vizitësRealAudioMP3

Papa u nis për në Mbretërinë e Bashkuar, në mesin e shqetësimeve për polemikat, për manifestimet e mundshme antikatolike e për kundërshtimet e ndryshme. Gazetarëve, në avionin për në Britaninë e Madhe, Benedikti XVI u sqaroi:
“Duhet të them se nuk jam i shqetësuar… Vendet perëndimore, secili sipas mënyrës së vet të veçantë e sipas historisë së tyre, kanë rryma të forta antiklerikale e antikatolike, por feja është gjithnjë e pranishme… Natyrisht, Britania e Madhe ka historinë e vet të antikatolicizmit, kjo është e qartë, por është edhe një vend me histori të madhe tolerance. Kështu, jam i sigurtë se nga njëra anë, katolikët e besimtarët në përgjithësi do të më presin pozitivisht, nga ana tjetër, do të tregojnë vëmendje të gjithë ata që kërkojnë rrugët për të shkuar përpara në këtë kohë e, do të ketë respekt e tolerancë të ndërsjelltë, aty ku ka antikatolicizëm. Shkoj përpara me guxim e gëzim të madh”.
Parashikimet e fillimit u përmbysën krejtësisht: Papa u prit, ashtu si pak e imagjinonin. Çoi me përvuajtëri e respekt “dritën e ëmbël të fesë”, siç e quante kardinali Njuman, në një tokë, që ka etje për Zotin, pavarësisht se duket se nuk i intereson. Ati i Shenjtë u foli nga zemra e tij zemrave të britanikëve: Jezusi – u tha – është në zemrën e scilit prej nesh, është aty gjithmonë, duke pritur qetësisht të mblidhemi rreth Tij e t’i dëgjojmë zërin, në heshtje, duke u larguar nga zhurmat e jetës së përditshme, sepse në heshtje e gjejmë Zotin.
“True happiness is to be found in God…”
Papa ftoi në veçanti të rinjtë të kërkojnë gëzimin e vërtetë, pasi tragjedia e ditëve të sotme është se shumë nuk arrijnë ta gjejnë kurrë. Kërkojnë aty ku s’duhet, vërejti Benedikti XVI. “Zgjidhja është e thjeshtë: lumturia e vërtetë duhet kërkuar në Zotin”.
“Witnesses of the beauty of holiness…”
Ati i Shenjtë u kërkoi laikëve të dëshmojnë bukurinë e fesë, të gëzimit e të lirisë, që mund të lindin vetëm nga marrëdhëniet e gjalla me Krishtin, nga lutja e vazhdueshme e nga hiri i sakramenteve. Në vazhdën e kardinalit Njuman, uroi që bota e besimtarëve laikë të jetë inteligjente dhe e mirëformuar, jo arrogante – tha Papa – jo polemike, që di mirë se ç’duhet të besojë e ç’nuk duhet të besojë, duke shpjeguar kështu arsyet e fesë së vet.
“One of the greatest challenges facing us today…”
“Një nga sfidat më të mëdha të sotme është si t’i flasim në mënyrë bindëse… për fuqinë çliruese të Fjalës së Zotit, një bote që shpesh e sheh Ungjillin si kufizim për lirinë njerëzore”.
Por, shpallja e së vërtetës nuk kërkon konsensusin e lehtë, pasi fuqia e bindjes vjen nga vetë e vërteta e jo nga elokuenca njerëzore, apo nga arsyetimet. Kisha nuk bën prozelitizëm, nuk përpiqet të jetë tërheqëse me çdo kusht:
“Do të thosha se një Kishë që përpiqet sidomos të jetë tërheqëse do të ishte në rrugë të gabuar. Sepse Kisha nuk punon për vete, nuk punon për të rritur shifrat e kështu, pushtetin e vet. Kisha është në shërbim të një Tjetri, shërben jo për vete, për të qenë e fortë ajo vetë, por për të afruar pranë njerëzve mesazhin e Jezu Krishtit”.
E besnikëria ndaj së vërtetës – nënvizoi Papa – paguhet shtrenjtë, edhe atëherë kur nuk nevojitet të japësh jetën, por kur të tregojnë me gisht si i parëndësishëm, kur të përqeshin ose tallen me ty. Megjithëkëtë, Kisha nuk mund të heqë dorë nga detyra për të shpallur Krishtin e Ungjillin e Tij.
“I cannot but voice my concern at the increasing marginalization…”
Papa nënvizoi një paradoks: faktin që feja, sidomos krishterimi, mënjanohen gjithnjë e më shumë, pikërisht në ato vende që i japin tolerancës vlerë të madhe. Në bazën e vlerave moderne të lirisë është krishterimi, e megjithatë, aty ku kjo liri ngrihet në qiell, ka nga ata që duan t’ia mbyllin gojën fesë, ose ta lënë në sferën thjesht private, duke i detyruar të krishterët e impenjuar në politikë të veprojnë kundër ndërgjegjes. Në këtë kuadër – tha Benedikti XVI – figura e shën Tomas Murit, që pagoi me jetën e vet, vendimin për t’i shërbyer Zotit e jo mbretit, mbetet gjithnjë aktuale. Papa bëri thirrje për respektimin e lirisë së ndërgjegjes, për vendosjen e politikës mbi bazat e parimeve morale, me ndihmën e fesë e të arsyes.
Prekës, qe takimi me viktimat e abuzimeve nga ana e disa anëtarëve të klerit, një plagë – tha Ati i Shenjtë – që minon seriozisht besueshmërinë e Kishës. Shprehu dhimbje, turp e përvuajtëri për këto “krime të pafalshme”, duke përsëritur impenjimin për t’u dhënë ndihmë viktimave, për të qenë transparent, për të parandaluar e për të bashkëpunuar me autoritetet civile në dorëzimin e fajtorëve para drejtësisë:
“Këto zbulime kanë qenë një shok për mua. Janë trishtim i madh, është e vështirë të kuptohet se si u bë i mundur ky perversion i shërbimit meshtarak… është trishtim i madh, trishtim edhe për faktin se autoritetet e Kishës nuk vigjëluan sa duhet e nuk qenë të shpejtë e të vendosur në marrjen e masave të nevojshme. Për gjithë këtë… më duket se duhet të kalojmë nëpër një kohë pendese, kohë përvuajtërie e të rinovojmë e të mësojmë sërish sinqeritetin absolut”.
Të ngrohta e vëllazërore, takimet me anglikanët dhe me përfaqësuesit e besimeve të tjera të krishtera. Benedikti XVI bëri thirrje për bashkim, duke nënvizuar urgjencën e dëshmisë së përbashkët të Ungjillit, të lirë nga konformizmi intelektual e nga përshtatja mendjelehtë me frymën e kohës.
“The prophetic voice of Christians…”
Ipeshkvijve u kërkoi të bëhen zë profetik në favor të të varfërve, sidomos në këtë kohë krize, duke promovuar praktikimin e virtyteve në jetën publike. Papa i ftoi ta paraqesin të plotë mesazhin e Ungjillit, duke përfshirë edhe ato elemente, që sfidojnë bindjet e kulturës bashkëkohore. Pastaj, i nxiti përfaqësuesit e feve të tjera të bashkëpunojnë për të mirën e njerëzimit, një objektiv, që mund të arrihet duke filluar nga liria fetare, theksoi.
“Society today needs clear voices…”
Shoqëria e sotme – vërejti Papa – ka nevojë për zëra të qartë, që të dinë ta rrezatojnë Krishtin: secili prej nesh – përfundoi Benedikti XVI – ka një mision, secili prej nesh është i thirrur të ndryshojë botën, duke dëshmuar mëshirën e dashurinë e Zotit të kryqëzuar, burim i jetës dhe i shëlbimit tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.