2010-09-21 18:03:15

Hapet sërish Biblioteka Apostolike e Vatikanit


Pas punimeve tri vjeçare, Biblioteka Apostolike e Vatikanit ka hapur dje arkivat e vet për hulumtues, profesorë e studentë të botës mbarë, duke vënë në dispozicion të tyre një thesar prej afër 150 mijë vëllimesh me dorëshkrime, një milion libra të shtypur, prej të cilëve 8.400 inkunabula (libra të shtypur para vitit 1500), e qindra mijëra mes monedhash, medaljesh, stampash e gravurash.
Kujtojmë se në Bibliotekën e Vatikanit ruhet edhe kopja e vetme e “Mesharit” të dom Gjon Buzukut, libri i parë në gjuhën shqipe botuar më 1555, që është vepër e rëndësishme në aspektin kishtar e kombëtar për historinë shqipe. E po në këtë bibliotekë të Selisë së Shenjtë ruhen edhe dorëshkrime e dokumente tjera të shumta e të rëndësishme për historinë e popullit shqiptar në të gjitha aspektet. Të dëgjojmë si kaloj dita e parë e ri-hapjes së Bibliotekës së Vatikanit, nga prof. Ambrogio Piazzoni, zëvendës-prefekt i Bibliotekës Apostolike:

 
Siç pritej kaloi shumë mirë e, pas mbylljes tri vjeçare, kishte një pritje të padurueshme e teje të madhe. Studiuesit që janë paraqitur në ditën e parë të hapjes, në realitet ishin më pak nga ata që përfaqësojnë mesataren e personave që frekuentojnë bibliotekën: ishin 65 persona, ndërsa normalisht kemi nga 130-140 studiues çdo ditë. Ndoshta numri ka qenë më i vogël nga frika e idesë se mos do të kishte pasur tepër shumë njerëz në ceremoninë e ri-hapjes. Natyrisht studiuesve të ditës së parë iu ndeshtë të mësonin edhe funksionimin e teserës elektronike përmes së cilës tani e tutje mund të hyhet për shërbime e kërkesa të ndryshme, përveç hyrjes qendrore të Bibliotekës e përshkimit të pjesëve të ndryshme brenda saj, sepse ekzistojnë edhe disa pjesë të veçanta që studiuesit duhet ti përshkojnë në brendësi. Njerëzit qenë shumë të emocionuar e, do të thosha edhe të përmalluar. Fola me disa prej studiuesve, që kishin ardhur dje, e ideja e emocionit për t’u kthyer më fund këtu për studime e kërkime shkencore ishte një ndjenjë shumë e përhapur ndër ta.

Sigurisht që edhe për ju ka qenë një emocion i veçantë duke shikuar sallat e bibliotekës të mbushura përsëri me studiues?

Biblioteka pa njerëzit që vijnë tek ne për të studiuar është një ndërtesë gati e vdekur. Sigurisht që, kjo periudhë e punimeve ishte pak sa e vështirë, me punëtorët që punonin, lëvizjet dhe zhurma e tyre të vazhdueshme në një farë mënyre përbënin një vështirësi, po gjithsesi kjo është natyra e punës që është bërë, ndërsa natyra e vërtet e bibliotekës është qetësia dhe heshtja, me njerëzit që rrijnë duke menduar, lexuar e që, nga ky lexim, nxjerrin motive e momente të një rritjeje e dobie të madhe.

Profesor Piazzoni, nëse nuk gaboj, në thesarin e Bibliotekës së Vatikanit, përveç një milion stampash, janë edhe afër 150 mijë vëllime me dorëshkrime. A janë bërë punime edhe në salla e mjedise ku ruhen këto dorëshkrimet teje të çmueshme?

Natyrisht ekziston një depo, që është një depo e nëndheshme, ku dorëshkrimet janë ruajtur kohë më parë e ku ruhen ende sot me shumë kujdes, e ky vendstrehim është zbrazur e sistemuar me disa elemente të reja, siç është veshja e veçantë kundër pluhurit, sistemi i ngrohjes dhe i ajrit e elemente tjera që kërkon një mjedis i tillë. Kemi shfrytëzuar nga rasti për të ndërtuar edhe një sallë të vogël depoje të veçantë për papirusa që kanë nevojë për kushte klimaterike të veçanta.

Mund të themi që edhe natyra e shërbimit, edhe vet atmosfera humaniste e universale që karakterizon zhvillimin e shërbimin në Bibliotekën e Vatikanit, bëjnë që kjo të mos ketë vetëm rolin e ruajtjes së librave e të dorëshkrimeve, por që të jetë edhe vend i rëndësishëm takimi...

Sigurisht që po. Fjalët që Papa Nikolò V pati përdorur, në gjysmën e 1400-tës, duke folur për Bibliotekën që ishte duke themeluar, ishin ato të ndërtimit të këtij instituti të ri për atë që ai e quajti “dobi e përbashkët e njerëzve të shkencës”. Ka qenë vërtet një risi shumë e rëndësishme, sepse kjo tregonte se në një farë mënyre bëhet fjalë për një bibliotekë publike, e jo vetëm të rezervuar personalin e Kuries Romake. Në realitet ky mision - dobia e përbashkët e njerëzve - është mision që ne akoma sot përpiqemi ta kryejmë







All the contents on this site are copyrighted ©.