2010-09-21 15:14:07

Bashkësia Islame në Maqedoni, kërkonndihmë kundër islamit radikal


Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni ka kërkuar ndihmë nga përfaqësuesit e huaj dhe subjektet politike kundër siç tha "vehabistëve radikalë". Autoritet thonë se po ndjekin situatën në terren. Kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoni, Sulejman Rexhepi në Shkup, kërkoi ndihmë për siç tha përballjen me vehabistët radikalë. Rexhepi në një konferencë për shtyp, pas një takimi me imamët që veprojnë në diasporë i kërkoi ndihmë subjekteve politike dhe përfaqësuesve të huaj, sidomos SHBA ve dhe BE së.
"I bëjmë thirrje partive politike shqiptare, Qeverisë, institucioneve shtetërorë si dhe të gjitha subjekteve të akredituara në Maqedoni në veçanti Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe asaj të Bashkimit Evropian me seli në Shkup, që të përkrahin Institucionin e BFI së dhe të marrin masa të duhura kundër këtyre individëve radikal, qëllimi i të cilëve është dëmtimi i Islamit si fe", tha Sulejman Rexhepi, kreu i Bashkësisë Islame në Maqedoni, institucioni që rregullon jetën e komunitetit Mysliman.
Deklaratat e tij vijnë, pasi më herët në media ishte njoftuar se disa xhami në Shkup kontrollohen nga grupe që predikojnë islamin në mënyrë të ndryshme nga ai tradicional në Shkup, transmeton BBC. Kjo është hera e parë që zyrtarët e Bashkësisë Fetare Islame bëjnë apel për ndihmë ndaj atyre që cilësohen si predikues të islamit radikal. Më herët Bashkësia Islame e Maqedonisë mohonte që në Maqedoni veprojnë struktura të tilla. Subjektet politike shqiptare të cilave iu drejtua apeli për ndihmë nuk kanë reaguar.







All the contents on this site are copyrighted ©.