2010-09-20 16:19:32

Shugurimi diakonal i fra Aleksandër Tanushit në Gjakovë


Më 19 shtator në Kishën e shën Pjetrit e Palit në Gjakovë, u kremtua shugurimi diakonal i françeskanit shqiptar Atë Aleksandër Tanushi. Meshën e shugurimit e kryesoi ipeshkvi i vendit imzot Dodë Gjergji, në bashkëkremtim me gardianin e famullitarin e kësaj bashkësie Atë Anton Nua, françeskanë e meshtarë të tjerë. Mbi këtë ditë feste e gëzimi për bashkësinë kishtare të Gjakovës, të dëgjojmë njoftimin e Rabie Ibrajt nga Prishtina......RealAudioMP3
 
Në homelinë gjatë meshës, ipeshkvi foli për rëndësinë e sakramentit të meshtarisë dhe u bëri thirrje djemve të kësaj famullie të “lë gjithçka, ta marrin kryqin e Krishtit e të shkojnë pas Tij”.
Diakonati është hapi i parë drejt hirit të Urdhrit Meshtarak. Është diakoni ai i cili ndihmon ipeshkvin dhe meshtarin në kremtimin e Meshës së Shenjtë. Diakonit të ri ipeshkvi ia kujtoi detyrat dhe obligimet që i ka në kishë. Diakoni duhet ta predikoj Ungjillin, ta dëshmojë atë dhe me jetën e vet ta jetojë. Diakoni mund ti kryej të gjitha detyrat e meshtarit, përpos të kremtimit të meshës dhe sakramentit të rrëfimit.
Mesha u transmetua drejtpërdrejtë nga Radio Maria, kështu që shumë njerëz patën mundësinë përmes valëve të kësaj radioje të marrin pjesë në këtë gëzim”.
Gjatë drekës imzot Doda i falënderoi të gjithë, por në veçanti e falënderoi nënën e fratit, që e lindi dhe e rriti vetëm për Krishtin.

Kush është Fra Aleksandër Tanushi?

Fra Aleksandër Tanushi është nga Novosella e Epërme, famullia e shën Rrokut në Novosellë. Është i lindur më 09 gusht 1983 në Gjakovë nga prindërit † Jozef dhe Veronika Tanushi, l. Marjakaj. I pagëzuar është më 20 gusht 1983, ndërsa i krezmuar më 01 qeshor 1998. Shkollën fillore e ka përfunduar në Novosellë të Epër, kurse gjimnazin në Gjakovë.
Në postullatur të Rregullit Françeskan të Provincës Bosna Srebrena ka hyr në shtator të vitit 2002. Zhgunin françeskan e ka veshur në Jajcë (Bosnjë) më 13. korrik 2003, ku njëherë fillon noviciatin në Kuvendin Françeskan në Gorica – Livno. Kushtet e para i pranon më 25 korrik 2004 në Gorica – Livno, kushtet e përjetshme, më 15 shtator 2008 në Bihać.
Fra Aleksandri i ka përfunduar studimet të cilat kërkohen për shugurimin diakonal. Me rastin e shugurimit diakonal i dëshirojmë shumë bekime në vreshtën e Krishtit sipas karizmës françeskane. Jezu Krishti Zot qoftë ndihma e tij.

Don Albert Jakaj







All the contents on this site are copyrighted ©.