2010-09-20 18:31:10

Shqipëri: Topi është detyrim përmbushja e standardeve


Presidenti Shqipërisë, Bamir Topi siguroi sot, se përmbushja e standardeve integruese është një detyrim, por edhe domosdoshmëri për shtetin shqiptar, ndërsa vlerësoi mbështetjen e fuqishme që Britania e Madhe i ka dhënë Shqipërisë në mbarëvajtjen e proceseve integruese.
Sipas zyrës së shtypit pranë presidencës, Presidenti Topi priti sot në Presidencë Kryetaren e Dhomës së Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar, Baroneshën Helene Hayman.
Duke vënë në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme që i është dhënë Shqipërisë në mbarëvajtjen e proceseve integruese nga "një vend tradicionalisht mik dhe aleat dhe një partner strategjik".
Presidenti informoi mbi zhvillimet të fundit në Shqipëri dhe arritjet në drejtim të konsolidimit të institucioneve demokratike, të pavarësisë së tyre, si dhe të shtetit të së drejtës.
"Përmbushja e standardeve integruese është një detyrim, por edhe domosdoshmëri për shtetin shqiptar në shërbim të interesave madhore të popullit shqiptar dhe në funksion të një të ardhmeje të sigurt e me prosperitet", tha Kreu i Shtetit gjatë takimit.
Në këtë drejtim, Presidenti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit shumëplanësh mes dy vendeve tona, sidomos tani që shqiptarët po punojnë dhe shpresojnë në liberalizimin sa më të shpejtë të procesit të vizave.
Ai nënvizoi faktin se "ky do të ishte një hap i rëndësishëm për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të ndërsjellë në shumë fusha të rëndësishme, rritjen e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare, por dhe një shtysë e fortë drejt integrimit në Bashkimin Evropian".
Kryetarja e Dhomës së Lordëve në Britaninë e Madhe, Baronesha Hayman vlerësoi rolin moderator dhe pozitiv të Presidentit Topi në garantimin e Kushtetutës dhe të pavarësisë së institucioneve demokratike e kushtetuese.
Ajo e siguroi Kreun e shtetit shqiptar mbi mbështetjen e vazhdueshme e të palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar për vendin tonë, për forcimin dhe thellimin e demokracisë shqiptare, për sistemin e drejtësisë dhe institucionet e pavarura kushtetuese.
Baronesha Hayman shprehu besimin e plotë në integrimin së shpejti të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe theksoi rëndësinë e një dialogu politik dhe të një demokracie funksionale e institucionale në këtë drejtim.
Dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim përsa i përket realitetit më të qetë dhe të qëndrueshëm në Ballkan pas krijimit të shtetit të ri e të pavarur të Kosovës si dhe rëndësisë së bashkëpunimit gjithëpërfshirës mes vendeve të rajonit, me synim integrimin e plotë në gjirin e familjes evropiane dhe strukturat euroatlantike.







All the contents on this site are copyrighted ©.