2010-09-20 15:22:04

Me 20 shtator 1685 botohet “Cuneus Prophetarum” - "Çeta e profetëve" e imzot Pjetër Bogdanit


Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 20 shtator përkujtojmë botimin e veprës së imzot Pjetër Bogdanit “Çeta e profetëve” më datën 20 shtator të vitit 1685 në qytetin e Padovës në Itali, si dhe u rishtypin në vitin 1691 dhe 1702 në Venedik.
Kjo vepër e ipeshkvit shqiptar imzot Pjetër Bogdanit cilësohet si libri i parë i prozës origjinale shqipe dhe mbetet një nga monumentet e gjuhës, kulturës dhe letrave shqipe. Vepra 'Çeta e profetëve' është vepër me përmbajtje teologjike. Kujtojmë se imzot Pjetër BOGDANI lindi më 1625 e ndërroi jetë më 1689. Konsiderohet si njëri ndër shkrimtarët më të shquar të letërsisë së vjetër shqiptare, si prift, ipeshkëv, kryeipeshkëv, teolog e filozof i shquar shqiptar nga Hasi (Krahinë e lashtë), që shtrihet në Shqipëri dhe Kosovë.
Lindi në Gur të Hasit afër Prizrenit. Mësimet e para i bëri në Ciprovac, Bullagri. Në vitin 1674 ishte nxënës i kolegjit ilirik të Loretos, po këtë vit bën një kërkesë për studimin e medicinës dhe për lëshuarjen e Kolegjit. Më 1651 ushtron detyrën e meshtarit në Pult e në fshatrat e Prizrenit, në anët e vendlindjes[1]. Në vitin 1656 thirret në Romë për të vazhduar studimet e larta teologjike në Kolegjin e Propagandës së fesë. Aty i mëson gjuhët e Lindjes. Më 1658 kreu studimet e larta të teologjisë e filozofisë në Romë dhe mori titullin doktor. Pas një kohe veprimtarie e apostulli si meshtar, emërtohet ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Tivarit. 1663–1664: Njihet dhe i bën shërbime Kardinal Barbarigos, i cili në atë kohë jetonte e punonte në Romë. Më 1675 e shkruan librin Çeta e profetëve dhe ia paraqet Kongregatës së Vatikanit Propagandës së Fidesë për botim. Rekomandimi i Propagandës ishte të përkthejë librin. Fillon përkthimin e librit. Në vitin 1677 emërtohet Arqipeshkëv i Shkupit në vend të të ungjit, Ndre Bogdanit. Lufta turko–austriake fillon më 1683. Në dhjetor të atij viti vdes Ndre Bogdani. Bogdani arratiset në male me ç'rast e humb librin e Gramatikës latinisht–shqip të punuar nga Ndreu. Strehohet në Ciprovac dhe në Dubrovnik. Në pjesën e parë të vitit 1685 shkon në Venedik e në Padovë. E merr me vete librin e përgatitur për botim.
Vepra ‘Cuneus Prophetarum’ botohet në fund të vitit në Padovë te Barbarigo. Shkruan Relacionin e njohur nga Shkupi: Dello stato spirituale e temporale del regno di Albania e Servia ( Mbi gjendjen shpirtërore e shoqërore të mbretërisë së Shqipërisë e Serbisë 1687–1688): Merret aktivisht me organizimin e rezistencës antiturke dhe u bën vizita të gjitha bashkësie kishtare në vende të territorit të Kryeipeshkëvisë së vet. Në vitin 1689 depërton ushtria austriake. Në nëntor kjo ushtri arrin në Prishtinë. Bogdani niset me ushtrinë për Prizren, ku i inkuadron edhe 6.000 shqiptarë dhe bashkë me ta arrin atje. Atje sëmuret nga murtaja. Kthehet në Prishtinë për shërim te mjekët gjermanë, po më kot. Vdes në fillim të dhjetorit 1689 në Prishtinë ku edhe varroset.
Siç njoftonte nipi i tij Gjon Bogdani, menjëherë pas thyerjes së ushtrisë austriake ato ditë, turqit e nxjerrin nga varri trupin e tij.
Vepra e ipeshkvit Pjetër Bogdani "Çeta e profetëve" (Cuneus prophetarum) u botua më 1685 në Padovë, u rishtyp më 1691 dhe 1702 në Venedik me titull të ndryshëm. Libri “Cuneus Prophetarum”, apo sipas përkthimit të Justin Rrotës “Çeta e profetëve”, është një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë të vjetër letrare. Fakti që është e para vepër origjinale në gjuhën shqipe, në krahasim me veprat e autorëve paraardhës që ishin kryesisht përkthime, e bën tepër të rëndësishëm këtë libër.
Karakteri origjinal i veprës duhet marrë në mënyrë relative për përmbajtjen e karakterin fetar që kishte, por duhet thënë që nuk është mbështetur në ndonjë autor të caktuar në formë përkthimi. Tematika e larmishme i shton rëndësinë veprës. Aty gjejmë që nga tematika teologjike, biblike e filozofike, këndej fetare, tek historiografike, të shkencave të natyrës, por edhe letërsi artistike, poezi. Kjo larmi temash çon edhe në larmi stilesh, që është një tregues i shkallës së lartë të përpunimit të gjuhës për atë kohë. Dhe padyshim ky është një gur i rëndësishëm në themelin e gjuhës së sotshme shqipe.
Autori ka gjetur mundësi të shtjerë elemente të jetës shqiptare të kohës e të historisë së popullit tonë, si është rasti i qëndresës burrërore të kelmendasve kundër ekspeditës turke më 1639. Mendimet e njohuritë e ipeshkvi shqiptar imzot Pjetër Bogdanit shpalosen më shkoqur në parathënien e librit dhe në relacionet e shumta, që hartoi pas vizitave apostolike e baritore në viset e dioqezave që ai drejtoi si bari shpirtëror.
Shkroi me dashuri të madhe për gjuhën shqipe, për Atdheun e për popullin shqiptar, shprehu dhembje për gjendjen e mjeruar e padijen në të cilat i kishte hedhur robëria bashkatdhetarët e tij dhe kundërshtim të thellë për pushtuesin osman. Imzot Pjetër Bogdani kërkonte që t'i jepeshin popullit shqiptar libra në gjuhën amtare, punoi për mëkëmbjen dhe zhvillimin e kulturës kombëtare dhe çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj.
Vepra "Çeta e profetëve ka në krye një seri kushtimesh e poezish shqip, latinisht, italisht, sllavisht, shkruar për nder të Pjetër Bogdani nga miq e të njohur të tij. Dy vjershat shqipe të L. Bogdanit e të L. Sumës dhe ato të vetë autorit të shpërndara në kapituj të ndryshëm të librit, me teknikën poetike përgjithësisht të sigurt janë tregues të lëvrimit të mbarë të vjershërimit shqip në këtë kohë.
Imzot Pjetër Bogdani krijoi me vetëdije të plotë për ta pasuruar e përpunuar gjuhën shqip dhe pasuruar popullin shqiptar me të vërtetat e fesë së krishterë e, gjurmoi dhe vuri në qarkullim fjalë e shprehje të vjetra të lëna në harresë, krijoi edhe fjalë të reja, duke bërë përpjekjet e para për krijimin e termave në ndonjë degë të shkencës si dhe në teologji e në fjalorin kishtar në përgjithësi. Ligjërimi i tij dallohet edhe për zhdërvjelltësi e ndërtime sintaksore të një arkitektonie të sigurt. Me veprat e imzot Pjetër Bogdani letërsia dhe gjuha letrare shqipe shënuan hapa të rëndësishëm përpara, ndërsa Kisha shqiptare fitoi një ndër veprat e para teologjike.







All the contents on this site are copyrighted ©.