2010-09-20 18:31:20

Delegacioni i Kosovës në Nju Jork kërkon njohjen e pavarësisë


Delegacioni i Kosovës, Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm Skender Hyseni kanë filluar takimet në Nju-Jork krerë të lartë të shteteve të ndryshme për njohjen e pavarësisë, ndërsa në mbrëmje, darkuan me Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha dhe delegacionin qe e shoqëronte.
Presidenca kosovare njoftoi sot se me të mbërritur në Nju-Jork, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu filloi aktivitetet dhe takimet me përfaqësues të shteteve të ndryshme.
Në një takim bilateral me Presidentin e Republikës Afrikës Qendrore, François Bozizé, Presidenti Sejdiu i shoqëruar nga Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Skender Hyseni, e ftoi që sa më parë ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës, hap ky që do të mundësonte pastaj bashkëpunimin e ngushtë në mes të dyja shteteve.
"Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka qenë shumë e qartë sa i përket pavarësisë së Kosovës dhe ka sqaruar se pavarësia ishte rezultat i rrethanave shumë specifike, duke konfirmuar kështu se Kosova vërtet është një rast i veçantë", u shpreh Sejdiu. Ai shtoi se pavarësia e Kosovës ishte shprehje e vullnetit të popullit të saj për të jetuar i lirë dhe njohja nga Republika e Afrikës Qendrore, përveç që do ta përkrahte këtë vullnet, do të kontribuonte edhe në stabilitetin dhe paqen në Evropën Juglindore.
Presidenti Bozizé tha se shteti i tij i jep rëndësi të madhe çështjes së Kosovës, duke shtuar se e kuptojnë vullnetin e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë dhe i pavarur dhe janë duke e analizuar me vëmendje të gjithë situatën. Bozize theksoi edhe se rajoni i ish-Jugosllavisë ka kaluar nëpër shumë luftëra të përgjakshme dhe tanimë ka ardhur koha që ky rajon të jetojë në paqe.
Në një mbrëmje të veçantë për Afrikën, organizuar nga Cinema for Peace Foundation, Presidenti Sejdiu u takua me Presidentin e Ruandës, Paul Kagame dhe liderë e ministra të tjerë. Në bisedën me Presidentin Kagame, Presidenti Sejdiu përsëriti kërkesën për njohje të Republikës së Kosovës.
"Kosova dhe Ruanda kanë përjetuar histori të përgjakshme dhe gjenocid kundër popullit të tyre, prandaj janë shtete që shumë mirë e kuptojnë njëra tjetrën dhe kanë nevojë për përkrahjen e njëra tjetrës", tha Sejdiu, ndërsa kërkoi që Ruanda të përkrahë popullin e Kosovës dhe të drejtën e tij për të jetuar të lirë dhe të pavarur pas të gjitha tmerreve që ka përjetuar.
Presidenca e Kosovës bën të ditur se Presidenti Sejdiu, Kryeministri Thaçi, Ministri Hyseni dhe delegacioni përcjellës darkuan me Kryeministrin e Shqipërisë, Dr. Sali Berisha dhe delegacionin qe e shoqeron. Delegacionet diskutuan koordinimin e mëtejshem dhe bashkëpunimin e ngushtë mes të dyja shteteve si dhe procesin e njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.







All the contents on this site are copyrighted ©.