2010-09-20 16:35:18

Bilanci përfundimtar i atë Lombardit mbi udhëtimin e Papës në Mbretërinë e Bashkuar: populli britanik i vëmendshëm ndaj mesazhit të Benediktit XVI


(20.09.2010 RV)Përfundoi dje udhëtimi apostolik i Papës Benedikti XVI në Mbretërinë e Bashkuar, kulmi i të cilit u arrit me lumnimin e kardinalit Xhon Henri Njuman. Komente pozitive në shtypin e të gjithë botës për fjalët e Atit të Shenjtë, që prekën vërtet zemrat e njerëzve, duke tërhequr vëmendjen edhe një herë ndaj respektimit të vlerave universale. Për një bilanc të kësaj vizite, të dëgjojmë zëdhënësin e Vatikanit, atë Federiko Lombardi, të cilin e pyetëm nëse ky udhëtim u ndje si pozitiv:RealAudioMP3
Do të thosha se po e do të thosha se është pozitiv, në perspektivën, që i intereson Papës, pra të mundësisë për të shpallur mesazhin pozitiv të Krishtit, në emër të fesë së krishterë, duke qenë i sigurtë se ky mesazh arrin në veshë, që e dëgjojnë. Papës nuk i interesojnë shumë shifrat marramendëse, megjithëse ishin të pranishme. E rëndësishme është se ç’përfaqësojnë këto shifra, pra dëgjimin e mesazhit. Mund të jemi të sigurtë se vërtet, gjithçka Papa deshi t’u thotë në këtë udhëtim, shoqërisë, bashkësisë katolike dhe përgjegjësve politikë u dëgjua fort mirë.
Vumë re, në veçanti, një ndryshim rrënjësor në tonet e mediave. Dikush madje, flet për sukses personal të Papës…
Po. Papa nuk është ndonjë “yll kinemaje” – e këtë e dimë shumë mirë – sepse kjo nuk përkon me personalitetin, shërbimin dhe dëshirën e tij. Por natyrisht, është i kënaqur, që njerëzit e njohin dhe e shohin për atë që është në të vërtetë, si shërbëtor i Zotit e si person, me sjelljen e tij karakteristike. Papa nuk është vetëm mësues i madh, njeri i kulturës, siç e dinë të gjithë, por është edhe i përvuajtur, i dashur, i ndjeshëm, dëshiron t’u afrohet të tjerëve me humanitet të thellë. Kjo u kuptua mirë nga shumë vetë gjatë udhëtimit, duke kapërcyer paragjykimet ndaj tij, apo mungesën e njohjes. Tani mund të themi se katolikët anglezë, por edhe shoqëria angleze, e njeh më mirë Papën për çfarë është vërtet e pra, e njeh edhe si mik, si person që erdhi për të sjellë një mesazh pozitiv. Këtu, dua të vë në dukje se televizioni bëri një shërbim të madh e dua të theksoj se televizioni i përdorur si duhet mund të bëjë shërbime të mëdha. Ne shpesh e kritikojmë, me të drejtë, për shumë gjëra që bën, por në të vërtetë, mund të bëjë edhe shërbime të mrekullueshme, si në këtë udhëtim. E jo vetëm duke na treguar objektivisht sa njerëz ishin të pranishëm e pra, sa e dëgjonin Papën, por edhe duke na afruar fytyrën dhe personin e Atit të Shenjtë me qëndrimet e tij. Besoj se ky është një nga shërbimet më të mëdha, që televizioni mund dhe duhet të bëjë për ta njohur më mirë personin e Papës. Edhe në të kaluarën, kam parasysh këtu udhëtimin në Turqi, në botën myslimane: pikërisht pamjet televizive të Papës, sidomos në Xhaminë Blu, qenë vendimtare për t’u dhënë njerëzve të kuptojnë qëndrimin miqësor dhe plot respekt të Papës për botën myslimane. Në SHBA-të, imazhet televizive të Papës në Rrugën e Pestë, buzëqeshja e tij, dashuria e tij për njerëzit, zgjuan entuziazmin, miqësinë e mikpritjen e popullit amerikan. Kështu ndodhi edhe në Mbretërinë e Bashkuar: pamjet e BBC-së dhe të televizioneve të tjera i ndihmuan njerëzit të kuptojnë e shpesh të ndryshojnë opinionin, që kishin më parë për Papën, duke e pëlqyer e dashur dhe duke e dëgjuar me dëshirë mesazhin e tij.
Kryeministri Kamerun, pasi përfundoi udhëtimi, tha një gjë shumë domethënëse: Papa e sfidoi vendin, duke e detyruar të mendojë…
Do të thosha se ky është vërtet një përfundim i shkëlqyer i udhëtimit e është shprehje fort e vërtetë. Është mirë, që u tha pikërisht nga kreu i qeverisë, pra, nga njëri prej njerëzve më me autoritet në shoqërinë e në jetën e Mbretërisë së Bashkuar. Papa shkoi me këtë dëshirë: të mos imponojë, por të propozojë. Të propozojë mesazhin e fesë si diçka pozitive e të propozojë reflektime për të gjykuar, për të kuptuar situatën në të cilën ndodhemi sot historikisht si shoqëri, si botë, para sfidave të mëdha të së sotmes e të së ardhmes, kur duhet të orientohemi sipas vlerave e të kuptojmë rreziqet që sjell humbja e tyre. Ja, ky është një aspekt, që dua ta theksoj. Papa ka gjithnjë një propozim pozitiv në thelb, pasi Ungjilli është propozim shëlbimi, për të mirën e njerëzimit. Por gjithnjë, përmend edhe rreziqet, problemet e shoqërisë e të kohës, rrezikun e humbjes së rrënjëve, të pikave të orientimit. Pra, pozitiv nga njëra anë, por edhe parlajmëron rrezikun, nga ana tjetër. Shpesh, këto fjalë mbi rreziqet kuptohen në mënyrë polemike, si diçka agresive, ndërsa, në të vërtetë, janë fryt i shqetësimit të thellë për të mirën e të gjithë njerëzve, të burrave e grave të sotme, të shoqërisë e të botës. Kur Kamerun thotë “shoqëria jonë, krejt Mbretëria e Bashkuar, u ftua dhe u sfidua nga ju të mendojnë” do të thotë se ka kuptuar saktësisht këtë: mesazhi i Papës meriton të merret shumë seriozisht për të kuptuar cilat janë të mirat, që duhen kërkuar, cila është rruga për të mirën e shoqërisë e të njerëzimit e jo vetëm për bashkësinë e besimtarëve. E kështu, Mbretëria e Bashkuar, që është një shoqëri me autoritet në botë – nga pikpamja historike, kulturore, gjuhësore, sepse anglishtja është gjuha më e përhapur – tregoi se e kuptoi mirë cili ishte qëndrimi i drejtë për t’u mbajtur para Papës. Kjo më duket shenjë e madhe shprese.
Atë Lombardi, një imazh, një fotografi, që ju mbetet nga ky udhëtim?
Po e lidh me atë që sapo thamë. Shoqëria e Mbretërisë së Bashkuar, në tërësinë e saj, që dëgjon një propozim jo agresiv, por shumë të qartë e të thellë, që bën Papa: është imazhi i fjalimit në Uestminster Holl, ku patëm vëmendjen dhe heshtjen e të gjithë përfaqësuesve të kësaj shoqërie, të këtij vendi, edhe në nivelin më të lartë, të cilët dëgjonin se ç’u propozonte Papa si reflektim mbi marrëdhëniet ndërmjet fesë e arsyes, mbi rolin e kontributin e fesë në shoqërinë e sotme, mbi përgjegjësinë e përbashkët për të ardhmen e shoqërisë. Fotografia e këtij publiku të jashtëzakonshëm, që dëgjonte me vëmendje Papën në Uestminster Holl, vend historik, ku nuk ka folur asnjë papë, më duket se e shpreh mirë pikën kyçe të këtij udhëtimi.







All the contents on this site are copyrighted ©.