2010-09-19 19:15:06

Papa në takimin me ipeshkvijtë e Mbretërisë së Bashkuar: udhëheqësit e krishterë të jenë të virtytshëm, të përvuajtur e të shenjtë


Pasdite, Papa u takua në Kolegjin Oskot të Birmingamit me ipeshkvijtë katolike të Anglisë, Uellsit dhe Skocisë. Edhe një herë, Ati i Shenjtë iu rikthye argumentit shkandullues të abuzimit me të miturit nga ana e anëtarëve të Kishës, i cili – tha Jozef Racinger – minon seriozisht besueshmërinë morale të përgjegjësve të Kishës. Papa vuri në dukje masat e marra nga ipeshkvijtë dhe u kërkoi atyre të mësojnë nga ky leksion i vështirë i jetës:RealAudioMP3
“Për të qenë udhëheqës të mirë të krishterë, duhet të jetojmë në më të lartin integritet, përvuajtëri dhe shenjtëri, me impenjim të përtërirë për të ndjekur thirrjen profetike, që sjell vlerësimin e ri të popullit për dhuratën e madhe të meshtarisë e të jetës së shuguruar”.
Fillimisht Papa u tërhoqi vëmendjen ipeshkvijve, të cilët duhet të bëjnë gjithçka për ta paraqitur plotësisht mesazhin e gjallë të Ungjillit, duke përfshirë edhe ato elemente që sfidojnë kulturën bashkëkohore. Pastaj, u kërkoi ipeshkvijve të jenë të vëmendshëm ndaj pasojave të krizës financiare e të jenë solidarë me nevojtarët. Benedikti XVI nuk mungoi të përmendë dokumentin “Choosing the Common Good” (Të zgjedhim të mirën e përbashkët), me të cilin ipeshkvijtë e Mbretërisë së Bashkuar nënvizojnë rëndësinë e virtytit në jetën publike dhe, i nxiti të vazhdojnë në këtë rrugë. Së fundi u la dy detyra: të shfrytëzojnë botimin e përkthimit të ri të Mesharit Romak për një katekizëm të thelluar mbi Eukaristinë; dhe të zbatojnë me bujari Kushtetutën apostolike “Anglicanorum coetibus”, që flet për marrëdhëniet ndërmjet katolikëve dhe anglikanëve:
“Na ndihmon t’i kthejmë sytë nga qëllimi i fundmë i çdo aktiviteti ekumenik: rivendosja e bashkimit të plotë kishtar, në kontekstin e të cilit, shkëmbimi i ndërsjelltë i dhuratave të marra nga trashëgimitë tona shpirtërore, shërben për të na pasuruar të gjithëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.