2010-09-19 19:18:28

Me guxim e me gëzim: editorial i atë Lombardit


(19.09.2010 RV)Festë e madhe: kështu e quan drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, udhëtimin e Papës Benedikti XVI në Mbretërinë e Bashkuar. Një vizitë që u parapri nga polemika e kundërshtime, por që Ati i Shenjtë, sipas stilit të Shën Pjetrit, e ktheu në dëshmi të shpresës së krishterë, me ëmbëlsinë e respektin që e karakterizon. Të dëgjojmë vetë atë Lombardin, në komentin javor të së dielës:RealAudioMP3
“Duke iu përgjigjur në avion pyetjes nëse ishte i shqetësuar për kritikat e kundërshtimet që e prisnin në Mbretërinë e Bashkuar, Papa iu përgjigj gazetarëve se nuk ishte aspak i shqetësuar, se shkonte përpara me guxim e me gëzim. E shtoi edhe arsyen e guximit e të gëzimit: tha se Kisha nuk duhet të punojë për t’u treguar e fortë dhe tërheqëse, por që përmes saj, të bëhen transparente fjalët dhe personi i Jezu Krishtit. Nëse Kisha do të përpiqet të jetë kështu për njerëzit që takohen me të, atëherë e ka bërë detyrën e vet, e ka kryer misionin e s’ka asnjë arsye të ketë frikë. Këtu qëndron sekreti shumë i thjeshtë i qetësisë së Papës, edhe në situata të vështira. Një qetësi, që bëhet ajo vetë mesazh dhe shembull për besimtarët. Vërtet, sekreti është feja në Jezu Krishtin. Benedikti XVI e propozon me inteligjencë, me besim e me gëzim, duke ditur e respektuar pyetjet dhe vështirësitë e bashkëbiseduesve të vet. Jo më kot, duke kujtuar figurën e kardinalit Njuman, vë në dukje modernitetin dhe kërkimin e tij të vazhdueshëm të së Vërtetës. E di mirë se sot, takimi me Hyjin e me fenë e krishterë, nuk është i lehtë e i thjeshtë; duhet një zë e një dorë mike, që ta propozojë qartë e t’i shoqërojë njerëzit me dashuri në rizbulimin e bukurisë e të vlerës së propozimit të krishterë. A pranohet apo jo, ky propozim? Këtu hyjmë, natyrisht, në hapësirën e lirisë së atyre që dëgjojnë dhe në përgjegjësinë e ndërmjetësuesit të mesazhit, i cili mund ta lehtësojë ose ta vështirësojë kuptimin e tij nga dëgjuesit. Por propozimi është i bukur: është oferta më e mirë që mund të japë Papa. Prandaj e bën me gëzim. E kush e pranon ofertën, merr pjesë në këtë gëzim”.







All the contents on this site are copyrighted ©.