2010-09-19 13:35:37

Homelia e plotë e Meshës së lumnimit të kardinalit Njuman.


Me shqiptimin solemn të formulës liturgjike, Benedikti XVI e shpalli të Lum kardinalin John Njuman, ish kapelan anglikan i Universitetit të Oxfordit. Pas kthimit të tij në katolicizëm, Papa Leoni XII e krijoi kardinal.
Në homelinë e Meshë kremtuar në Birmingem, Papa kujtoi koherencën e kardinalit Njyman, që deshi të bëhej katolik për të qenë deri në fund të fundit anglikan, duke cituar një fjali të tij: “unë kam një mision - shkruante i lumi i ri - jam një hallkë e një vargu, një pikë lidhëse ndërmjet njerëzve. Ai nuk më ka krijuar për asgjë. Do të bëjë mirë, do ta kryejë veprën e tij; do të jam engjëll i paqes, predikatar i së vërtetës mu në vendim tim....nëse e bëjë këtë do t’i bindem urdhërimeve të tij e do ti shërbejë në thirrjen time”.
“Karakteristike e shërbimit në të cilin Njuman qe thirrur - kujtoi Papa Racinger - solli aplikimin e intelektit të tij të mprehtë e shkrimet e tij të shumta kushtuar ‘problemeve më urgjente të ditës’. Intuitat e tij mbi marrëdhënies ndërmjet fesë e arsyes, mbi hapësirën jetike të fesë së dëftuar në shoqërinë e qytetëruar, e mbi nevojën e edukimit të mbështetur mbi vlera të vërteta e vizione largpamëse, qenë të një rëndësie themelore jo vetëm për Anglinë fitimtare, por vazhdojnë ende sot të frymëzojnë e shndrisin shumë njerëz në mbarë botën”.
Ja një përmbledhje e homelisë që Papa shqiptoi sot gjatë Meshës së Beatifikimit të kardinalit Njuman në Birmingem

Të dashur Vëllezër e Motra në Krishtin,
dita e sotme që na solli së bashku këtu në Birmingem është ogurmirë. Në rend të parë, është dita e Zotit, e diele, dita në të cilën Zoti ynë Jezu Krishti u ngjall prej së vdekurish e ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë njerëzore, duke ofruar jetën e shpresën e re atyre që jetonin në errësirë e në hijen e vdekjes. Kjo është arsyeja për të cilën të krishterët në mbarë botën mblidhen së bashku në këtë për t’i drejtuar lavdet e falënderimet Zotit për mrekullitë e mëdha që ai ka bërë për ne. Kjo e diele e veçantë, më tej, shënon një moment domethënës në jetën e kombit britanik, pasi që është dita e zgjedhur për përkujtimin e 70 vjetorit të “Battle of Britain”. Për mua, që kam jetuar e vuajtur gjatë ditët e errësirës së regjimit nazik në Gjermani, është emocion i thellë të jam këtu me ju me këtë rast, e të përkujtojmë të gjithë ata bashkëqytetarë tuaj që kanë flijuar jetën personale, duke qëndruar guximshëm ndaj forcave ë asaj ideologjie të keqe. Mendimi im shkon në mënyrë të veçantë te Coventry i afërt, që pati vuajtur e pësuar një bombardim kaq të rëndës e humbjen e jetës së njerëzve në nëntor të vitit 1940. Shtatëdhjetë vjet pas, kujtojmë me turp e neveri sasinë e tmerrshme të vdekjeve e shkatërrimeve që lufta solli me vete, e ripohojmë synimin tonë për të vepruar për paqe e pajtim në çdo vend ku lind kërcënimi i konflikteve.
Më tej kemi, një arsye tjetër të hareshme që e bënë këtë ditë një ditë të gëzueshme për Britaninë e Madhe, për Midlands e për Birmingemin. Është dita që e sheh Kardinali John Henry Newman zyrtarisht të ngritur në elter e të shpallur të Lum.
Falënderoj Kryeipeshkvin Bernard Longley për fjalimin e mirëseardhjes që më drejtoi këtë mëngjes, në fillim të Meshës. Shpreh nderimet e mia të gjithë atyre që kanë punuar paq intesivisht për shumë vjet për promovimin e çështjes së Kardinalit Newman, përfshi këtu edhe Etërit e Oratorit të Birmingemit e anëtarët e Familjes shpirtërore Das Werk. E përshenje të gjithë ata që kanë ardhur këtu nga mbarë Britania e Madhe, nga Irlanda e prej vendeve tjera; ju falënderoj për praninë tuaj e për këtë kremtim, gjatë të cilit e lavdërojmë Zotin për virtytet heroike të këtij shenjti anglez.
Anglia ka një traditë të madhe të Shenjtorëve martirë, dëshmia e guximshme e të cilëve e mbështetur dhe frymëzuar për shekujt bashkësinë katolike lokale. E megjithëkëtë është e drejtë dhe e mirë të njohim sot shenjtërimin e një rrëfyesi, bir i këtij Kombi që, edhe pse nuk qe i thirrur të derdhte gjakun e vet për Zotin, ai gjithsesi dha dëshmi bindëse gjatë jetës së tij të gjatë kushtuar misionit meshtarak, posaçërisht predikimit, mësimit e shkrimeve. Është i denjë të marr vendin e vet një aradhen e gjatë të Shenjtorëve e Mësuesve të këtij ishulli, shën Beda, shën Hilda, shën Aelredo, i lumi Duns Scot vetëm sa për të përmendur disa prej tyre. Në të lumun John Henry ajo traditë e dashur dhe e këndshme e mësimit, e urtisë së thellë njerëzore dhe e dashurisë së fortë për Zotin, ka dhënë fryte të pasura si shenjë e pranisë së vazhdueshme të Shpirtit Shenjt në thellësinë e zemrës së Popullit të Zotit, duke nxjerr në pah dhurata të begatshme të shenjtërimit.
Motoja e Kardinalit Newman, Cor ad cor loquitur, “Zemra i flet zemrës”, na lejon të depërtojmë në kuptimin e jetës së tij të krishterë si thirrje në shenjtërim, e përjetuar me një dëshirë të flaktë të zemrës njerëzore për të hyr në bashkimin intim me Zemrën e Zotit. Ai na përkujton se besnikëria ndaj lutjes na shndërron gradualisht në shëmbëllimin hyjnor. Siç shkroi në njërin prej predikimeve të tij elegante: “tradita e lutjes, që kemi zakon t’ia drejtojmë Zotit e botës së padukshme në çdo stinë, në çdo vend, në çdo emergjencë, lutja, them, e ka atë që mund të quhet efekt natyror për spiritualizimin dhe ngritjen e shpirtit. Njeriu nuk është ai që ishte më parë; gradualisht... ke përvetësuar një sistem të ri të ideve dhe është mbarsur me parime të freskëta” ( Parochial and plain sermons, IV, 230-231). Ungjilli i sotëm na thotë që askush nuk mund të jetë shërbëtor i dy pronarëve (krh Lk 16,13), e mësimi i të Lumit John Henry Newman mbi lutjen shpjegon se si besimtari i krishterë është vendosur në mënyrë përfundimtare në shërbim të tč vetmit Mësues, i cili vetëm ai e ka të drejtën e përshpirtërisë sonë të pakushtëzuar (khr Mt 23,10). Newman na ndihmon ta kuptojmë çdo do të thotë kjo për jetën tonë të përditshme: na thotë që Mësuesi ynë hyjnor i ka caktuar secilit prej nesh një detyrë të veçantë, një “shërbim mirë të caktuar”, që i besohet individualisht çdonjërit: “unë e kam misionin tim - shkruan - jam një hallkë e një vargu, një pikë lidhëse ndërmjet njerëzve. Ai nuk më ka krijuar për asgjë. Do të bëjë mirë, do ta kryejë veprën e tij; do të jam engjëll i paqes, predikatar i së vërtetës mu në vendim tim....nëse e bëjë këtë do t’i bindem urdhërimeve të tij e do ti shërbejë në thirrjen time” (Meditations and devotions, 301-2).
Shërbimi i veçantë në të cilin i Lumi John Henry Newman qe thirrur, solli aplikimin e intelektit të tij të hollë e të pendën e tij prodhimtare për shumë “probleme urgjente të ditës” . Intuitat e tij mbi marrëdhënien ndërmjet fesë e arsyes, mbi hapësirën jetike të fesë së dëftuar në shoqërinë e qytetëruar, e mbi nevojën e një edukimi gjerësisht të themeluar mbi vlera e largpamës, nuk qenë vetëm të një rëndësie të thellë për Anglinë fitimtare, por vazhdojnë ende sot të frymëzojnë e ndriçojnë shumë njerëz në mbarë botën. Dua të nderoj viziton e tij të edukimit, që kanë shumë bërë për formimin e “ethosit” që ende sot është forca themeltare në shkollat e institutet universitare katolike. Me këmbëngulje ai punoi për të arritur një mjedis edukativ në të cilin formimi intelektual, disiplina morale e angazhimi fetar të shkonin së bashku. Projekti për themelimin e një universiteti katolikë në Irlandë i dha mundësinë për të zhvilluar idetë e tij mbi këtë argument e përmbledhja e fjalimeve që botoi si The Idea of a University përmbajnë një ideal nga i cili mund të mësojnë të gjithë ata që janë të angazhuar në formimin akademik. E në të vërtet, çka më të mirë mund të na propozonte mësimi i fesë, nëse jo atë thirrje të famshme të Lumit Njuman për një laikat inteligjent e mirë të formuar.: “Dua besimtarë laik jo arrogant, jo të ngutshëm në fjalime, jo polemik, por njerëz që e njohin fenë e vet, që hyjnë në të, që dinë mirë kur ta çojnë zërin, që dinë atë çka besojnë e çka nuk besojnë, që e njohin besojmë personale kaq mirë sa të japin llogari për të, që e njohin mirë historinë sa të mund ta mbrojnë” (The Present Position of Catholics in England, IX, 390). Sot, kur autori i këtyre fjalëve lartohen në nderime të elteri, lutëm që, përmes ndërmjetësimit të tij e shembullit të tij, ata që janë të impenjuar në detyrën e mësimit e të katekizmit, të frymëzohen për një përpjekje sa më madhe në zbatimin e vizionit të tij, që kaq qartë paraqitet para nesh.
Ndërsa testamenti intelektual i Xhon Henri Njuman është ai që pa dyshim ka tërhequr më shumë vëmendjen në shkrimet e shumta të jetës e veprës së tij, preferoj në këtë rast, të përfundoj me një reflektim të shkurtër mbi jetën e meshtarit e të bariut të shpirtrave. Ngrohtësia e humaniteti, që qëndrojnë në thelb të shërbimit të tij baritor shprehen qartë nga një fjalim tjetër marr prej fjalimeve të tij të famshme: “Nëse engjëjt do të ishin meshtarët tuaj, të dashur vëllezër, nuk do të mund të merrnin pjesë në vuajtjet tuaja, as të kishin mëshirë, ose dhimbje për ju e as nuk do të kishin gjetur motive per t’ju justifikuar, siç mund të bëjmë ne; nuk do të mund të ishin shembull e udhëheqje për ju dhe t’ju çonin nga pleqëria në jetën e re, ashtu siç mund ta bëjnë ata që vijnë nga i njëjti ambient me ju (“Men, not Nagles: the Priests of the Gospel”, Discourses to mixed xongregations, 3)”. Ai e jetoi atë vizion thellësisht njerëzor të shërbimit meshtarak në kujdesin e veçantë për njerëzit e Birmingamit, gjatë viteve të Oratoriumit, që themeloi, duke vizituar të sëmurët e të varfërit, duke u kujdesur për të braktisurit e për të burgosurit. Prandaj nuk na çudit fakti se kur vdiq, mijëra vetë u vunë në rresht nëpër rrugë për ta nderuar, ndërsa trupi i tij çohej në banesën e fundit. Pas 100 vjetësh, turma të mëdha u mblodhën sërish për të festuar njohjen solemne të Kishës për shenjtërinë e jashtëzakonshme të këtij ati të dashur shpirtëror. S’mund te këtë mënyrë më të mirë për të shprehur gëzimin tonë për këtë moment, se sa ajo e falënderimit të Atit Qiellor, duke iu lutur me fjalët, që vetë i Lumi Xhon henri Njuman, i vendosi në buzët e koreve të engjëjve në qiell:
Lavdi Atij që është Tejet i Shenjtë në lartësitë qiellore
E lavdi qoftë në thellësi të thellësive;
I mrekullueshëm në të gjitha fjalë tua,
po shumë më tepër në të gjitha udhët tua! (The dream of Gerontius)







All the contents on this site are copyrighted ©.