Papa kujton martirizimin e Kishës që vazhdon ende sot dhe viktimat që kanë vuajtur
si martirë.
“Vuajtjet tejet të mëdha” që priftërinjtë pedofilë u kanë shkaktuar viktimave të tyre,
bëjnë pjesë në “sprova e mundime” që ndeshim “në jetën e Kishës” e ndër to janë edhe
ato “të martirëve të çdo kohe”. Kështu pohoi mes tjerash Papa Benedikti XVI në homelinë
e Meshës së Shenjtë kremtuar sot paradite në katedralen e Westminsterit, në Londër.
E këtu Papa citoi, mes tjerësh, edhe ata “vëllezër e motra në mbarë botën, që ende
sot vuajnë e pësojnë diskriminime e persekutime për shkak të fesë së tyre të krishterë”. Duke
folur pikërisht për “sprovat e mundimet” në jetën e Kishës, Papa tha se mendon e kujton
“edhe vuajtjet e mëdha e të tmerrshme që kanë shkaktuar abuzimet e fëmijëve, posaçërisht
në Kishë e nga ana e disa priftërinjve të saj”. “U shpreh sidomos dhimbjen time
të thellë viktimave të pafajshme me shpresën që fuqia e hirit të Krishtit, flijimi
i tij i pajtimit, të mund t’u sjell shërimin e thellë e paqen në jetën e tyre”. “Me
ju, pranoj e ndjej turpin e përuljen që të gjithë kemi vuajtur për shkak të këtyre
mëkateve, tha Papa e shtoi: “ju ftoj t’ia ofroni Zotit me besim që ky ndëshkim të
ndihmojë për shërimin e viktimave, për pastrimin e Kishës e për ripërtëritjen e detyrës
së saj shekullore të formimit e të kujdesit për të rinjtë”. “Shpreh mirënjohjen
- përfundoi Papa - për përpjekjet që janë bërë për ballafaqimin e këtij problemi me
ndërgjeshmëri, e të gjithëve u kërkoj të tregojnë zell e kujdes të madh për viktimat
dhe solidaritet ndaj meshtarëve tuaj”.