Mbrëmja e lutjes me Papën për kardinalin Njuman në Hajd Park. Krishti ka nevojë për
njerëz, që i shërbejnë Atij, të Vërtetës e jetës.
Në mbrëmje, Benedikti XVI mori pjesë në lutjen e Hajd Parkut, për t’u përgatitur shpirtërisht
për lumnimin e kardinalit Xhon Henri Njuman, që do të bëhet nesër në Birmingam. Marrin
pjesë mijëra besimtarë, ndër të cilët shumë të rinj, të cilët vazhdojnë lutjen edhe
pas nisjes së Atit të Shenjtë. Pikërisht të rinjve u foli Papa, pasi përshkoi
jetën e kardinalit, këtij anglezi të madh me ide të thella e largpamëse, siç e quajti
edhe në meshën e paradites, i cili e kishte kuptuar se Zoti e kishte krijuar për një
shërbim të veçantë. “Vetëm Jezusi – u tha Benedikti XVI të rinjve – e njeh këtë shërbim
të veçantë, që ka ndërmend për ju. Mbajeni hapur zemrën për zërin e Tij: edhe tani
zemra e Tij i flet zemrës suaj. Krishti ka nevojë për familje që i kujtojnë botës
dinjitetin e dashurisë njerëzore dhe bukurinë e jetës familjare. Ai ka nevojë për
burra e gra, që t’ia kushtojnë jetën detyrës fisnike të edukimit, duke u kujdesur
për të rinjtë e duke i formuar sipas rrugës së Ungjillit. Ka nevojë për ata që do
t’ia shugurojnë jetën arritjes së bamirësisë e dashurisë së përsosur, në pastri, varfëri
e bindje, duke e shërbyer në më të voglin e vëllezërve e motrave tona. Ka nevojë për
dashurinë e fuqishme të rregulltarëve kundrues, të cilët mbështesin dëshminë dhe veprimtarinë
e Kishës përmes lutjes së parreshtur. Dhe ka nevojë për meshtarë, për meshtarë të
mirë e të shenjtë, njerëz, të gatshëm ta humbin jetën për grigjën, që u është besuar”.
Shembulli i kardinalit Njuman është ai që u ofroi Papa të rinjve, me një reflektim
të gjatë mbi jetën e veprën e të Lumit të ardhshëm. Benedikti XVI vuri në dukje rrugën
e kardinalit për t’u kthyer nga anglikan në katolik, pastaj pasionin e tij për të
vërtetën, për ndershmërinë intelektuale, për të cilat edhe sot e kësaj dite, katolikët
persekutohen, ose tregohen me gisht si njerëz të çuditshëm. Kardinali Njuman, përfundoi
Ati i Shenjtë, na mëson se nuk mund të ketë ndarje ndërmjet asaj, që besojmë dhe mënyrës
se si jetojmë.