2010-09-18 19:22:17

Katedralja e Uestminsterit


Pas rivendosjes se hierarkisë katolike në Mbretërinë e Bashkuar, nga ana e Papës Piu IX (1850), selia e katedrales aktuale u ble nga kryeipeshkvi i dytë i Uestminsterit, kardinali Henri Eduard Maning (1884) dhe ndërtimi filloi nga pasardhësi i tij, kardinali herbet Vogan me bekimin e gurit të parë në vitin 1895. Arkitekti Xhon Frensis Bentli, i ngarkuar me projektin, vizitoi katedralen e shën Markut në Venedik, atë të shën Vitalit në Ravenë dhe atë të shën Sofisë në Kostandinopojë, para se të fpërfundonte maketin e katedrales së ardhshme në stilin bizantin të vonë.
Ndërtesa përfundoi në vitin 1903, por shugurimi i saj u bë vetëm pas larjes së të gjitha borxheve, më 28 qershor 1910. Udha e Kryqit brenda katedrales është e famshme dhe i përket skulptorit Erik Grill. Katedralja është e pasur me mozaikë dhe me mermerë të çmuar, por akoma nuk është përfunduar në tërësinë e saj, për shkak të vështirësive financiare. Mozaiku i shën Davidit, Pajtor i Uellsit është përfunduar me rastin e vizitës së Papës Benedikti XVI dhe u përurua nga Ati i Shenjtë.
Gjon Pali II kremtoi këtu meshën më 28 maj 1982, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Mbretërinë e Bashkuar. Me ftesë të kardinalit Basil Hjum, mbretëresha Elizabeta II ka marrë pjesë në një kremtim ekumenik (30 nëntor 1995), në vizitën e parë të një sovrani britanik në një vend kulti katolik, që nga koha e Reformës.
Në vitin 2005, u transportuan këtu eshtrat e kardinalit Herbet Vogan, që pati miratuar planet dhe punimet e ndërtimit të katedrales. Sheshi përballë katedrales përdoret për të pritur besimtarët në raste të veçanta, si për shembull, për shtegtimin tek reliket e Shën Terezës së Liziësë në Londër (12 tëtor 2009), kur aty u mblodhën rreth 100 mijë vetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.