2010-09-18 13:46:45

Benedikti XVI: laikët katolikë të jenë tharmi i shoqërisë


Benedikti XVI bën thirrje për “rolin e domosdoshëm” të laikëve katolikë në “çuarjen përpara të misionit në Kishës” përmes “përpjekjeve për të shërbyer e qenë si brumë i Ungjillit në shoqëri”. Në homelinë e Meshës kremtuar sot paradite në Katedralen e Westminsterit, në Londër, Papa kujtoi thirrjen e Koncilit të II të Vatikanit drejtuar “besimtarëve laikë”. “Sa nevojë të madhe ka shoqëria bashkëkohore për këtë dëshmi të laikëve! - nënvizoi Papa Racinger - Sa shumë nevojë kemi në Kishë e në shoqëri, për dëshmitarë të bukurisë së shenjtërimit, për dëshmitarë të shkëlqimit të së vërtetës, për dëshmitarë të gëzimit e të lirisë që lindin nga marrëdhënia e gjallë me Krishtin!”.
Sipas Atit të Shenjtë, “një ndër sfidat më të mëdha që sot duhet të përballojmë është si të flasim në mënyrë bindëse për urtinë e fuqinë çlirimtare të Fjalës së Zotit në një botë që tepër shpesh e shikon Ungjillin si një kufizim të lirisë njerëzore, në vend që ta shikoj si e vërtetë që i liron mendjet tona dhe ndriçon përpjekjet tona për të jetuar në mënyrë të mençur e të mirë, si individ dhe si anëtarë të shoqërisë”.
Në këtë perspektivë, Benedikti XVI përkujtoi edhe “ intuitat e mësimet e John Henry Newman”, kardinalit britanik (1801-1890) që nesër do të shpallen i lum në Birmingham.
“Uroj që idetë e thella dhe largpamëse të anglezi të madh - tha Papa - të vazhdojnë t’i frymëzojnë të gjithë ndjekësit e Krishtit në këtë tokë, që duke i përngjarë atij në çdo mendim të tyrin, më fjalë e me vepra punojnë pa pushim për mbrojtjen e atyre të vërtetave morale të pandryshueshme, të cilat të ndriçuara e të konfirmuara nga Ungjilli, janë themeli i një shoqërie më të vërtetë njerëzore, të drejtë e të lirë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.