2010-09-17 14:16:03

Papa të rinjve të Universitetit të Shën Marisë: lumturinë e vërtetë kërkojeni në Zotin.


(17.09.2010 RV)Synoni gjëra të mëdha, shenjtërojeni jetën: këto janë këshillat që Benedikti XVI u dha të rinjve të Mbretërisë së Bashkuar, gjatë vizitës së paradites së sotme në Universitetin e Shën Marisë, në lagjen londineze të Tuikenhemit. Takimi me Papën, kushtuar botës së arsimit, u transmetua në internet në të gjitha shkollat katolike britanike. Të shumtë, fëmijët që përshëndetën Papën personalisht në hyrjen e kolegjit, në një klimë të hareshme. Me rastin e vizitës, në të cilën mori pjesë edhe ministri britanik i arsimit, u përurua Fondacioni “Gjon Pali II” për Sportin. Gjithashtu, Papa bekoi edhe një strukturë sportive, që do të përdoret gjatë Olimpiadave të Londrës 2012.RealAudioMP3

Papa nuk mungoi të përsërisë përgjegjësinë e shkollave katolike ndaj fëmijëve e të rinjve, që u janë besuar. Në një paradite plot diell, si rrallëherë për Londrën, Ati i Shenjtë u prit me entuziazëm nga 4 mijë studentë, të mbledhur në kampin sportiv të kolegjit. Fjalimi i Benediktit XVI u parapri nga disa dëshmi. Papa i ftoi të rinjtë t’i venë vetes qëllime të larta për jetën:
“Ajo që Zoti dëshiron më shumë nga secili prej jush, është të bëheni shenjt. Ai ju do shumë më tepër nga sa mund të imagjinoni e dëshiron maksimumin për ju, të rriteni duke e shenjtëruar jetën”
Në rini, vazhdoi Papa, zakonisht zgjedhim disa persona, që i admirojmë dhe duam t’i imitojmë. Nganjëherë, këta persona mund të jenë njerëz të famshëm të sportit apo të spektaklit. Por më tepër se sa fama, duhet të pyesni veten “ç’lloj njeriu dëshironi të jeni?”, u tha Benedikti XVI të rinjve. Kur ju them të bëheni shenjt, ju kërkoj të mos kënaqeni me gjëra të dorës së dytë:
“Ju kërkoj të mos ndiqni vetëm një objektiv të kufizuar, duke injoruar të gjithë të tjerët. Të kesh para, të jep mundësi të jesh bujar e të bësh mirë, por kjo gjë, e vetme, nuk mjafton për të arritur lumturinë. E as nuk mjafton vetëm suksesi në sport, ose në punë”.
Lumturia, vërejti Papa Racinger, është diçka që e duam të gjithë, por një nga tragjeditë më të mëdha të kësaj bote është pikërisht fakti se janë të shumtë ata që nuk e gjejnë, sepse e kërkojnë në vende të gabuara. Zgjidhja është shumë e thjeshtë: lumturia e vërtetë duhet kërkuar në Zotin:
“Kemi nevojë për guxim, që t’i vendosim shpresat tona më të thella vetëm në duart e Zotit: jo tek paraja, tek karriera, tek suksesi, ose tek marrëdhëniet me të tjerët, por tek Zoti. Vetëm Ai mund të plotësojë nevojat më të thella të zemrës. Zoti na fton t’i përgjigjemi dashurisë së Tij, e dëshiron miqësinë tuaj. Një miqësi që të ndryshon jetën, që të bën të vetëdijshëm sa shkatërrues janë egoizmi dhe etja për të pasur gjithçka”.
Kur takoni Zotin, shpjegoi Ati i Shenjtë, lind edhe dëshira për të ndihmuar të tjerët, personat në vështirësi, që deri dje, as që i shihnit. Kur këto gjëra zenë vend në zemrën tuaj, atëherë jeni në rrugën e shenjtërimit të jetës. Edhe lëndët që mësoni në shkollë, u tha Papa studentëve, i referohen një horizonti më të gjerë:
“Bota ka nevojë për shkencëtarë të mirë, por perspektiva shkencore bëhet e ngushtë, nëse lë mënjanë përmasën etike dhe fetare të jetës, ashtu siç bëhet i ngushtë horizonti i fesë, nëse refuzon kontributin e ligjshëm të shkencës në njohjen e botës”.

Para se t’u fliste të rinjve kolegjialë, Papa u takua, në Kapelën e universitetit, me 300 rregulltarë, të impenjuar në edukimin katolik. Benedikti XVI shprehu vlerësimin e tij për të gjithë ata, që sigurojnë një ambient të pastër për fëmijët e të rinjtë në shkollat katolike:
“Përgjegjësia jonë ndaj atyre që na janë besuar për formimin e krishterë nuk mund të kërkojë më pak. Jeta e fesë mund të kultivohet vetëm kur atmosfera mbizotëruese është ajo e besimit të ndërsjelltë, plot respekt e dashuri”.
Papa u ndal edhe mbi rolin e mësuesit, duke theksuar se edukimi e arsimimi nuk mund të konsiderohen kurrë si diçka thjesht utilitariste:
“Kanë të bëjnë me formimin e njeriut, me përgatitjen e tij për të jetuar jetën në plotësi, me pak fjalë, kanë të bëjnë me edukimin e urtisë. E urtia e vërtetë është e pandashme nga njohja e Krijuesit”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.