2010-09-17 18:15:26

Dialogu me anglikanët është i vështirë, por duhet të vazhdojë: kështu foli Ati i Shenjtë në takimin me kryeipeshkvin anglikan të Kanterbërit


(17.09.2010 RV)Takimi i Benediktit XVI me Kryeipeshkvin Williams qe tejet i përzemërt dhe u zhvillua në një atmosferë vërtet vëllazërore. Ati i Shenjtë përshëndeti edhe ipeshkvijtë anglikanë që kishin ardhur për këtë takim nga të gjitha anët e Mbretërisë së Bashkuar, këshilltarët ekumenikë si dhe të gjithë të pranishmit.RealAudioMP3
Në fjalimin e tij, Ati i Shenjtë Racinger përmendi takimin historik mes Papës Gjon Palit II e Kryeipeshkvit Robert Runcie, të para 30 vjetësh, që qe mbajtur në Katedralen e Kanterbërit e shtoi:
“Pikërisht në atë vend ku shën Toma i Kantërbërit e dëshmoi Krishtin duke derdhur gjakun e tij për fe, ata u lutën së bashku për dhuratën e bashkimit ndërmjet ithtarëve të Krishtit. Edhe sot vazhdojmë të lutemi për atë dhuratë, duke ditur se bashkimi të cilin Krishti e do për dishepujt e vet, do të arrihet vetëm si fryt i lutjes, përmes veprës së Shpirtit Shenjt, që pa reshtur e përtërin Kishën dhe e udhëheq drejt së vërtetës së plotë”.
“Nuk është synimi im këtu të flas sot për vështirësitë që ka ecja ekumenike e vazhdon të ketë. Çdo njeri, këtu i pranishëm, i di mirë vështirësitë e tilla”, tha Papa duke kaluar te aspekti tjerët i dialogut dhe i udhës ekumenike. Ati i Shenjtë deshi të shprehte gëzimin e tij për miqësinë e thellë që është rritur, për progresin që është bërë në shumë fusha të dialogut ekumenik, në këto dyzet vjetët që kaluan, që kur Komisioni Ndërkombëtar Anglikano-Katolikë i ka filluar punimet.
Në vijim të fjalimit drejtuar të pranishmëve Benedikti XVI nënvizoi rëndësinë e takimit privat ndërmjet Papës Gjonit XXIII e Kryeipeshkvit Geoffrey Fisher në vitin 1960, vështruar në perspektivën e problemeve të sotme:
“Kultura që na rrethon po zhvillohet në mënyrë gjithnjë e më të largët prej rrënjëve të veta të krishtera, me gjithë shtimin e etjes për ushqim shpirtëror.
Rritja e përmasës shumëkulturore e shoqërisë, që është posaçërisht e theksuar në këtë Vend, sjell me vete rastin e volitshëm për t’i takuar fetë e tjera. Për ne të krishterët ky fakt hap para nesh mundësinë për të hulumtuar, së bashku me anëtarët e traditave të tjera fetare, udhët për të dëshmuar përmasën trashendentale të qenies njerëzore e të thirrjes universale të shenjtërimit, duke i mishëruar në jetën e përditshme virtytet e jetës personale e ato shoqërore. Bashkëpunimi ekumenik në këtë fushë mbetet thelbësor, e me siguri do të sjell fryte në promovimin e paqes e të harmonisë në një botë e cila tepër shpesh rrezikon ndarje e përçarje.
Ne të krishterët duhet ta shpallim fenë tonë në shëlbimin e vetëm që na ofron Krishti, e së bashku të kërkojmë një mirëkuptim gjithnjë e më të thellë përmes mjeteve që Ai i ka vënë në dispozicionin tonë për t’ia arritur shpëtimit....Këtu del në pah edhe dilema e të gjithë atyre që janë impenjuar sinqerisht në udhën ekumenike”.
 
Personaliteti i Xhon Njuman, që do të shpallet i lum të dielën, paraqet njeriun e Kishës, vizioni i të cilit qe ushqyer nga thellësia e shpirtit të tokës anglikane dhe pjekur gjatë viteve të misionit të tij në Kishën e Anglisë. Ai mund të na mësojë sot virtytin që ekumenizmi kërkon prej nesh: nga njëra anë ai jetoi dhe veproi gjithmonë sipas ndërgjegjes personale, edhe duke paguar personalisht këtë qëndrim me çmim të lartë; në anën tjetër, ngrohtësia e miqësisë së vazhdueshme që kishte me kolegët e tij të mëparshëm, e çoi të zbulonte së bashku me ta, me shpirtin e vërtetë të paqes e të pajtimit, çështjet mbi të cilat ndryshonin e ndaheshin, gjithmonë të nxitur nga kërkimi i bashkimit të thellë në fe.








All the contents on this site are copyrighted ©.