2010-09-16 19:29:50

Papa gjatë Meshës në Glasgou thirrje të rinjve: qëndroni para tundimit të pasurisë e kënaqësive të epsheve


Vizita e Papës Benedikti XVI në Mbretërinë e Bashkuar filloi nga Edinburgu, pikërisht sepse sot u kremtua festa liturgjike e Shën Ninianit të Gallouejt, ipeshkëv e ungjillëzues i popujve keltë, Apostull i Skocisë (360-432). Në këtë kornizë, pas takimit me mbretëreshën Elizabeta II, Ati i Shenjtë kremtoi meshën në Belahjuston Park të Glasgout, qyteti kryesor i Skocisë, me 590 mijë banorë, me një emër, që do të thotë “vend i dashur i gjelbëruar” e që pasqyron mirë praninë e 90 parqeve të mrekullueshme.

Për dy shekuj pas Reformës protestante, në Glasgou nuk pati këmbë katoliku, por zhvillimi industrial në fund të shekullit XVIII tërhoqi punëtorë nga Irlanda e nga malësia (Highlands) skoceze. Mesha u kremtua për herë të parë më 22 dhjetor 1816 e, që nga ajo datë, Kisha Katolike u bë pikë referimi për popullsinë katolike në rritje. Hierarkia katolike në Skoci u rivendos në vitin 1878 e kisha e Shën Andreut në Glasgou u shpall katedrale në vitin 1884.

Por të kthehemi në Meshën e sotme, e cila u kremtua në të njëjtin vend me atë të meshës së Papës Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Britaninë e Madhe, më 1 qershor 1982. Benedikti XVI përshëndeti të pranishmit, e në veçanti ipeshvijtë e klerin e Skocisë. Kam ardhur t’ju përforcoj në fe, u tha, duke përmendur pastaj vizitën e Gjon Palit II, 30 vjet më parë:

“Vërej me kënaqësi të madhe se si thirrja që iu bëri Papa Gjon Pali II, për të ecur dorë për dore me vëllezërit tuaj të krishterë, ka sjellë besim e miqësi më të madhe me anëtarët e Kishës së Skocisë, të Kishës Episkopale Skoceze e të bashkësive të tjera të krishtera”.

 
Benedikti XVI i inkurajoi të krishterët të vazhdojnë punën për të ardhmen e Skocisë, themeluar mbi trashëgiminë e përbashkët kristiane. Papa përshëndeti përfaqësuesit e besimeve të krishtera jo katolike, duke kujtuar 450 vjetorin e “Reformation Parliament” (Parlamentit skocez që ligjëroi reformën protestante) dhe 100-vjetorin e Konferencës Misionare Botërore të Edinburgut, që konsiderohet si lindja e lëvizjes ekumenike moderne.

Ati i Shenjtë foli më pas, për rolin e universiteteve mesjetare, ngritur nga papët, duke përfshirë edhe atë skocez të shën Andreut, që së shpejti do të kremtojë 600-vjetorin e themelimit. Shkollat katolike skoceze, nënvizoi Jozef Racinger, kanë për detyrë të sigurojnë edukimin e gjithanshëm të një numri sa më të madh studentësh, për t’i përgatitur për profesionin e jetën publike.

Papa u ndal në ungjillëzimin e kulturës, në një epokë si kjo e jona, kur “dikatura e relativizmit” kërcënon të vërtetën e pandryshueshme mbi natyrën e njeriut, mbi fatin dhe mbi synimin e tij të fundit. Ka përpjekje, denoncoi Benedikti XVI, për ta përjashtuar fenë nga sfera publike, për ta privatizuar e madje për ta paraqitur si kërcënim kundër barazisë e lirisë. Përkundrazi, feja është garanci për lirinë e respektin e vërtetë. Ati i Shenjtë u bëri thirrje besimtarëve laikë ta çojnë në sferën publike, në punë e në jetën e përditshme, këtë vizion të botës, që rrjedh nga feja:

“Shoqëria e sotme ka nevojë për zëra të qarta, që propozojnë të drejtën tonë për të jetuar jo në një xhungël lirish vetëshkatërruese dhe arbitrare, por në një shoqëri, që punon për mirëqënien e vërtetë të qytetarëve të saj, duke u ofruar atyre udhëheqje e mbrojtje para dobësive e brishtësive të secilit”.

Papa përmendi si ungjillëzues të mëdhenj të kulturës, shenjtorët skocezë, shën Ninianin, shën Mungon, Pajtor i Glasgout, si edhe shenjtorë të tjerë si shën Kolumba e shën Margarita. Duke ndjekur shembullin e tyre, tha Benedikti XVI, shumë burra e gra kanë punuar me shekuj për ta sjellë fenë deri në ditët tona. Pastaj iu drejtua ipeshkvijve, rregulltarëve e rregulltareve:

“Më lejoni t’ju inkurajoj në përgjegjësinë tuaj baritore ndaj katolikëve të Skocisë… Jeni të thirrur në shenjtërimin e jetës e në shërbimin ndaj popullit të Zotit, duke e modeluar jetën tuaj sipas misterit të kryqit të Zotit. Predikoni Ungjillin me zemër e me ndërgjegje të pastër”.

 
Së fundi, Papa iu drejtua të rinjve katolikë të Skocisë: “Ka shumë tundime, të cilave duhet t’u bëni ballë përditë – droga, paraja, seksi, pornografia, alkooli – që sipas botës duhet t’ju japin lumturi, por në të vërtetë janë shkatërrimtare e krijojnë ndarje. Vetëm një gjë mbetet: dashuria personale e Jezu Krishtit për secilin prej jush… Ai do t’ju bëjë të lirë nga skllavëria e jetës tërheqëse, por të sipërfaqshme, që propozohet shpesh nga shoqëria e sotme”.

Pas Meshës, Papa shkoi me avion nga Glasgou në Londër, kryeqyteti i Britanisë së Madhe, ku nesër do të takohet me botën e edukimit katolik, me krerët e feve të tjera, me kryeipeshkvin anglikan të Kanterburit dhe me shoqërinë civile. Në fund të kësaj dite intensive, kremtimi ekumenik në Abacinë e Uestminsterit, gjithnjë në Londër.







All the contents on this site are copyrighted ©.