2010-09-16 17:28:25

Britani e Madhe: Ngrohtësia e pritjes së Papës Benediktit XVI nxjerr në plan të dytë protestat.


Ndërtesa madhështore “Methodist Central Hall” në Londër, zbukuruar me flamuj të bardhë e të verdhë, mund të quhet si paraqitje skenike e suksesit të vizitës së Papës në Britaninë e Madhe. Ngrohtësia me të cilën Papa u mirëprit dhe eleganca me të cilën iu paraqit opinionit publik britanik, dashje padashje i nxorën në plan të dytë protestat e kundërshtarëve të tij.
Turma jashtëzakonisht e madhe që e duartrokiti nëpër rrugët e Edimburgut, ku Papa mbërriti sot paradite, turma tjetër që e priti për orë të tëra në Glasgou, shkallët që ngjiti në një hap me Mbretëreshën Elizabeta II në Pallatin Mbretëror, dhe me Princin Filip që i ndiqte paksa më prapa, dhe lotët që i shpëtuan në aeroplan kur foli për shkandullin e abuzimeve seksuale, janë pamjet që televizionet angleze, me në krye BBC transmetuan sot gjithë ditën në emisionet e lajmeve. Fare pak hapësirë iu la kritikave dhe protestuesve që në të vërtetë, në Edimburg, siç njoftoi policia lokale, nuk ishin më shumë se njëqind vetë, ndërsa besimtarët që rendën nëpër rrugë t’a përshëndesin Papën ishin me dhjetra mijëra.
Primati anglikan Rowan Williams dhe zëvendëskryeministri britanik Nick Clegg u shprehën më të se të lumtur që patën mundësinë t’i shtrëngojnë dorën Papës. Zëdhënësi i British Humanist Society duke komentuar fjalët e Papë mbi kontributin e Britanisë së Madhe në luftën kundër nazizmit dhe për ndërtimin e shoqërisë së re, tha se fjalët e “Benediktit XVI përfaqësojnë një përgënjeshtrim të tmerrshëm për të gjithë ata që nuk besojnë në Zotin.”







All the contents on this site are copyrighted ©.