2010-09-15 17:46:41

Sekretet e NATO-s Shqipëria ia ka dhënë qeverisë serbe


Zyrtarë të lartë të Shqipërisë kanë vënë në dispozicion të Serbisë, informacione të klasifikuara të Komitetit Ushtarak të NATO-s. Sinjalin e alarmit e jep deputeti socialist i Shqipërisë, Ilir Gjoni, i cili pretendoi dje në mbledhjen e radhës së komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare se citon një shqetësim të drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri.
“Unë nuk mund të rri dot indiferent ndaj atij informacioni që u bë publik në këtë sallë nga drejtori i SHISH-it. Unë nuk mund të ri indiferent dhe nuk e quaj justifikim padijen e ndonjë kolegu sa i përket problemeve që i kanë lindur NATO-s me rrjedhjen e informacionit. I referohem konkretisht diskutimeve që janë bërë në NATO në Këshillin Ushtarak për sa i përket ‘Marrëveshjes së Kumanovës’. Bisedat e bëra në këtë forum të lartë të NATO-s kanë rrjedhur dhe dokumenti ka kaluar në duart e autoriteteve serbe, të cilat e kanë përdorur për qëllimet e tyre”, u shpreh Gjoni, i cituar sot nga Gazeta Shqiptare. Mbledhja e Komitetit Ushtarak të NATO-s, së cilës i referohet deputeti socialist është zhvilluar në datën 17 qershor 2010. Kryefjala e diskutimeve të këtij forumi të lartë të Aleancës, ku përfaqësohet edhe Shqipëria, ka qenë pakti i 9 qershorit 1999 që mundësoi tërheqjen e trupave serbe nga Kosova apo siç njihet ndryshe si “Marrëveshja e Kumanovës”, në bazë të së cilës KFOR-i u mandatua për të qenë garant suprem i paqes dhe i sigurisë në Kosovë.

Por, ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i ka quajtur të pavend deklaratat e deputetit socialist, Ilir Gjonit për rrjedhjen e informacionit sekret të NATO-s. Në mbledhjen e djeshme të komisionit parlamentar të sigurisë, Oketa theksoi se çdo dyshim ka nevojë për verifikim. Ai i kujtoi gjithashtu opozitës se në kundërshtim me ligjin po publikonte në media informacione sekrete të raportuara nga Shërbimi Informativ Shtetëror.

Po dje Komisioni parlamentar për Sigurinë Kombëtare ka shtyrë për një kohë të pacaktuar ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë për bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Shkak janë bërë nenet 2, 3 dhe 4 të paktit që parashikojnë në vija të përgjithshme shkëmbimin e informacioneve të ndërsjellta mes dy qeverive.

Deputetët e opozitës kanë pretenduar se në zbatim të këtyre neneve Beogradit zyrtar mund t’i jepen informacione të klasifikuara të NATO-s. (nga Balkanweb)








All the contents on this site are copyrighted ©.