2010-09-15 15:04:46

Papa lutet për viktimat e dhunës në Indi, Pakistan e Afganistan e kërkon respektimin e lirisë fetare.
Katekizmin e audiencës ia kushton Kjarës së Asizit.


Benedikti XVI në mbarim të audiencës së përgjithshme mbajtur sot në Sallën e Palit VI në Vatikan, tha se është i shqetësuar për ngjarjet e dhunshme që këtyre ditëve po ndodhin në Vende të ndryshme të Azisë dhe kërkoi të respektohet liria fetare.
 
“Përcjell me shqetësim ngjarjet që po ndodhin këtyre ditëve në rajone të ndryshme të Azisë Jugore, posaçërisht në Indi, në Pakistan e në Afganistan. Lutëm për viktimat e kërkoj që të respektohet liria fetare, e logjika e pajtimit dhe ajo e paqes të mbizotërojnë mbi urrejtje e mbi dhunë”.
E katekizmin e audiencës së përgjithshme, në vazhdim të ciklit rezervuar figurave femërore më të rëndësishme në Kishën e Mesjetës, Benedikti XVI sot ia kushtoi Kjarës së Asizit.

"Dëshmia e saj na tregon sa e mbarë Kisha është në borxh me gratë guximtare e të pasura me fe siç ishte ajo, të afta të japin shtytje vendimtare për ripërtëritjen e Kishës”.

“Një ndër shenjtëreshat më të dashura”, Kjara jetoi në vitin 1200, - kujtoi Papa - e ishte prej një familje fisnike e aristokrate, në moshën 18 vjeçare, e caktuar për martesë, “me një gjest të guximshëm, të frymëzuar nga dëshira e thellës për të ndjekur Krishtin e nga admirimi që kishte për Françeskun”, bashkëkohës i saj, la shtëpinë atërore, dhe me shoqen e saj Bona nga Guelfuccio fshehurazi shkoi tek fretërit e vegjël në Porziuncola, e prej aty shumë shpjet u transferua në Kishën e Shën Damjanit, ku në një kuvend të vogël, jetoi për mëse 40 vjet deri në vdekje, më 1253, duke mishëruar në jetën e përditshme “në mënyrë heroike virtytet që do të duhej të karakterizonin çdo të krishterë”, tha Ati i Shenjtë Racinger duke përmendur këto virtyte: “përvujtërinë, përshpirtërinë e pendesën, dashurinë e bamirësinë”:
 
“Megjithëse ishte eprore, ajo deshi t’u shërbente personalisht motrave rregulltare të sëmura, duke u marrë edhe me punët më të rëndomta e teje të përvuajtura: e kështu dëshmoi se dashuria më të vërtetë kalon çdo vështirësi, çdo pengesë, e kush dashuron çdo flijim e bënë me gëzim”.

E kanonizuar nga Papa Aleksandri VI, vetëm dy vjet pas vdekjes, Kjara - tha Benedikti XVI- ka qenë gruaja e parë në historinë e Kishës që përpiloi një Rregullore të shkruar për jetën rregulltare “në mënyrë që karizma e shën Françeskut - i cili ishte “jo vetëm mësues” por “edhe mik vëllazëror” - të ruhet e të zbatohet në të gjitha bashkësitë rregulltare femërore të frymëzuara nga shembulli i dy shenjtorëve të Asizit, që ditën të nxjerrnin “nga miqësia reciproke një shtytje të fortë për të përshkuar udhën e përsosmërisë ungjillore”.

“Miq të dashur: shenjtorët janë ata që e ndryshojnë botën në të mirë, që e shndërrojnë në mënyrë të qëndrueshme duke vënë energjitë që vetëm dashuria e frymëzuar nga Ungjilli mund ti nxisë. Shenjtorët janë bamirësit e mëdhenj të njerëzimit”!

E ndër besimtarët e shtegtarët e ardhur prej vendeve të ndryshme të botës në Vatikan, për të marrë pjesë në audiencën e përgjithshme me Papë, sot ishin edhe dy grupe të ardhura nga Irani e nga Guineja. Gjatë përshëndetjeve drejtuar të pranishmëve në përfundim të katekizmit, Papa porositi të ndiqej shembulli i Zojës së Bekuar të Dhimbshme - festa e së cilës bie sot - e cila “ me fenë e saj të gjallë qëndroi pranë kryqit të Birit të vet”.
 
“Të dashur të rinj, mos keni frikë të qëndroni edhe ju si Maria pranë Kryqit. Zoti do të jap guximin për të tejkaluar çdo pengesë e vështirësi në jetën tuaj të përditshme.
E ju, të dashur të sëmurë, uroj të gjeni në Marinë ngushëllimin dhe mbështetjen për të mësuar nga Krishti i Kryqëzuar vlerën shpëtimprurëse të vuajtjes.
Ju të dashur të sapo martuar, drejtohuni me besim në momente të vështira Zojës së Dhimbshme, që të ju ndihmojë me ndërmjetësimin e saj amënor”.







All the contents on this site are copyrighted ©.