2010-09-14 14:44:57

Rihapet, e modernizuar, Biblioteka e Vatikanit


Pas gjashtë ditësh, një nga vendet me dorëshkrimet e librat më të çmuar të botës do të jetë sërish në dispozicion të studiuesve. Biblioteka Apostolike e Vatikanit do të hapë dyert pas tri vjetësh restaurimi e ristrukturimi. Ky institucion kulturor, unik në botë për pasurinë që përmban, na paraqitet kështu i rinovuar, por gjithnjë besnik ndaj frymës së shërbimit humanist e universal, me të cilin kryen prej 5 shekujsh misionin e vet.
“Një shtëpi mikpritëse e shkencës, që u hap dyert studiuesve nga e gjithë bota, pa dallim prejardhjeje, feje e kulture”: kështu e pati përkufizuar Papa, gjatë vizitës së tij në Bibliotekën e Vatikanit, më 25 qershor 2007. Themeluar nga Papa Siksti IV në vitin 1475, më 20 shtatorin e ardhshëm, Biblioteka do të verë sërish në dispozicion 150 mijë dorëshkrimet, 1 milion librat, prej të cilëve 8.400 inkunabula, pra libra të botuar para vitit 1500, si edhe qindra mijëra monedhat, medaljet e inçizionet, të shoqëruara nga risi teknologjike për ta përshpejtuar e për ta bërë shërbimin më të sigurtë. Natyrisht, pa humbur karakteristikën e saj humanistike, siç thekson në mikrofonin tonë, Prefekti i Bibliotekës, imzot Çezare Pazini:
“Fryma humanistike – që në vetë termin lidhet me epokën e themelimit të Bibliotekës Vatikanase – shpreh mbështetjen e bindur për punën kërkimore të bërë në mënyrë serioze e të dokumentuar, me durim, me drejtpeshim, me aftësi konfrontimi e me përvuajtëri për sukseset, siç na ka mësuar humanizmi. Kjo frymë kujton pikën e domosdoshme të referimit për çdo studim, që është njeriu, arsyeja e tij, realiteti i tij shpirtëror, dinjiteti i tij”.
Kujtojmë se në Bibliotekën e Vatikanit ruhen dokumentat e para të gjuhës shqipe, si Meshari i Gjon Buzukut, si edhe shkrime të tjera të rëndëishme mbi historinë dhe kulturën e kombit shqiptar.







All the contents on this site are copyrighted ©.