2010-09-14 16:46:41

Benedikti XVI në tokën britanike: vizita e parë shtetërore e një Pape në Mbretërinë e Bashkuar


“Zemra i flet zemrës”: është fraza e zgjedhur nga Papa Benedikti XVI për të karakterizuar udhëtimin e tij apostolik në Mbretërinë e Bashkuar, marrë nga motoja kardinalore e të lumit të ardhshëm, kardinalit Henri Njuman. Ati i Shenjtë do të mbërrijë në tokën britanike të enjten, pas dy ditësh, e do të qëndrojë deri të dielën në qytetet e Edimburgut, Glasgout, Londrës dhe Birmingamit. Kjo është vizita e parë shtetërore e një pape në Mbretërinë e Bashkuar, pas katër vizitave të një sovrani britanik në Vatikan.
Ndër etapat më domethënëse të udhëtimit të ardhshëm apostolik të Benediktit XVI është pa dyshim, lumnimi i kardinalit Xhon Henri Njuman, të dielën. Që i ri, Jozef Racinger e ka konsideruar gjithnjë teologun e njeriun anglez të letrave si model për t’u ndjekur e shpesh ka reflektuar mbi teologjinë e tij të ndërgjegjes. Po përshkojmë disa nga këto reflektime, të shoqëruara nga notat e “Lead kindly light” (Na udhëhiq o dritë e ëmbël), himn i kompozuar nga vetë kardinali Njuman në vitin 1833.
Për kardinalin Njuman, shkruan Papa në kohën kur ishte ai vetë kardinal, ndërgjegjja nuk do të thotë vetëvendosje e subjektit, në një botë pa të vërteta. Do të thotë përkundrazi, prani e perceptueshme e së vërtetës nga vetë subjekti, pra njeriu. Në listën e virtyteve, Njuman nënvizon rëndësinë më të madhe të së vërtetës mbi mirësinë, ose për ta thënë në një mënyrë më të kuptueshme për ne – shpjegon Benedikti XVI – rëndësinë e së vërtetës mbi konsensusin, mbi pranimin nga ana e grupit, ku çdo njeri bën pjesë. Gjatë vizitës së fundit të ipeshkvijve të Anglisë e të Uellsit, në shkurtin e këtij viti, Papa theksoi.
“Kardinali Njuman na ka lënë një shembull të jashtëzakonshëm besnikërie, duke ndjekur atë “kindly light”, atë dritë të ëmbël, kudo ku ajo e çonte, edhe nëse i duhej të paguante një çmim të lartë personalisht”.
E më pas, Benedikti XVI uron:
“Shkrimtarë e komunikues të mëdhenj, me integritetin dhe personalitetin e tij, janë të nevojshëm për Kishën e sotme e shpresoj që përkushtimi ndaj tij, të frymëzojë shumë vetë për të ndjekur gjurmët e kardinalit Njuman”.
I është kushtuar shumë vëmendje aktivitetit akademik të kardinalit, por – thekson Papa – duhet pasur parasysh se ai ishte sidomos meshtar. Jozef Racinger e vlerëson shumë teologjinë e kardinalit Njuman, i cili e shpjegonte ekzistencën e njeriut, duke filluar nga ndërgjegjja, apo nga marrëdhëniet ndërmjet Zotit e shpirtit. Ky lloj personalizimi – shpjegon Papa – nuk përfaqëson ndonjë rrugë drejt individualizmit dhe arbitraritetit, por është rrugë njohjeje e zhvillimi, që e çon shpirtin drejt së vërtetës. Për këtë arsye, kardinali Njuman u kthye nga feja anglikane në fenë katolike; për këtë arsye, i ngjan kaq shumë shën Augustinit, nënvizon Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.