2010-09-14 16:49:29

Austri: Patriku ortodoks serb Irene: Bashkimi i të krishterëve është një përparësi për të gjithë.”


(14.09.2010 RV)Patriku ortodoks serb Irene, përfundoi sot vizitën e tij në Austri, ku banojnë rreth 400 mijë serbë, që është njëkohësisht edhe vizita e tij e parë jashtë shtetit, që pas zgjedhjes së tij në janarin e kaluar. Udhëtimi u krye në kuadër të 150-vjetorit të njohjes nga ana e qeverisë austriake të famullisë së parë ortodokse serbe të Vjenës. E në fakt, në Vjenë, gjendet edhe bashkësia më e madhe e dioqezës serbe të Evropës lindore, që përfshin Austrinë, Gjermaninë dhe Zvicrën, dhe famullia në fjalë është më e vjetra.
Gjatë vizitës së tij, – shkruan gazeta vatikanase “L’Osservatore romano” – Patriku serb Irene, vuri në dukje se bashkimi i të krishterëve është një nevojë për të gjithë si edhe nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet katolikëve dhe ortodoksve, duke e quajtur “një përparësi”. Vizita arriti kulmin e vet me kremtimin eukaristik, zhvilluar të dielën në kishën e të Ringjallurit të Krishtit në Vjenë, ku morën pjesë dhjetë ndër metropolitë e peshkopë të Patriarkatit ekumenik dhe të Kishës ortodokse ruse, rumune dhe serbe. Patrikun serb e shoqëronin gjatë kësaj vizite kryeipeshkvi i Ohrit, Jovani, ipeshkvi i Baçkës, Irenej, dhe ai i Dalmacisë, Foti.
Të shtunën e kaluar patriku Irene, u takua gjithashtu edhe me kryeipeshkvin e Vjenës dhe kryetarin e konferencës ipeshkvnore austriake, kard. Kristof Shënborn, ndërsa në Linc, ai u takua me ipeshkvin Ludvig Shvarc. Programi i udhetimit përfshinte edhe një vizitë në kampin e përqendrimit në Mathauzen, ku humbën jetën tetëmijë serbë dhe ku do të ngrihet edhe një kishëz varreze ortodokse.







All the contents on this site are copyrighted ©.