2010-09-13 15:57:34

Papa u kërkon besimtarëve të luten për udhëtimin në Mbretërinë e Bashkuar dhe kujton se vetëm feja e shndërron egoizmin në gëzim


Në prag të udhëtimit të tij në Mbretërinë e Bashkuar, Papa Benedikti XVI u kërkon besimtarëve të luten për këtë vizitë, gjatë Engjëllit të Tënzot në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos. Gjithashtu, duke komentuar tri shembëlltyrat e mëshirës, në qendër të Ungjillit të djeshëm sipas Lukës, kujtoi se vetëm feja mund ta shndërrojë egoizmin në gëzim.
Jezusi flet për bariun që shkon pas deles së humbur, për gruan që kërkon monedhën, për atin që pret me gëzim djalin plangprishës. Këto – nënvizoi Benedikti XVI – nuk janë veç fjalë, por shpjegojnë si është e si vepron vetë Jezu Krishti. Ashtu siç shkruan shën Agustini “Është vetë Fjala që të thërret të kthehesh; vendi i qetësisë së pashqetësuar është aty ku dashuria nuk njeh braktisje”:
“Miq të dashur, si të mos ia hapim zemrën sigurisë kur, megjithëse jemi mëkatarë, Zoti na do? Ai nuk lodhet kurrë së ardhuri drejt nesh, e bën gjithnjë i pari rrugën që na ndan prej Tij”.
Pendesa është masa e fesë – shpjegoi Ati i Shenjtë – e falë saj kthehemi tek e Vërteta:
“Vetëm feja mund ta shndërrojë egoizmin në gëzim e të lidhë marrëdhënie të drejta me të afërmin e me Zotin”.
Mendimi i Papës kaloi më pas tek etapa e ardhshme e papnisë së Tij, udhëtimi në Mbretërinë e Bashkuar, ku do të shkojë të enjten:
“U kërkoj të gjithëve të më shoqëroni me lutje në këtë udhëtim apostolik. Virgjërës Mari… ia besojmë rrugën tonë të kthimit në Zotin”.
Gjatë vizitës, Papa do të shpallë të lum kardinalin Xhon Henri Njuman, të dielën e ardhshme, në Birmingam:
“Personaliteti dhe mësimet e tij – uroi Benedikti XVI – qofshin për epokën tonë dhe për ekumenizmin, burim frymëzimi për të gjithë”.
Shtegtarëve të gjuhës spanjolle, Ati i Shenjtë u kujtoi figurën e fra Leopoldit de Alpandeire, që u ngrit dje në nderimet e elterit në Granadë. Jeta e tij, qoftë shembull përvujtërie, besimi ndaj Zotit e përkushtimi ndaj Zojës, përfundoi Papa.







All the contents on this site are copyrighted ©.