2010-09-13 14:30:21

Autoritetet e vendit dhe ndërkombëtare dënuan incidentin në Mitrovicë


Autoritete e Kosovës dhe ato ndërkombëtare kanë dënuar incidentin e së shtunës në Mitrovicë. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, duke dënuar ashpër incidentin e së shtunës në Mitrovicë tha se ngjarje të tilla dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe u shërbejnë vetëm atyre që janë kundër paqes, stabilitetit dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim etnie e besimi. Presidenti Sejdiu u bëri thirrje të gjithëve që të jenë të matur dhe të mos bien në grackën e huliganëve të ndryshëm, të cilët punojnë kundër ligjit, kundër arritjeve dhe së ardhmes sonë të përbashkët. Presidenti po ashtu, dënoi ashpër sulmin ndaj pjesëtarëve të EULEX it dhe të KFOR it, duke e cilësuar këtë si një veprim krejtësisht të papranueshëm dhe të turpshëm.
"EULEX i dhe KFOR i kanë mbështetjen e plotë të popullit dhe të institucioneve të Kosovës dhe ne ritheksojmë përkushtimin tonë të plotë për të vazhduar bashkëpunimin e shkëlqyeshëm për të mirën e të gjithëve në Kosovë", theksoi Presidenti. Ai kërkoi nga institucionet përgjegjëse të rendit dhe të sigurisë që ta zbardhin sa më parë këtë rast, të mos lejojnë më përsëritjen e incidenteve të tillë, kurse fajtorët t'i nxjerrin para drejtësisë.
Edhe kryeministri Hashim Thaçi shprehu keqardhje për personat e lënduar në incidentet e së shtunës mbrëma në veri të Mitrovicës. Ai tha se ngjarjet e tilla, që i cilësoi të izoluara, nuk mund të zbehin zhvillimet pozitive në Kosovë. "Dëshiroj të shpreh keqardhje në emër të Qeverisë për incidentin që ka ndodhur, por në asnjë rrethanë asnjë incident i izoluar nuk do të mund ta ndalë progresin dhe zhvillimet pozitive në Republikën e Kosovës", është shprehur kreu i ekzekutivit kosovar.
Ndërkaq shefi i EULEX it, Iv dë Kermabon, dënoi incidentin e të shtunës në Mitrovicë, si pasojë e të cilit mbeti i plagosur edhe një polic i këtij misioni. Kermabon tha se plagosja e policit të EULEX it ka ndodhur kur kishte pasur gjuajtje me armë dhe koktej molotovi në drejtim të njësive policore të EULEX it, ndërsa ka bërë të ditur se edhe një anëtar i Policisë së Kosovës është plagosur lehtë. Ai ka shtuar se këto akte të huliganizmit të pakuptimtë nuk kanë vend në asnjë shoqëri demokratike dhe si të tilla duhen dënuar nga të gjithë. Kermabon e ka bërë të qartë se EULEX i nuk do të tolerojë sjellje të tilla të paligjshme dhe është i gatshëm të marrë të gjitha masat e duhura, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR in, për të siguruar që të reagohet fuqishëm nëse ngjarje të tilla përsëriten.
Edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, e dënon fuqishëm aktin e plagosjes së pjesëtarit të Policisë së EULEX it dhe i dëshiron shërim të shpejtë, njëherësh duke kërkuar hetim të plotë të rastit dhe vënien para organeve të drejtësisë të të gjithë atyre personave që kanë nisur një incident të tillë. Komandanti i KFOR it gjeneralmajori Erhard Byhler dënoi fuqishëm përleshjet e dhunshme që ndodhën në Mitrovicë, ndërsa policit të lënduar të EULEX it, shokëve të KFOR it dhe qytetarëve të pafajshëm të lënduar u uron shërim të shpejtë. "KFOR i nuk do të toleroj kurrfarë dhune në Kosovë dhe unë kërkoj që popullata e Kosovës të ndihmoj në arrestimin e ngatërrestarëve. KFOR i është gjithnjë i gatshëm të veproj në çfarëdo situate së bashku me Policinë e Kosovës dhe EULEX in dhe të ndërmarrë masa të duhura në mënyrë që të mbajë ambient të qetë dhe të sigurtë", është shprehur Byhler.







All the contents on this site are copyrighted ©.