Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 24-të gjatë vitit "C":
Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të së
dielës, kësaj rradhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë
së Fjalës Hyjnore të dielës së 24-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit
të liturgjisë kishtare.
Hyji na do me një dashuri që tejkalon pabesnikëritë
tona dhe mëkatet tona. Falja është tipar që e karakterizon Zotin dhe secili prej
nesh është i thirrur të mësojë nga përqafimi me të cilin Zoti Ati i mëshirshëm e pret
djalin plangprishës, djalin rebel e të pabindur, që në një farë mënyre e nga pak
jemi edhe të gjithë ne.
Leximet Biblike të kësaj së diele na flasin për përdëllimin
e Hyjit. Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele marrë nga shën Luka, Jezusi na paraqet
Hyjin plotë mëshirë e falje, na paraqet Hyjin përdëllues. Mirëpo fytyrën e Tij të
mëshirshme e dallojnë, e kuptojnë dhe shijojnë vetëm ata njerëz që e kuptojnë, njohin
dhe pranojnë dashurinë falas të Zotit, ata persona që lejojnë që hirin hyjnor të
depertojë e t’ua përmbushë zemrën, t’ua shndrisë mendjen, ata që lejonë hirin e
Zotit të pasqyrohet në përcaktimet, në zgjedhjet dhe sjelljet e tyre të përditshme
para tjerëve. Populli i Izraelit (sikur do të dëgjojmë nga leximi i parë) u gjunjëzua
para viçit punuar prej ari, duke e tradhëtuar Zotin që e kishte liruar nga skllavëria
e Egjiptit. Mosiu ndërmjetëson për njerëzit e vet pranë Hyji, i cili në sajë të përdëllimit
të tij hyjnor, e harron tradhëtin e popullit izraelit dhe fal. Shën Pali ( siç
do të dëgjojmë në leximin e dytë) është i emocionuar dhe i prekur thellë nga gëzimi
e mirënjohja për kthimin e vet tek Krishti e te Ungjilli. Ai falënderon Zotin e mëshirës
që e fali dhe e ngarkoi të jetë apostull i tij ndër paganë. Ungjilli i së dielës
më tri shembëlltyra të njohura: atë të delës së humbur, atë të drahmës së humbur dhe
të djalit plangprishës apo të Atit të mëshirshëm, vënë në pah gëzimin e Zotit në falje
e në pranimin e mëkatarëve të penduar në tryezën e vet. Të mendojmë mirë mbi vlerën
e pallogaritshme që ka Eukaristia, banketi i bërë gati për djalin plangprishës por
edhe për të gjithë ata që i afrohen Zotit me zemër të sinqert e të penduar. Tani
ti dëgjojmë leximet biblike e pastaj edhe komentin...
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Dal 32, 7-11.13-14
Kur
një mëkatar i afrohet Hyjit në lutje, është e natyrshme që ai i kërkon falje dhe merr
mëshirën e tij. Kjo lutje është pjesërisht egoiste, sepse kërkon të rimarrë një paqe
dhe një pafajshmëri të humbur. Por, Moisiu në lutje thërret dhe provokon vetë Hyjin
në emër të hyjnisë së Tij që është mëshira dhe bamirësia. Dhe Hyji e dëgjon.
Lexim
prej Librit të Daljes
Në ato ditë, Zoti i tha Moisiut: “Mos vono e zbrit
poshtë, sepse populli yt që e nxore nga dheu i Egjiptit, u prish. E lanë me të shpejtë
rrugën që ua kam caktuar. Punuan një viç të metaltë, e adhuruan dhe i kushtuan fli
e thanë: “Këta janë zotat e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit!” Mandej
Zoti i tha Moisiut: “Po shoh se ky popull është popull kokëfortë. Më lësho të ndizet
flakë hidhërimi im kundër tij e ta shfaros, e prej teje do të bëj një popull të madh.”
Porse Moisiu i lutej Zotit, Hyjit të vet, e i thoshte: “Përse, o Zot, do të ndizet
flakë hidhërimi yt kundër popullit tënd, të cilin e nxore nga dheu i Egjiptit me fuqi
të madhe e dorë të fortë? Të bie ndër mend Abrahami, Izaku e Izraeli, shërbëtorët
e tu, të cilëve u përbetove me vetvete, kur u the: ‘Do ta shtoj farën tuaj si yjet
e qiellit dhe tërë këtë tokë, pët të cilën ju fola, do t’ia jap farës suaj; e do të
jetë juaja përgjithmonë’.” Zoti pati mëshirë dhe nuk ia çoi të keqen me të cilën i
ishte kërcënuar popullit të vet. Fjala e Zotit.
Psalmi 51
Na
e jep, o Zot, gëzimin e faljes sate ----- ----- ----- Ki mëshirë për
mua, o Hyj, sipas mëshirës sate, pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim! Më
laj krejtësisht prej mëkatit tim e më pastro prej fajit tim. ----- -----
----- Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, përtërij në mua një shpirt të
qëndrueshëm! Mos më flak larg fytyrës sate, mos e hiq prej meje shpirtin
tënd të shenjtë. ----- ----- ----- Zhdrivilloj, o Zot, buzët e mia, dhe
goja ime do ta shpallë lavdinë tënde. Flia e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; ti,
o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërmuar. ----- ----- -----
Leximi
i dytë 1 Tim 1, 12-17
Falja e Hyjit është pafundme. Shën Pali e pohon, sepse
e di se jeta e tij është një shembull i gjallë i kësaj faljeje: Ai ka qenë një ndër
mëkatarët më të këqinj, e megjithatë Hyji e ka falur dhe e ka zgjedhur. Megjithë
mëkatet tona, Hyji zbulon nëpërmjet nesh faljen dhe dashurinë e tij.
Lexim
prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut
E falënderoj
Atë që më dha fuqi, Krishtin Jezus, Zotin tonë, pse më çmoi të besueshëm duke më thirrur
në shërbesë mua, që më parë isha blasfemues, salvues, mujshar. Por gjeta mëshirë pse
veproja prej padijes, larg nga besimi i vërtetë. Dhe hiri i Zotit tonë qe pa masë
i begatshëm bashkë me fe dhe me dashuri që është në Krishtin Jezus. Kjo fjalë
është e vërtetë dhe meriton të besohet prej të gjithëve: Krishti Jezus erdhi në botë
për të shëlbuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari. Ai pati mëshirë për mua me
qëllim që në mua më të parin Jezu Krishti ta dëftojë tërë zemërgjerësinë e vet për
t’u dhënë shembull të gjithë atyre që do të besojnë në Të për të fituar jetën e pasosur.
Dhe Mbretit të shekujve, të pavdekshmit, të papashmit, një të vetmit Hyj i qoftë nder
e lavdi në shekuj të shekujve. Amen! Fjala e Zotit.
ALELUJA,
aleluja. Ne e njohem e besuam në dashurinë që Zoti ka për ne. Aleluja.
Ì
Ungjilli Lk 15, 1-32
Të jetë i gjithëpushtetshëm dhe të pranojë që djali
i vogël të largohet nga shtëpia, për ta mikëpritur krahëhapur kur kthehet; të lërë
gjithçka dhe të shkojë të kërkojë delen e humbur; të jetë pronar i gjithçkaje dhe
të bëhet shërbëtor i shërbëtorëve të vet; kjo mënyrë hyjnore e të sjellurit quhet
mëshirë. Krishti është mishërimi i mëshirës së Hyjit dhe ka themeluar një popull
të ri, ky popull i përbërë nga bij të humbur dhe pastaj të rigjetur. Edhe Kisha duhet
të jetë shenjë e kësaj mëshirë hyjnore.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas
Lukës
Në atë kohë, të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin
Jezusit për ta dëgjuar. Farisenjtë e skribët nynykatnin: “Ky i pranon mëkatarët –
thoshin – dhe po ha me ta.” Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Cili
prej jush, po i pati njëqind dele dhe, nëse një prej tyre i tret, nuk i lë të nëntëdhjetenëntë
tjerat vetëm në kullosë e nuk shkon pas të treturës derisa ta gjejë? Kur e gjen, plot
gëzim, e vë në krah, dhe, posa arrin në shtëpi, i thërret miqtë e fqinjët e u thotë:
‘Gëzohuni me mua se e gjeta delen time që më humbi.’ Unë po ju them: në qiell do të
ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për të nëntëdhjetenëntë
të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen. Ose cila grua që ka dhjetë drahma e po
bëri e i treti njëra, nuk e ndez dritën e nuk e fshin shtëpinë dhe nuk e kërkon me
kujdes derisa ta gjejë? Dhe, kur e gjen, i bashkon mikeshat dhe fqinjet dhe u thotë:
‘Gëzohuni me mua se e gjeta drahmën që më pati humbur.’ Po kështu, unë po ju them:
bëhet gëzim në mes të engjëjve të Hyjit për një mëkatar që kthehet.” Mandej vijoi:
“Një njeri kishte dy djem. Djali i vogël i tha t’et: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë
që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. Mbas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati
dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë
pas vesesh. Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi
ta sprovoi skamjen. Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky
e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë
barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte. Atëherë i erdhën
mendtë e thoshte: ‘Sa mëditësve tim atë u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie!
Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër qiellit
e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e
tu.’ U çua dhe e mori rrugën të kthehet tek i ati. Ndërsa ende ishte larg, i ati
e pa, u ngashërye, u lëshua vrap, e mori ngrykë dhe e puthi. Atëherë i biri i tha:
‘O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt
bir!’ Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e veshniani!
Viniani unazën në dorë e sandalët në këmbë! Sillni viçin e majur e prenie të hamë
e të gëzojmë, sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’ E filluan
të dëfrehen. Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë,
dëgjoi këngë e valle, thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi. Ai i përgjigji: ‘U
kthye vëllai yt e yt atë e preu viçin e majur pse iu kthye djali shëndosh e mirë.’
Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda. I ati doli jashtë dhe iu lut. Atëherë ai
i tha t’et: ‘Qe se unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tënd.
E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. Por, kur të erdhi ky – djali
yt – që prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majur!’ ‘Biro – i tha
i ati – ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. Porse, u desh të gëzohemi
e të ngazëllohemi, sepse ky – vëllai yt – pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u
gjet’.” Fjala e Zotit. E tani komentin e leximeve biblike të Liturgjisë
së Fjalës së Zotit të kësaj së diele do ta dëgjojmë nga prifti shqiptar don Arjan
Shkurti e po keshtu edhe programin e plote kushtuar liturgjise se Fjales se Zotit.....