Me 10 shtator kalendari Kishtar përkujton Shën Nikollin nga Tolentino, rregulltar
agostinian
(10.09.2010 RV)Jeta e Shën Nikollit nga Tolentino (1245-1305) është një jetë
urate, pendese e apostullati apo veprimtarie. Asket jashtëzakonisht i ashpër e rigoroz
me vetveten, por i butë e plotë mirëkuptim me të varfërit e të sëmurët, Shën Nikolla
nga Tolentino, të cilin Kisha e kujton sot, është i njohur si apostulli i rrëfyestoreve
e, në mënyrë të posaçme, për kujdesin që kishe ndaj shpirtrave në Purgator. Nikolli
lindi në vitin 1245 në Kastel Sant Anxhelo të Pontanos, dioqeza italiane e Fermos,
nga prindër, që dëshironin prej vitesh një fëmijë. Katërmbëdhjetë vjeç hyri si novic
apo dëshirtar, do të thotë pa detyrime e pa kushte, në Urdhrin e oshënarëve të Shën
Agostinit, në vendlindje. Më pas u pranua rregullisht në Urdhër e, më 1274, u shugurua
meshtar në Çingoli. Bashkësia agostiniane e Tolentinos u bë shtëpia e tij nënë,
e territori markixhan, me kuvendet e tij të shumta të Urdhrit Agostinian, ku strehohej
gjatë shtegtimeve të tij si predikatar, fusha e punës. Pjesën më të madhe të ditës
ia kushtonte lutjeve, në sa agjëronte vazhdimisht. Ishte një asket gjithnjë me buzë
në gaz, një pendestar që përhapte gëzim, kudo që shkelte. E dëgjonin kur predikonte,
e ndiqnin me vëmendje të madhe kur rrëfente ose kur fliste në raste të ndryshme, dhe
vërenin, të çuditur, se ishte gjithnjë me të njëjtin humor. Kalonte nga tetë deri
në dhjetë orë në lutje, ushqehej vetëm me bukë e ujë, e megjithatë kur fliste, përhapte
gëzim shpirtëror. Shumë njerëz vinin në rrëfyestoren e tij nga larg. Gjunjëzoheshin
të ngarkuar me mëkate, largoheshin të pasuruar nga besimi i tij plot gëzim në Zotin.
Gjithnjë i ndjekur nga zëra që flisnin për mrekulli, në vitin 1275 u vendos në Tolentino,
ku vijoi të jetonte deri në vdekje, më 10 shtator 1305. Shën Nikolla nga
Tolentino mbeti në kujtesën e njerëzve, e në faqet e Martiriologut Romak, si njeri
i rreptë me vetveten, por i mëshirshëm me të tjerët; si rrëfyes, që ia ngarkonte vetes
pendesën, të cilën duhet ta bënin pendestarët që përmes Sakramentit të Rrëfimit kërkonin
pajtimin me Zotin dhe të afërmin. Pas vdekjes, 371 dëshmitarë do të flisnin për mrekulli
të shumta që bëri Zoti përmes Nikollit, i cili u shpall shenjt në vitin 1446, në sa
në bazilikën e Tolentinos, ku pushon në paqe, kishin nisur prej kohe shtegtimet tek
varri i tij e mrekullitë e Zotit, që vijojnë edhe sot e kësaj dite me ndërmjetësimin
e tij.