2010-09-09 15:29:27

Në sesionin e 64 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së pritet shqyrtimi i draft-rezolutës për Kosovën


Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara pritet që sonte të shqyrtojë projektrezolutën e Serbisë për Kosovën, që pësoi ndryshime të mërkurën mbrëma pas takimit ndërmjet presidentit serb Boris Tadic dhe shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.
Qeveria e Kosovës ka mirëpritur ndryshimin e projektrezolutës, duke theksuar se draft-rezoluta e re e përkrahur nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe e mbështetur edhe nga SHBA-të është në përputhje të plotë me realitetin e krijuar në Kosovë dhe në rajon.
Ndërkaq, shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton citohet të ketë thënë se projektrezoluta tash është tekst i 28 vendeve, që do të thotë i 27 shteteve të BE-së dhe i Serbisë.
Në propozim tekstin e ri përshëndetet gatishmëria e BE-së për lehtësimin e “dialogut ndërmjet palëve” dhe konstatohet se procesi i dialogut do të ishte faktor i paqes, i sigurisë dhe i stabilitetit në rajon.
Në tekstin e ndryshuar, të cilin Serbia e ka dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme, mungojnë formulimet për ”papranueshmërinë e secesionit të njëanshëm”, si dhe thirrja që përmes dialogut të zgjidhen të gjitha ”çështjet e hapura”.
Projektrezoluta do të vihet sonte në votim në kuadër të sesionit të 64 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ndryshe, megjithëse rezolutat që miratohen nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së nuk janë obliguese për vendet anëtare pesha e tyre politike vlerësohet e rëndësishme, ndërkaq përmes kësaj rezolute thuhet se Serbia po tenton t’i bllokojë njohjet e reja për Kosovën. /Kosova com/Telegrafi/







All the contents on this site are copyrighted ©.